Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar pjesë nga një dokument original nga Autoriteti i Dosjeve, ku del falsifikimi për ta akuzuar atë si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Në konferencën për mediat, ai nxorri një deklaratë me shkrim dore të Filip Talos, i cili kishte tentuar të kalonte kufirin, që mbante datën 9 mars 1990 dhe që ishte konfirmuar si autentike nga Autoriteti i Dosjeve.
Ndër të tjera në deklaratën e tij Talo shkruante se “Para rreth ndonjë 12-14 muajve edhe në vazhdim unë në biseda të ndryshme që kam zhvilluar me Ilir Muratin i kam thënë atij nëse do të dëshironte të vinte me mua jashtë shtetit…”
Ndërkohë, Meta nxorri një tjetër dokument që është shkruar me makinë shkrimi ku nuk përmendet Ilir Murati por Ilir Metaj.
“Nga informacioni i T.O dt 2.3.1989 del se objekti Filip Talo i shprehet denoncuesit Ilir Metaj ndër të tjera se…”, thuhet në letrën që Meta deklaron se është e falsifikuar.
© SYRI.net