Tërnava flet me shqetësim për asimilimin e shqiptarëve: Kërkon qetësimin e veriut

Tërnava flet me shqetësim për asimilimin e shqiptarëve: Kërkon qetësimin e veriut

12:29, 28/06/2023
A+ Aa A-

Mijëra besimtarë myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin në Kosovë. Në faljen tradicionale të zhvilluar në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava lëshoi një apel për qeverinë dhe ndërkombëtarët që të bëjnë më shumë për qetësimin e situatës në veri të vendit.

“Kosova ka kufijtë e vet, ka sovranitetin e vet dhe Kushtetutën që duhet respektuar në çdo anë që të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve. Lutemi në këtë ditë feste, që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria, toleranca, siguria, respekti dhe qetësia”, tha Naim Tërnava, kryemyfti i Kosovës.

Kryemyftiu tha se harmonia brenda familjes është themeli i një shoqërie të shëndoshë. Ceku edhe plagën e rëndë të largimit të shqiptarëve nga vendi.

“Shqetësim tjetër shumë i madh është asimilimi i shqiptarëve para syve tanë, brenda trojeve tona. Dhe, ne sillemi sikur nuk po ndodh asgjë. Ata, vëllezërit dhe motrat tona po harrojnë gjuhën shqipe, po harrojnë traditën dhe zakonet që kanë mbajtur gjithherë të freskët shpirtin e shqiptarit”.

Pas faljes së namazit, nisën dhe vizitat zyrtare. Në Bashkësinë Islame të Kosovës, për urim shokoi kryeministri Albin Kurti. Mes batutave, shefi i qeverisë tha se e presin shumë punë dhe foli për lirimin e 3 policëve të rrëmbyer nga Serbia.

“Edhe xhevahiri që është guacë, se guacat janë të rralla që e kanë xhevahirin brenda, xhevahiri në guacë është prej presionit të madh. Prej presionit të madh është bërë xhevahiri”, tha Kurti.

Në selinë qendrore të Bashkësisë Islame të Kosovë vizita zhvilluan edhe politikanë të tjerë, përfaqësues të besimeve të tjera fetare dhe qytetarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco