'Jemi në një etapë të re të betejës'/ Berisha: Vështirësi të mëdha na presin, por kemi çdo potencial për t'i kapërcyer

17:48, 21/02/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar se pavarësisht nga vështirësitë që do të hasin demokratët, ata kanë potencial për t'i kapërcyer ato. 

Berisha tha se opozita ndodhet në një etapë të re të betejës së saj. 

Nga ana tjetër, lideri demokrat theksoi se vijojnë përpjekjet për asgjësimin e Partisë Demokratike dhe kjo u vërtetua nga korruptimi që Edi Rama i bëri ish-zyrtarit të FBI. 

"Në këtë udhëtim, kjo nuk ishte një betejë për veten tonë, jo, nuk ishte një betejë për Sali Berishën, jo, ishte një betejë për çdo shqiptar. Ishte një betejë për çdo shqiptar që beson se vendi duhet të ketë sistem demokratik dhe se pa opozitë nuk ka demokraci. Kjo ishte betejë për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit të njeriut, dinjitet. Ishte një betejë për çdo shqiptar i cili respekton në qiell miqtë, por nuk pranon kurrë të shkelmohet ndaj tyre. Kjo ishte një betejë për çdo shqiptar që beson se Shqipëria si vend sovran, vend i pavarur, vetëm e tillë është e denjë për miq, për partnerët. Kjo ishte një betejë për çdo shqiptar sepse gjithçka bëmë ne për të vendosur në këtë udhëtim, për të vendosur në piedestal votën e lirë të anëtarëve tanë dhe pastaj të shqiptarëve. 

Kurrë ndonjëherë nuk kemi sakrifikuar më shumë për të gjithë shoqërinë tonë, se sa në këtë udhëtim. Kjo duhet të bëjë krenarë secilin prej jush, çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetës tonin. E them edhe njëherë, idealet janë forca jetësore e njeriut dhe shoqërisë. Sot ne jemi përsëri në një etapë të re të betejës. Të shtojnë çdo përpjekje për asgjësimin tonë, asgjësim i cili filloi duke paguar si vrasës me pagesë kryezbuluesin e botës dhe duke mobilizuar llum, majtas e djathtas, për të fshirë nga faqja e dheut PD-në. Historia do të flasë dhe do t'i dënojë këto akte makabre korrupsioni të një grushti të vërtetë të shtetit, kundër demokracisë. Por ja ku jemi, të palëkundur në besimin tonë, të palëkundur në vokacionin tonë perëndimor, të palëkundur në rreshtimin tonë me vendet e mëdha të lira dhe vendet e lira në tërësi. Megjithatë duhet të themi se rrugën nuk e kemi të shtruar, jo, jo. Vështirësi të mëdha na presin. Vështirësi shumë të mëdha, por sot jemi më të fortë se kurrë dhe u garantoj unë ju se kemi çdo potencial për ti kapërcyer ato".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco