SYRI TV/ Qytetarët tubim në mbështeje të Berishës, lideri i opozitës falenderon politikanin gjerman Brok

22:56, 14/05/2024
A+ Aa A-

Elmar Brok ndihmoi Partinë demokratike të rikthente shqipërinë në rrugën Europiane. Kështu u shpreh lideri i opozitës Sali Berisha, për kontributin që dha politikani gjerman për vendin tonë gjatë kohës që ishte Eurodeputet në Parlamentin Europian. Berisha tha se Partia demokratike do të vazhdojë përpjekjet për integrimin e vendit në BE, ndërsa falenderoi qytetarët që protestuan para bashkisë së Tiranës për kundër vjedhjeve të drejtorëve të Erion Veliajt. Protestës së qytetarëve në mbështetje të Sali Berishës, iu bashkua edhe Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili tha se lideri i opozitës mbahet në arrest pasi doli kundër ndryhimit të kufijve të Kosovës.

SYRI TV

Lideri i opozitës Sali Berisha, teksa mbajti fjalën para demokratëve dhe qytetarëve që u mblodhën edhe këtë të mbrëmje në mbështetje të tij, falenderoi politikanin e njohur gjerman ish-Eruodeputetin Elmar Brok, për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë ndër vite. Berisha solli në kujtesë, se roli i Elmar Brok si eurodeputet, ka qenë vendimtar në vitin 2001, kur në atë kohë socialistët në pushtet vodhën zgjedhjet në vend. Berisha tha se Elmar Brok në cilësin e Kreut të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, organizoi një dëgjesë me partitë politike shqiptare në parlamentin Europian.

në një moment kritik për historinë e vendit, kur vota e shqiptarëve në vitin 2001, u rrëmbye, rezultati u përmbys, Shqipëria po vidhisej në honet e historisë, humbi rrugën evropiane të saj, bashkë me zotin Elmar Brok, me ndihmën e tij, ne rikthyem Shqipërinë në rrugën e duhur, në drejtimin e saj evropian. Do mbetet në analet e historisë ftesa dhe organizimi nga ana e tij të dëgjesës të partive politike shqiptare në Parlamentin Europian. Rezoluta e këtij komisioni dhe parlamenti, që i kërkonin PS-së të mos zgjedhë presidentin me votën e vjedhur, se Parlamenti Europian nuk do ta njohë kurrë.

Më tej, Berisha shtoi se aspirate europiane e qytetarëve shqiptarë, do të jetë beteja e vazhdueshme e Partisë Demokratike.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në BE është interesi më madhor kombëtar. Është e ardhmja më e shkëlqyer e kombit. Ndaj dhe e gjithë beteja jonë është betejë për vlerat e lirisë. Është betejë për votën e lirë. Për vullnetin e lirë të shqiptarëve. Për idealet e tyre demokratike. Për idealet e tyre evropiane.

Berisha përshëndeti edhe protestën e qytetarëve të Tiranës përpara bashkisë, duke u shprehur se nuk ka barrikadë që do ndalë ndëshkimin e vjedhjeve të kryebashkiakut socialist.

Protestës së qytetarëve poshtë banesës së liderit të Partisë Demokratike, iu bashkua edhe President ii Partisë së Lirisë Ilir Meta. Në fjalën e tij, lideri i PL tha se Berisha po mbahet në arrest shtëpie pasi kundërshtoi ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha se shpreh solidaritetin me Sali Berishën, ndërsa tha se do qëndrojë në “rrugën e shpresës” deri në lirimin e liderit të opozitës dhe triumfin e demokracisë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco