Bytyçi: Foltorja s'ka censurë! Berisha po promovon demokraci, shumë më tepër se brezat e rinj pas tij

Bytyçi: Foltorja s'ka censurë! Berisha po promovon demokraci, shumë më tepër se brezat e rinj pas tij

14:05, 26/10/2021
A+ Aa A-

"Në PD kanë filluar të pranojnë gjerësisht që ka krizë: kjo është faza e parë. Faza e dytë është diskutimi i problemeve që ka shkaktuar kriza: edhe kjo po bëhet nëpërmjet Foltores. Faza e tretë është faza e kompromisit. Nëse do të kemi një kompromis apo jo, është e diskutueshme. Në përgjithësi, liderët autoritarë dhe arrogantë nuk janë të gatshëm për kompromise."

“Për kundërshtarët e zotit Sali Berisha, të cilët e kondicionojnë reformimin e PD-së me moshën e personave, përkatësisht të zotit Berisha, dua të them se zoti Berisha po promovon demokraci shumë më tepër se brezat më të rinj pas tij”. Këtë bindje ka mbrojtur dhe e ka argumentuar sot, analisti Enver Bytyçi, në studion e “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Bytyçi ka theksuar se “kriza në PD nuk është një krizë që ka ardhur nga Amerika, nuk është një krizë që ka ardhur nga jashtë. Është një krizë e brendshme, është krizë politike dhe para së gjithash, krizë besimi ose mosbesimi dhe kriza e mosbesimit krijohet nga vendimet e gabuara të lidershipit, nga mosmbajtja e premtimeve të lidershipit.”

Analisti solli dhe një përjetim të tijin personal gjatë intervistës, një detaj që tregonte shumë: “Para 3-4 vitesh kam qenë në një takim, - tha ai, -  ku folës kryesor ishte zoti Basha dhe një deputet gjerman. E kërkova fjalën për të bërë një pyetje dhe vajza që mbante mikrofonin më tha: “Çfarë pyetjeje do të bësh?!”

Në vijim, përgjigjet që drejtuesit e emisionit, Dori Daka dhe Flavio Qarri, morën nga z. Bytyçi për ngacmimet që ata i bënë rreth “Foltores” dhe së ardhmes së Partisë Demokratike. 

Flavio: Z. Bytyçi, le të bëjmë një vlerësim për komunitetin e analistëve. Le ta fillojmë me ata që janë pena dhe pulsi i opinionit publik. Duket sikur ka një rreshtim të çuditshëm në këto momente... edhe të atyre që nuk e kanë pasur qejf Berishën, pro Foltores, jo pro Berishës, kuptohet.

Enver Bytyçi: Diskutimi që po bëhet rreth krizës në PD, sigurisht që i ka ndarë palët në dy pjesë gati kundërshtare, por disa herë edhe mirëkuptuese, nëse vërejmë me vëmendje ato çfarë thuhen dhe çfarë deklarohen. Megjithatë, zoti Berisha është një politikan që gjatë 31 viteve ka pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm politik dhe gjatë këtij aktiviteti sigurisht që ka krijuar edhe kundërshtarë të sprovuar, ashtu edhe mbështetës të shumtë.

Aktualisht duket se mbështetësit e zotit Berisha janë rritur në numër, në cilësi, në kapacitete dhe ajo që shoh unë ka një zgjim të atyre kapaciteteve të demokratëve që për tetë vite kanë ndjenjur të fjetur.

Unë personalisht isha në Foltoren e Durrësit dhe më ka bërë përshtypje fakti që në atë Foltore prej qindra njerëzish, shumica dërrmuese ishin demokratë që gjatë tetë viteve janë lënë pas dore, janë anashkaluar dhe kanë qëndruar në heshtje. Domethënë, kemi një zgjim të një komuniteti të madh ose të një numri të madh të demokratëve në Foltoret që zhvillohen kudo në Shqipëri.

Por ajo që duhet të kuptojmë ka bëjë me faktin se PD-ja duhet pranuar se është në krizë. Krizën nuk e solli Foltorja. Krizën e solli lidershipi i Partisë Demokratike sepse krizat nuk vijnë nga jashtë. Krizat gjithmonë zhvillohen brenda subjekteve të caktuara, brenda shoqërive të caktuara. Për pasojë PD-ja është në krizë për shkak të drejtimit të gabuar, të gabimeve dhe të projeksioneve false të lidershipit të partisë.

Zoti Basha për tetë vite nuk arriti që ta kompaktësojë PD-në. Përkundrazi, punoi në një farë mase për opinionin sikur ka mbështetjen e zotit Berisha dhe ndërkohë brezat e kaluar të PD-së i luftoi me të gjitha mjetet edhe duke i larguar nga Partia Demokratike.

Flavio: Pati një konsensus publik për këtë lëvizje me idenë që këta ishin ekipi i Berishës. Ashtu siç bëri Rama përpara tij kur mori drejtimin e PS-së, Basha kishte nevojë për ekipin e tij. Sipas jush, një nga misteret më të mëdha të tetë viteve të fundit është sa dorë ka pasur Berisha tek vendimet e marra nga Basha? A kanë qenë këto të lira? Ato konsultimet e famshme që bëheshin tek zyra e Berishës, kanë qenë reale, ka qenë strategji e menduar, ka pasur vetëm një çarje midis Bashës dhe Berishës që ishte ajo për përjashtimin (pezullimin, më falni zoti Basha), pezullimin nga Grupi Parlamentar i PD-së?

Enver Bytyçi:  Kriza në PD nuk është një krizë që ka ardhur nga Amerika. Nuk është një krizë që ka ardhur nga jashtë. Është një krizë e brendshme, është krizë politike dhe para së gjithash është krizë besimi. Ose mosbesimi.  Kriza e mosbesimit krijohet nga vendimet e gabuara të lidershipit, nga mosmbajtja e premtimeve të lidershipit.

Flavio: A mendoni se baza e PD-së, qytetarët, kanë qenë më dyshues se zoti Berisha, për zotin Basha? Më herët?

Enver Bytyçi: Unë besoj se katërvjeçarin e parë, baza ka qenë më dyshuese se zoti Berisha. Në katërvjeçarin e dytë unë mendoj se zoti Berisha ka qenë dyshues, por nuk ka vepruar publikisht dhe për pasojë gjërat janë zhvilluar në këtë mënyrë. Zoti Berisha, ka heshtur në katër vitet e fundit, sepse në katër vitet e fundit ai ka qenë i informuar plotësisht dhe i bindur që lidershipi i Bashës po shkon në një rrugë të gabuar. Megjithatë ai heshti deri në momentin e fundit. Heshtja ka arsyet e saj për të cilat zoti Berisha vazhdimisht po jep shpjegimet e veta në Foltoret kudo nëpër qarqet e vendit dhe ajo që më bën përshtypje në to ka të bëjë me faktin se Foltoret janë vërtet një debat demokratik i jashtëzakonshëm dhe i mirëfilltë.

Para 3-4 vitesh kam qenë në një takim në “Tirana International Hotel” ku folës kryesor ishte zoti Basha dhe një deputet gjerman. E kërkova fjalën për të bërë një pyetje dhe vajza që mbante mikrofonin më tha: “Çfarë pyetjeje do të bësh?!”

Në Foltoret që shoh sot nuk ka censurë. Nuk ka aspak mënjanim të atyre që atyre që duan të kritikojnë qoftë dhe zotin Berisha për indiferencën apo për përgjegjësitë e tij në këtë proces, në të gjitha këto fenomene që kanë ndodhur në PD-në, prandaj unë them që është e detyrueshme që Foltoret të shihen si një aktivitet i zhvillimit të demokracisë. Ajo që dua të them për folësit apo kundërshtarët e zotit Berisha, të cilët e kondicionojnë reformimin e PD-së me moshën e personave, përkatësisht të zotit Berisha, dua të them se zoti Berisha po promovon demokraci shumë më tepër se brezat më të rinj pas tij. Do të thotë që ai është sot në një moshë pjekurie të jashtëzakonshme demokratike dhe është bërë me Foltoret, modeli dhe shkolla e demokracisë për politikën shqiptare, jo vetëm për Partinë Demokratike.

Prandaj dhe duhet parë me optimizëm kjo lëvizje e zotit Berisha, prandaj dhe duhet vlerësuar shumë si një lëvizje që e emancipon jo vetëm PD-në, por emancipon gjithë shoqërinë shqiptare. Unë mendoj se rritja e kredibilitetit e zotit Berisha në opinionin publik vjen pikërisht për këtë arsye, sepse nuk ka tutelë, nuk ka dhunë verbale, nuk ka censurë dhe është gjithçka e hapur në diskutime, në debate dhe gjithë të tjerat.

Madje zoti Berisha ka bërë thirrje që edhe vetë zoti Basha ose kundërshtarët e tij të marrin pjesë në Foltore dhe të zhvillohet një debat konstruktiv midis dy palëve, por pala tjetër ka refuzuar që të marrë pjesë. Në fakt krizat nuk mund të zgjidhen kështu. Kriza, derisa është krizë politike dhe mosbesimi...”

Dori: Kemi parë gjatë këtyre javëve, Foltoret në qytete të ndryshme, përballjet me publikun, me mbështetës të PD-së, me inatçorë të PD-së, me njërëz të gjithfarë lloji, që kanë pasur dialogun e tyre me z. Berisha. E gjithë kjo situatë, e gjithë kjo përvojë, a ka arritur në një momentum për të bërë ndryshimet që priten në Kuvendin e Partisë Demokratike? Si mendoni se do të shkojë pjesa më tej, pas Foltoreve?

Enver Bytyçi: Së paku, në PD kanë filluar të pranojnë gjerësisht që ka krizë. Kjo është faza e parë. Faza e dytë është diskutimi i problemeve që ka shkaktuar, shkaqet dhe problemet që ka shkaktuar kriza. Edhe kjo po bëhet nëpërmjet Foltores. Faza e tretë është faza e kompromisit. Nëse do të kemi një kompromis apo jo, është e diskutueshme. Në përgjithësi, liderët autoritarë dhe arrogantë nuk janë të gatshëm për kompromise, por ata duhet ta dinë që krizat zgjidhen nëpërmjet kompromiseve. Krizat zgjidhen nëpërmjet metodave demokratike. Nuk mund të zgjidhet kriza me deklarime të tilla që “unë mbështetem nga 97% e demokratëve” apo “unë nuk marrë vendime kundër Amerikës”!!! Janë stereotipe të liderëve arrogantë dhe autoritarë të tilla deklarime dhe nuk janë natyrë e politikanëve dhe liderëve demokratë, që gjykojnë me mendje të ftohtë dhe besojnë në demokracinë e partisë në rastin konkret, por në demokracinë dhe parimet demokratike në përgjithësi.

Unë mendoj se jashtë parimeve dhe rregullave demokratike nuk ka zgjidhej të krizës në PD. Ai që përpiqet, në rastin konkret z. Basha, të pengojë zgjidhjen nëpërmjet metodave demokratike, domethënë forumeve dhe anëtarësisë së PD-së, ai do të jetë përgjegjës për shkatërrimin e PD-së nëse do të arrihet të shkatërrohet. Por unë mendoj dhe besoj se Foltoret e tanishme, Partinë Demokratike jo që nuk do ta shkatërrojnë, por do ta forcojnë shumë më tepër seç ka qenë më parë.

Ndiqni intervistën e plotë me z. Bytyçi në “Kafe Shqeto”/ar.sh/SYRI.NET 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco