Kurti, thirrje pakicave në Kosovë që t’i konvertojnë falas, targat serbe

Kurti, thirrje pakicave në Kosovë që t’i konvertojnë falas, targat serbe

08:49, 01/09/2022
A+ Aa A-

Prishtinë - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka bërë thirrje sot qytetarëve të Kosovës që kanë ende targat e dikurshme të makinave, t’i përshtatin ato falas në targat e reja RKS (Republika e Kosovës) në dy muajt në vazhdim sipas marrëveshjes me Beogradin, pasi përfitimi është i dukshëm: nuk do të paguajnë detyrimin 5000 euro dhe do të mund të qarkullojnë pa pengesa.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kurti shprehet:

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do të zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia,  në ato të Republikës së Kosovës.

Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre.

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA" që t'i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm, gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro.”

Sipas marrëveshjes, të gjithë pronarët e makinave, të cilët banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targën 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe të heqin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me inicialet e qyteteve si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë) etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco