Metaliaj denoncon përplasjen ARRSH-Ndreu për 'asfaltin elektoral', pse u prishën interesat e palëve

Metaliaj denoncon përplasjen ARRSH-Ndreu për 'asfaltin elektoral', pse u prishën interesat e palëve

19:29, 13/04/2023
A+ Aa A-

Deputetja demokrate, Lindita Metaliaj ka denoncuar kryebashkiakun e Pukës, Pjerin Ndreu, për ndërhyrjen në rehabilitetimin e rrugëve jashtë kompetencave që i lejon ligji.

Metaliaj tha nga foltorja e Kuvendit se Ndreu ka ndërmarrë veprime për punime për rehabilitetin e trotuarit të lagjes “Xhenjo” në aksin Lezhë-Shëngjin, veprim që nuk është kompetencë e tij. Metaliaj deklaroi se ARRSH ka ndërhyrë duke kërkuar ndërprerjen e punimeve, por në një kohë kur puna kishte filluar.

“Pjerin Ndreu, nën frikën e humbjes ka ndërmarë veprime për punime që nuk janë në kompetencë të tij dhe këtë e ka bërë për fushatë, jo për efekt punimesh. Pjerin Ndreu,nuk di ose nuk do t’ia dijë për problemet reale që administron bashkia.Ndryshe, nuk justifikohet vendimi Autoritetit Rrugor Shqiptar, I cili në shkresën nr.2177 prot.të datës 09.03.2023, ka urdhëruar ndërprejen e mënjëhershme të punimeve të ndërtimit të trotuarit në lagjen “Xhenjo’’, në rrugën Lezhë-Shëngjin.

Si mundet një kryebashkiak të veprojë në këtë mënyrë,të marrë veprime në vepra që nuk janë nën kompetencë të tij të plotë? Si mundet,që ARRSH,te kujtohet aq vonë,në një kohë që puna kishte filluar shumë më herët? Çfarë interesash u përplasën mes dy palëve të së njëjtës shtëpi politike?

Si mundet një kryetar bashkie që nuk e lidhë asgjë më Lezhën,ti lejojë vetes që të ndërmarë gjasmë financme të cilat e dëmtojnë rëndë sezonin turistik? Kaosi i trafikut dhe rradhët kilometrike, do shoqëronin gjithë sezonin turistik në Shëngjin pasi punimet janë të zgjatura edhe përtej pikut të turizmit.

Abuzimet janë lehtësisht të verfikueshme qoftë dhe në analizën e përplasjes mes Bashkisë Lezhë dhe ARRSH. Për këto punime, bashkia nuk ka vendosur asnjë tabelë me vlerën e financimit,lejen përkatësë dhe kohëzgjatjen e punimeve. Fasadat e tyre duhet të hetohen. Të hetohen punimet që janë bërë me asfaltet elektoral në njësinë Administrative në Shënkollë”, tha Metaliaj.

Teksa ngre një sërë pyetjesh se çfarë i jep të drejtë Pjerin Ndreut të ndërhyjë në rehabilitimin e akseve rrugore të Lezhës, Metaliaj nxorri foton e një rruge në Ishull Lezhë.

Metaliaj tha se rruga vetëm sa është “ngjyer” me asfalt dhe pas disa ditësh ka mbirë bari mbi të, duke treguar cilësinë e punimeve. Demokratja tha se pavarësisht punimeve që kryheshin, bashkia nuk ka vendosur asnjë tabelë informuese se sa para ka shpenzuar për ndërtimin e rrugës.

“Kjo është një foto e një rrugë që vetëm është ngjyer me asfalt. Bari i ka mbirë asfaltit vetëm në pak ditë që është shtruar. Kjo është cilësia e punimeve, shpërdorohen paratë e taksapaguesve, vetëm e vetëm si të mashtrojnë qytetarët për vota gjë që nuk kanë për t’ia dalë. Asnjë tabelë informuese se sa para janë harxhuar as për rastet e rrugëve pa rrugë të Shënkollit.

Kjo është një tjetër foto e rrugës së ngjyer ne asfalt në Ishull Lezhe, asfalti elektoral ka ngushtuar rrugën,ndersa në disa pjesë të saj, nuk është ndërhyrë fare. Fillon rruga e gjërë dhe në brendësi,vjen dhe ngushtohet. Edhe këtu asnjë tabelë se sa ka kushtuar një rrugë nësë mund të quhet e tillë? Kjo është një tjetër në Zejmen, edhe këtu e njëjta situatë. E pajustifikueshme se si veprohet në këtë mënyrë me paratë e lezhianëve”, deklaroi deputetja.

Metaliaj shprehu kritika edhe për KQZ-në për të cilën tha se mbyll sytë pas këtyre abuzimeve.

“Abuzojnë cdo ditë por KQZ mbyll syte,por më mirë se populli askush nuk gjykon. Si mundet KQZ të mbyllë të dy sytë përballë asaj që publikohet në media, në rrjetet sociale dhe kudo?E përsëris, demokratët dhe lezhjanët as që kanë në listë propagandën që po përdorë në kushtet e paligjshmërisë se kryetarit 6 % në ikje,por nuk konceptohet se si KQZ nuk merr mundimin të zbatojë detyrën, minimalisht të shohe rrjetet sociale se si kryetar bashkish dhe deputetë të rilindjes, sfidojnë KQZ dhe vetë Parlamentin”, shtoi Metaliaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco