Berisha: Shqipëria do të mbetej Kuba e Adriatikut, revolucioni i PD nuk pati mbështetje ndërkombëtare

Berisha: Shqipëria do të mbetej Kuba e Adriatikut, revolucioni i PD nuk pati mbështetje ndërkombëtare

11:53, 14/01/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në fjalën e tij në 32-vjetorin e themelimit të PD në Durrës, se revolucioni i viteve ’90 në Shqipëri nuk pati mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Themelimi i PD dhe vendosja e saj në krye, në udhëheqje të lëvizjes antikomunist, ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm, për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Cilido që rikthehet në atë kohë në memorien e tij, cilido që lexon sot për atë kohë, do të gjente se Shqipëria ishte përcaktuar të mbetej Kuba e Adriatikut, të mbetej fener ndriçues i socializmit shkatërrimtar.

Më 2 korrik, mijëra të rinj, me guxim epik, rrëzuan Murin e Berlinit në Tiranë. Por, në atë kryengritje paqësore, njeriu që luajti rol më kryesor ishte diplomati që kryente funksionet e ambasadorit gjerman, Verner Daum. Ai shkruan se qeveritë nuk ishin dakord, Shqipëria ishte parashikuar të mbetej siç ishte.

Natyrisht ai nuk dëgjoi qeveritë, ai ishte një diplomat i madh, që bëri gjithçka që shqiptarët t’i mbështesë në atë kryengritje.

Ju solla këtë episod për të treguar se në çfarë shkalle të mesme ishte izolimi i shqiptarëve dhe se çfarë rëndësie jetike pati revolucioni i udhëhequr nga PD,” tha Berisha.

“Ky revolucion ishte i fundit në revolucionet e vendeve komuniste, por përsëri u zhvillua në kushtet e asnjë lloj mbështetje ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit 1990, ambasadat ishin të mbyllura se po meremetoheshin. Ishte vetëm një ambasador, ai i Hungarisë.

Ne kishim vetëm idealet tona demokratike, vuajtjet e tmerrshme të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Por këto nuk penguan që të ngriheshim fuqishëm ndaj një regjimi që ishte i dobësuar, por përsëri siç mund ta dini shumë prej jush, vriste pa mëshirë, të rinjtë në kufijtë e Shqipërisë.

Jo vetëm i vriste, por u kthye në praktikat e viteve ’50, ku zvarriste kufomat e viktimave për të ushtruar terror te qytetarët. Për të dëshmuar fytyrën e vërtetë.

Por revolucioni ynë nuk ndalet. Me një vendosmëri absolute, demokratët e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, vazhduan betejën e tyre, derisa përzunë me votën e lirë, diktaturën më staliniste të Europës,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco