Lajmi i fundit

Banorë të Bërxullës ngrihen kundër shembjes së shtëpive me shishe benzine në duar: Na skualifikuan nga legalizimi

Qeveria merr vendim për ‘fshehjen’ e agjencive funerale

Qeveria merr vendim për ‘fshehjen’ e agjencive funerale

22:24, 05/07/2023
A+ Aa A-

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka bërë disa ndryshime dhe në vendimin për miratimin e rregullores për administrimin dhe funksionimin e varrezave.

Në këto ndryshme përfshihen dhe ato për agjencitë funerale që operojnë në territorin e vendit.

Sipas këtij vendimi të fundit, agjencitë funerale do të fshihen, në ambiente të padukshme nga jashtë dhe do të licencohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Vendimi i Qeverisë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 3/d, të ligjit nr.9220, datë 15.4.2004, “Për administrimin e shërbimit të varrimit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në rregulloren “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr.711, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 21, të nenit 3, shtohet pika 22, me këtë përmbajtje:

“22. “Shtëpi funerale” është ambienti i padukshëm nga jashtë, i cili shërben si shtëpi pritjeje për kryerjen e ritualeve të lamtumirës dhe riteve të tjera në nderim të personave të vdekur.”.

2. Në nenin 36 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) Fjalia e parë, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Agjencitë e shërbimit funeral licencohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, në drejtim të: …”.

b) Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:

“4. Njësitë e vetëqeverisjes vendore parashikojnë kriteret dhe kushtet plotësuese që agjencitë e shërbimit funeral duhet të plotësojnë për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, në lidhje me kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore.”.

3. Në nenin 39 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Agjencitë dhe shtëpitë funerale duhet të zhvillojnë aktivitetin, si: plotësimi i formaliteteve, shitja e artikujve të varrimit dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me funeralin, brenda ambienteve të miratuara dhe që janë jo të dukshëm nga jashtë.”.

b) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:

“5. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kontrollojnë agjencitë e shërbimit funeral dhe shtëpitë funerale për plotësimin dhe respektimin e kushteve e të kritereve për ushtrimin e aktivitetit të tyre, të parashikuara në këtë vendim dhe në rregullat e vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, lidhur me kapacitetet tekinke dhe burimet njerëzore.”.

II. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1.  Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të miratojnë kriteret dhe kushtet plotësuese që agjencitë e shërbimit funeral duhet të plotësojnë për ushtrimin e aktivitetit në lidhje me kapacitetet teknike dhe burimet njerëzore.

2. Agjencitë, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të plotësojnë kriteret dhe kushtet për licencim,    brenda 6 muajve nga miratimi i tyre nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

3.  Nëse pas afatit 6-mujor nga data e miratimit të rregullave të vendosura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, agjencitë nuk i plotësojnë kriteret dhe kushtet e vendosura, ato nuk licencohen.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco