VIDEO-PLUG/ Maloku-Qefalia si shokët ‘5D’ të Erion Veliajt

21:41, 15/05/2024
A+ Aa A-
Redaksia e Plug

Në vitin 2010, Arben Makoku themelon kompaninë ARB & Trans 2010. Nën administrimin e tij, kompania nuk shfaq ndonjë rezultat mbresëlënës në vitet e para. Xhiro e kompanisë është rreth 300 mijë euro.

Në vitin 2015, Erion Veliaj me zgjedhjen kryetar bashkie, vendos ta shpërblejë Arben Malokun duke e emëruar në krye të Njësisë Administrative Zall Herr. Deri në vitin 2018, Arben Maloku do të vijojë të mbajë dy funksione: atë të zyrtarit shtetëror, por dhe atë të administratorit në kompaninë ARB Trans.

Arben Maloku duket se mësoi skemat e shokëve të tij të kompanisë 5D dhe në 9 prill të vitit 2018, shet aksionet e kompanisë së tij tek shtetasi Fatmir Firi për vlerën e 1 mijë eurove. Arben Maloku vendosi kësisoj të përdorte si presta nome… vjehrrin e tij.

Pas këtij momenti, kompania fillon të lulëzojë duke arritur një xhiro mbi 7 milionë euro për vitin 2022. Sipas të dhënave të Open Data, kompania e Arben Malokut për pesë vite, nga 2018 në 2023, ka përfituar 55 tendera publikë në vlerën 3.9 miliardë lekë në total, apo rreth 38 milionë euro. Nga 55 tenderat e fituar, 36 janë marrë nga kolegët 5D të Ujësjellës Kanalizime Tiranë,, 11 nga shefi i tij Erion Veliaj, 5 nga bashkia Kamëz, 1 nga bashkia Kurbin dhe 2 nga OSSH.

Në datën 1 shkurt 2021, sipas të dhënave në ekstraktin e QKB, kompania e Arben Malokut regjistron adresën sekondare në rrugën Myslym Shyri.

Erion Veliaj, sapo i kishte miratuar një leje ndërtimi.

Në vitin 2022, në një shoë mediatik, Ministri i Brendshëm në atë kohë Bledi Çuci dhe drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici njoftuan publikun e gjerë se një pallat gjigand, në një ndër zonat më të shtrenjta të Tiranës, ishte sekuestruar pasi kishte ndërtuar pa leje 2700 m2.

Aso kohe Blendi Çuçi, nuk i njoftoi publikisht shqiptarët se ai Pallat në fakt ishte i një zyrtari të bashkisë së Tiranës. Pak ditë përpara se të bëhej publik ky skandal, në datën 9 shkurt, Arben Maloku ishte larguar dhe nga detyra e administratorit të njësisë Zall Herr.

Emisioni Plug në lidhje me procedurat e ndjekura nga IKMT nga KKT-ja, i është drejtuar me një kërkesë për informacion këtyre dy institucioneve.

Në përgjigjen e datës 9 prill 2024, Agjencia e Zhvillimit të Territorit sqaron se:

Për sa i përket pyetjes suaj në lidhje me kriteret e vlerësimit të akteve të sjella nga IKMT dhe IMT për objektet e konfiskuara ju bëjmë me dije se bazuar në Kreun III ‘Përgjegjësitë dhe detyrat e agjencisë’, të VKM-së Nr. 725, datë 02.09.2015 ‘Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit’, (i ndryshuar), nuk është në juridiksionin e institucionit tonë verifikimi i ligjshmërisë së akteve që depozitohen nga institucionet e tjera të cilat bashkërendojnë punën me AZHT-në po ashtu edhe dokumentacionit të depozituar nga subjektet zhvillues për aq kohë sa këto akte janë të lëshuara dhe konfirmuara nga institucionet kompetente në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për sa i përket kushteve dhe kritereve të administrimit, shqyrtimit të dokumentacionit të aplikimit dhe më pas miratimit të lejeve të zhvillimit/ndërtimit, ky proces bazohet në dispozitat ligjore të parashikuara në Ligjin 66/2023 ‘Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes public apo strehimin social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara’ po ashtu dhe VKM -së Nr. 197 datë 03.04.2024 ‘Për miratimin e rregullave dhe të procedurave për pajisjen me leje zhvillimi, ndërtimi dhe certifikatë përdorimi për objektet e konfiskuara apo të transferuara në favor të shtetit me kontatë premtim shitje, me vlerë 1 euro’.

Pra, AZHT na konfirmon se aktet ligjore për evidentimin dhe konfiskimin e ndërtimeve pa leje janë sjellë nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Emisioni Plug, iu drejtua IKMT-s me një kërkesë për informacion në datën 20 mars 2024 për këto të dhëna:

1- Te gjitha propozimet e IKMT drejtuar KKT bazuar ne këtë VKM.

 2- Sa nga këto shkelje janë konstatuar nga institucioni juaj dhe sa nga IMT vendore.

3- Sa nga këto subjekte janë përsëritës te kësaj vepre penale.

4- Sa kallëzime ka bere institucioni juaj për këtë vepër dhe për cilat subjekte.

Në datën 9 prill, IKMT përgjigjet si më poshtë vijon:

Lidhur me rolin e IKMT në fushën e veprimtarisë që rregullon VKM Nr. 589, datë 07.09.2022 ‘Për rregullat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi’ parashtrojmë si më poshtë: IKMT referuar VKM-së Nr 893, datë 04.11.2015 ‘Për organizimin dhe funksionimin e inspektoratit kombëtar të mbrojtjes së territorit’, ndër të tjera, ka të sanksionuar si mision e fushë të veprimtarisë së saj ruajtjen dhe sigurinë e territorit dhe të ndërtimeve, ndërsa pjesë e sanksioneve të shkeljeve në këtë aspekt është parashikuar dhe konfiskimi, rol për të cilin ngarkohemi në reference të:

- Pikës 6 të VKM-së Nr. 589, datë 07.09.2022 ‘Për rregullat dhe për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi, ku është sanksionuar se Procedura e konfiskimit për interes publik sipas këtij vendimi fillon me propozimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, në vijim të inspektimeve periodike të kryera kryesisht apo pas marrjes së njoftimit nga IMT-ja

 - Ndërsa në pikën 8 të kësaj VKM-je sanksionohet se IKMT-ja përcjell dokumentacionin e parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, e cila e administron në cilësinë e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dokumentacionin e sipërcituar dhe kryen përgatitjet për shqyrtimin e propozimit nga ana e KKT-së.

1. IKMT nga Muaji Shtator 2022 e në vijim ka konstatuar e dokumentuar 25 raste ndërtimesh për qëllim fitimi të cilat tejkalojnë masën 2% të sipërfaqes totale me leje - të cilat janë përfshire në procedurat e konfiskimit sipas VKM Nr. 589, datë 07.09.2022, nga të cilat

24 raste janë punime në tejkalim të dokumentacionit të miratuar (leja e ndërtimit) 1 rast është objekt pa leje ndërtimi dhe pa dokumentacion të miratuar nga organet kompetente. Për të cilat që në momentin e konstatimit, krahas aktit ku evidetohet konstatimi është nxjerrë dhe urdhëri i pezullimit të punimeve-duke ju komunikuar rregullisht subjektit ndërtues.

2. Për secilin prej këtyre rasteve, nga ana e IKMT janë mbajtur e hartuar procesverbalet e konstatimit duke u pasqyruar gjendja e saktë e objektit të konstatuar, matjet, sipërfaqja e plotë dhe ajo në tejkalim të lejes së ndërtimit si dhe përqindja e tejkalimit duke vijuar më pas me propozimin për konfiskim. Ndërsa nga ana e IMT-ve në atë periudhë nuk rezulton të ketë pasur propozim për inicimin e procesit të konfiskimit.

3. 3. 3. Lidhur me pikën 3, nuk kemi informacion lidhur me përsëritjen e vepres penale.

4. Lidhur me rastet e kallëzimeve dhe fillimit të procedimit penal, evidentojmë se për rastet në fjalë nga ana e IKMT nuk është bërë kallëzim penal me shkrim, pasi veprimtaria e mësipërme për ekzekutimin e vendimeve të konfiskimit është kryer në bashkëveprim me Policinë e Shtetit dhe këto raste janë referuar në prokurori nga policia.

Gjithashtu IKMT u pyet nëse këto subjekte janë gjobitur dhe hequr licenca sipas parashikimeve ligjore.

Sinkron PLUG

Ligji Nr. 107/2014, ne nenin 52 pika 5 parashikon ‘Për shkeljet e kryera nga subjekti ndërtues, projektuesi, mbikëqyrësi dhe kolaudatori, strukturat e kontrollit paraqesin menjëherë kërkesën për heqjen e licencës. Autoritetet përkatëse janë të detyruar të marrin vendim për heqjen e licencës brenda pesë ditëve. Subjekti, të cilit i është hequr licenca, nuk mund të pajiset më me të njëjtën licencë për 5 vitet në vijim’. kërkesat për heqjen e licencës se subjekteve objekt i VKM 589.

Në përgjigjen e saj IKMT sqaron se:

Në kushtet dhe rrethanat e mësipërme, pavarësisht se ndaj këtyre objekteve të konstatuara të ndërtimit në paligjshmëri është aplikuar masa e konfiskimit, këto masa nuk mund përjashtojnë nga përgjegjësia ligjore e administrative edhe mbikëqyrësin e këtyre projekteve. IKMT ka nisur e ka vijuar me procedimin administrativ në referencë të ligjit 8402/1998 'për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit' për subjektet mbikëqyrëse duke i adresuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me propozimin për masë administrative ndaj subjekteve të konstatuara në shkelje të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

Emisioni Plug iu drejtua serish IKMT-s për t`I vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin shkresor në lidhje me këto subjekte, por ende sot, pas më shumë se një muaji nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Sipas përcaktimeve ligjore kompanitë të cilat konstatohen në shkelje të ligjit dhe kanë ndërtuar pjesërisht apo tërësisht pa leje, janë të detyruara të paguajnë jo vetëm gjobën dhe detyrimin për m2, por edhe të kallëzohen penalisht. Madje kompanisë, supervizorit dhe inxhinierëve u hiqet licenca për 5 vite. E për pasojë këto kompani nuk mund të marrin leje të re ndërtimi.

KKT-ja, me një vendim të datës 19 tetor 2022 vendos në pikën 10 të tij për konfiskimin për interesin publik të objektit ‘godinë banimi dhe shërbime 4,5,9 kate me dy kate parkim nën tokë, me vendndodhje në rrugën Myslym Shyri, Bashkia Tiranë, me zhvillues shoqërinë ARB-TRANS 2010 shpk.’

Vendim të cilin kompania e ka dërguar në gjykatë. Nëse ligji do të ishte i barabartë për të gjithë, kjo kompani pas kësaj date nuk do të duhej të merrte më leje ndërtimi, pasi licencat mund të revokoheshin vetëm pas pesë viteve.

Por nuk ndodh kështu. Pas kësaj date, ARB&TRANS-it 2010 në bashkëpunim me kompaninë ‘USLUGA’ të familjes së Sadri Abazit, në datën 18/10/2023, fiks një vit më vonë po nga KKT-ja me firmën e Edi Ramës i miratohet leje ndërtimi.

Pika 13 e vendimit:

Leje zhvillimi për objektin ‘qendra e kongreseve, godinë banimi dhe godinë hotelerie me vendndodhje në rrugën Bulevardi i Ri bashkia Tiranë me subjekt zhvillues shoqëritë: USLUGA dhe ARB&TRANS 2013’.

Pra shteti i Edi Ramës, pasi konfiskoi me bujë pallatin në rrugën Myslym Shyri, pallat i cili ka përfunduar jo në regjistrat e shtetit, por në regjistrat e Drejtësisë së Re, shpërbleu ndërtuesin e tij Arben Maloku dhe biznesmenin Sadri Abazi me një leje ndërtimi gjigante në Bulevardin e Ri.

AZHT-ja e pyetur nga ne, nëse i ka dhënë leje të tjera ndërtimi subjekteve të gjetura në shkelje flagrante të ligjit, refuzoi të jepte shpjegime, por thjesht na orientoi të hulumtonin vendimet e KKT.

Sinkron AZHT

Gjithashtu në lidhje me pyetjen tuaj nëse këta subjekte kanë marrë leje zhvillimi/ndërtimi pranë institucionit tonë, ju bëjmë me dije se pas administrimit, shqyrtimit të aplikimit dhe marrjes së vendimit, të gjithë vendimet e KKT-së publikohen dhe janë të aksesueshme nga kushdo në adresën zyrtare të http://www.azht.gov.al, në rubrikën ‘Vendime KKT’ ku ju mund të merrni cdo informacion si dhe hartën e planvendosjes e cila shoqëron vendimet.

Por shpërblimet për shtabin elektoral të Erion Veliajt nuk përfundojnë këtu. Pas tetorit të vitit 2023, kur Rama miratoi lejen e ndërtimit për Malokun dhe Abazin, në mars të vitit 2024 do të ishte Rakip Suli që do të miratonte një tjetër leje ndërtimi po për këtë kompani.

Sipas ekstraktit në QKB, kompania ARB&TRANS regjistron adresën dytësore si më poshtë vijon: Godinë banimi dhe shërbimi 5 dhe 7 kate me një kat nën tokë, bashkia Kamëz.

Në vitin 2021, Fatmir Firi largohet si aksioner i kompanisë, duke ia dhuruar aksionet Shyqri Malokut, babait të Arben Malokut. Largimi i Fatmir Firit nga kompania Arb&Trans erdhi pasi më herët në vitin 2019 ai u arrestua nga policia së bashku me dhjetëra biznesmenë të tjerë, si i përfshirë në skemën e mashtrimit me rimbursimin e TVSH-s, që shkonte në vlerën e 4 milionë eurove.

Për atë skemë Fatmir Firi u dënua me disa ditë burg, pasi kompania e drejtuar prej tij, Arb & Trans kishte mashtruar shtetin me TVSH.

Shihet fare qartë se shtabi elektoral i Erion Veliajt është i gjithi i zhytur në korrupsion. Bashkia Tiranë ka vendosur që taksat e qytetarëve të shpërblejnë drejtorët e korruptuar dhe blerjen e votave. Arben Maloku, në harkun kohor të 5 viteve nga viti 2018 deri në vitin 2023, sipas të dhënave të mbledhura deri më tani nga emisioni Plug ka përfituar: Tre leje ndërtimi, miliona euro tendera nga fondi i rindërtimit, 36 tendera me vlerë 1,640,514,822 apo rreth 16 milionë euro nga UKT, 11 tendera nga Bashkia Tiranë me vlerë 1,805,878,151 lekë apo rreth 18 milionë euro. Ministrja Belinda Balluku nuk ka revokuar licensat e këtij zyrtari të korruptuar në shkelje ligji. Pas këtij emisioni të gjitha këto të dhëna do t`i përcillen SPAK.

Në morinë e këtyre tenderave, spikasin të paktën dy tendera, që kjo kompani ka marrë nga ujësjellës kanalizime Tiranë vlera e të cilëve shkon disa milionë euro.

Tenderi i parë është ai me objekt: Rikonceptimi i skemës se furnizimit me ujë ne zonën e Qesarakes fituar nga ‘Everest’ sh.p.k & ‘Arbtrans -2010 sh.p.k & ‘Kronos Konstruksion’ sh.p.k me vlerë 127,323,491 apo rreth 1.2 milionë euro.

Tenderi tjetër me vlerë të majme është ai me objekt: Ndërtim linje trasmetimi nga puseta Yzberisht deri në depon Katund, Katund i Ri: Ndërtim linje transmetimi nga puseta Yzberisht deri në depon Qytet Nxënësve fituar nga KUPA SHPK &STERKAJ SHPK & ARB & TRANS-2010 SHPK & LIQENI VII SHA 381,811,507 lekë apo rreth 3.8 milionë euro.

Bujarë me Arb&TRANS nuk janë treguar vetëm shokët drejtorë të 5D, por edhe vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, që i ka dhënë kësaj kompanie, së paku 11 tendera.

Shoqëria e Arben Malokut ka përfituar tendera nga programi i Rindërtimit, disa me vlerë që shkojnë deri në disa milionë euro.

Të tillë janë: 2. Objekti i minikonkursit: Ndërtim i Shkollës 9- Vjeçare ‘Murat Toptani’ (Programi i Rindërtimit) ‘Everest’ sh.p.k & ‘Arbtrans -2010 sh.p.k & ‘Kronos Konstruksion’ sh.p. k 180.549.814 lekë apo rreth 1.8 milionë euro.  

Tenderi me objekt:

3. ‘Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 3 në zonën zhvillimore ‘Kombinat’’ (Programi i Rindertimit) Lidhur Kontrata ’Kronos Konstruksion’ shpk & ‘Everest’ shpk & ‘Arb&Trans-2010’ shpk 441,923,450 lekë apo rreth 4.4 milionë euro.

Tenderi me vlerë 1. ‘Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 1 (Seksioni A) në zonën zhvillimore ‘Kombinat’ (Programi i Rindertimit)  Lidhur Kontrata ‘Kronos Konstruksion’ shpk & ‘Everest’ shpk & ‘Arb&Trans-2010’ shpk 447,411,386 lekë apo rreth 4.4 milionë euro.

Nuk mungon dhe një tender i majmë për zonën e tij elektorale, Zall Herrin. Po në kuadër të rindërtimit, VEliaj i ka dhënë Arben Malokut tenderin me objekt: ‘Ndërtimi i infrastrukturës publike në zonën e Zall Herrit’ ‘Klajger Konstruksion’Shpk & ‘Rafaelo 2002’Sha & ‘Arb&Trans-2010’Shpk 161,000,350 lekë apo rreth 1.6 milionë euro.

RIKTHIM TE QEFALIAT

Disa programe më parë, Plug informoi se përfitues të tenderave nga bashkia e Tiranës ishin edhe familjarët e Kujtim Qefalisë, i cili, mban funksionin e Administratorit të njësisë administrative Dajt.

E risjellim dhe njeherë në vëmendjen tuaj

ARSONA VASILI HOXHAJ Specialiste e Lartë në Shërbimet Sociale në Bashkinë e Tiranës. Arsona, teksa është punonjëse e shtetit, rezulton gjithashtu se është zotëruese e shoqërisë ISEC SHPK, të cilën ja kanë dhuruar prej datës 3 korrik 2015. Sipas të dhënave, kjo shoqëri rezulton se ka përfituar të paktën 12 tendera publikë.

Nga të dhënat e OPEN DATA, ISEC shpk, e Arsona Hoxhës, nga bashkia e Tiranës, si operator i vetëm ekonomik, ka përfituar gjashtë tendera publikë, vlera e të cilëve shkon në rreth 137 mijë euro.

Tenderat e tjerë, kjo shoqëri i ka fituar nga institucione si: KESH, Albpetrol, OSSH etj.

Për llogari të shoqërisë së Arsona Vasilit, deri më tani janë disbursuar nga buxheti i shtetit, rreth 660 mijë euro pagesa, për tenderat publikë që ajo ka fituar.

Një nga tenderat e majmë, që kjo kompani ka përfituar, është ai i datës 3 gusht 2022. Në atë kohë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, e drejtuar nga Ergys Verdho, vendosi të zhvillojë një tender me objekt: sistemi satelitor i parashikimit meteorologjik.

Tenderi u përfol në media si abuziv, për shkak se po në atë kohë, qeveria njoftonte se do të lëshonte dy satelitë në hapësirë. Tenderi për satelitët e Ergys Verdhos që iu dha kompanisë ISEC ishte në vlerën e rreth 1.5 milionë eurove.

Jo vetëm shoqëria ‘ISEC shpk’, në pronësi të vetë vartëses së Erion Veliajt, por kliente e bashkisë së Tiranës, është dhe kompania e vëllait të Arsona Vasilit, Aleksandri Vasili.

Ky i fundit, Aleksandri, lidhjen nepotike me bashkinë e Tiranës, e ka edhe më të fortë. Veç motrës që punon në bashki si specialiste, Aleksandri Vasili, rezulton se është dhëndër i Kujtim Qefalisë, Administratorit të Njësisë Administrative Dajt, njëherazi vëllai i deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Kujtim Qefali ka qenë kryetar i komunës Dajt nën siglën e Partisë Socialiste nga viti 2007 deri në vitin 2015. Gjatë kësaj periudhe, zona e Dajtit, deri në Fresk, iu nënshtruar një abuzimi urban, me ndërtime pa kriter dhe pa plan urbanistik, duke e kthyer shumë shpejt këtë zonë në një ndër më të betonuarat në kryeqytet.

Vëllezërit Kujtim dhe Xhemal Qefalia, janë gjithashtu ndër bashkëpunëtorët e afërt të Erion Veliajt pas vitit 2015 në bashkinë e Tiranës.

Aleksandër Vasili, është ortaku i vetëm i kompanisë ‘Al Point’ shpk. Kjo kompani është themeluar kur Aleksandër Vasili ishte vetëm 25 vjeç.

Kompania Al-Point shpk, është themeluar në 3 gusht të vitit 2010. Nga themelimi e deri më sot, kjo shoqëri ka pasur një ecuri kontradiktore. Në mbi 10 raste, ndaj kompanisë ‘AL-Point’, është vendosur masë sekuestro, herë nga Drejtoria e Tatimeve dhe herë nga përmbarues privat.

Nga një vëzhgim mbi bilancet financiare të shoqërisë, vihet re se nga viti 2010 e deri në vitin 2016, ka pasur vazhdimisht humbje.

Mirëpo në të njëjtën periudhë, kur Kujtim Qefalia, vjehrri i tij ishte kryetar i komunës së Dajtit, kompania e Aleksandri Vasilit përfitoi tre leje ndërtimi.

Njëra e datës 10 tetor 2011, për ndërtimin e një godine banimi pesë katëshe pranë shkollës 9 vjeçare Qesarakë dhe tjetra e datës 14 nëntor 2011 godinë shtatë kate pranë restorant Freskut.

Në datën 25 maj 2012, kjo shoqëri përfiton edhe një tjetër leje ndërtimi për godinë banimi pesë kate në Shkozë.

Pas vitit 2016, shoqëria ‘Al-Point’ e Aleksandri Vasilit, raporton rritje të fitimeve, të cilat kulmojnë me vitin elektoral 2021, ku kjo shoqëri deklaron një fitim prej rreth 450 mijë eurosh dhe xhiro rreth 6.6 milionë euro.

Midis viteve 2020-2021, kompania Al-Point e Aleksandri Vasilit, dhëndrit të Kujtim Qefalisë dhe vëllait të Arsona Hoxhës, të dy vartës të Erion Veliajt, përfiton dy leje ndërtimi për pallate, si dhe tenderin nga programi i rindërtimit për ndërtimin e një pallati tek lagja 5 Maj.

Në datën 7 dhjetor 2020, Al-Point regjistron në QKB adresën dytësore për ndërtimin e një objekti dhe shërbimi me 2.6 dhe 7 kate me 2 dhe 3 kate parkimi nën tokë te rruga e Dibrës.

Tre muaj më vonë, në datën 11 mars 2021, kjo shoqëri regjistron adresën dytsore për ndërtimin Godinë Banimi dhe shërbimi 1.6 dhe 7 kate me dy kate parkimi nën tokë. (ku)

Në të njëjtin muaj, pra në datën 24 mars 2021, kjo shoqëri regjistron edhe adresën e ndërtimit të ‘godinë banimi’ 5 dhe 1 kat nëntokë, tek lagja 5 maji.

Kjo është godina e tenderit prej 4.8 milionë eurosh nga programi i rindërtimit dhënë nga Bashkia e Tiranës me firmën e Erion Veliaj. Këtë tender shoqëria ‘Al-Point’ E Aleksandër Vasilit e mori në datën 26 nëntor 2020, fiks një vit pas rënies së tërmetit të nëntorit 2019.

Sipas të dhënave të tenderit, kompania e Alkesandër Vasilit, dhëndrit të Kujtim Qefalisë, do të duhet të ndërtonte një pallat për banorët e prekur nga tërmeti në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë.

Në datën 26 nëntor 2020, Al-Point, përfiton së bashku me një tjetër kompani, tenderin me objekt ‘Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 19 në zonën zhvillimore ‘5 Maji’.

Aleksandër Vasili u bë i njohur për publikun në vitin 2020, kur ai u shoqërua në polici për vrasjen e Santiago Malkos. Nga hetimet rezultoi se Aleksandër Vasili u kishte dhënë një restorant dhe një mjet tip blind në përdorim vëllezërve Duka, të cilët u dyshuan se fshiheshin pas ngjarjes së rëndë.

Aleksandër Vasili u shoqërua në polici për këtë rast, teksa pranoi se kishte njohje dhe u kishte dhënë vëllezërve Duka një mjet blind në përdorim. Por ndaj tij nuk pati më asnjë hetim, teksa duket se edhe në këtë rast politika ka qenë mburojë.

Kujtim Qefalia nuk njihet vetëm si vëllai i deputeti të PS Xhemal Qefalia, por mban rekord edhe për betonizimin e Njësisë Administrative Dajt. Sipas CV-së të bërë publike Kujtim Qefalia deri në vitin 2007 ka qenë biznesmen, vit në të cilin pasi u diplomua si jurist pranë universitetit famoz Kristal, vendosi të merrej me politikë, ku zgjidhet kryetar i komunës Dajt. Detyrë të cilën e mban ende sot, pasi në vitin 2015 me ndryshimet e reja ligjore emërohet nga Erion Veliaj si kryetar i Njësisë Administrative Dajt.

Familja Qefalia ka shumë anëtarë të cilët i shërbejnë me devotshmëri administratës publike.

Xhemal Qefalia, Deputet,

Bashkëshortja e Xhemalit, shefe në Ministrinë e Brendshme

Kujtim Qefalia Administrator i Zonës së Dajtit.

Rigers Kujtim Qefalia inspektor në AKU

Migena Vasili, kunata e Vajzës së Kujtimit, Shefe në bashkinë Tiranë

Aqif Qefalia, vëllai i Xhemalit, OSSH

Albana Qefalia, nusja e djalit të Aqifit, punon në prefekturën e Tiranës

Aurel Qeflia, djali i Aqifit, punon në doganën e Pogradecit.

Por t`i rikthehemi investigimit tonë.

Në vitin 1999, Kujtim Qefalia themelon kompaninë ‘Qefalia’ Shpk. Në vitin 2004, kjo kompani ndryshon emrin dhe quhet ‘Vllaznia’. Pa zgjedhjes së tij si kryetar komune, Kujtim Qefalia kompania i kalon shtetasit Ylber Osman Kalaja.

Sigurisht me firmën e Kujtim Qefalisë si kryetar komune fillon dhe biznesi i ndërtimit për këtë kompani. Sipas ekstraktit të QKB-s, në korrik të vitit 2010, kompania regjistron dy adresa dytësore.

Meqenëse shoqëria Vllaznia sipas vendimit Nr.25. dat 25.6.2010, e ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në ndërtim apartamente banimi dhe shërbimi, kërkon që të na hapen dy nipte sekondare.

1- Një nipt në adresën: ‘Godinë banimi dhe shërbime 5 kate + 1 kat nën tokë + papafingo në Qesarakë’.

2- Një nipt në adresën: ‘’Objekt shërbimesh, dy kate bar dhe restorant në Priskë të madhe Tiranë.

Në shkurt të vitit 2011 shoqëria Vllaznia regjistron një tjetër adresë dytësore për ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimesh + nënçati +plus dy kate bodrum në komunën Dajt.

Në shkurt të vitit 2013 merr një tjetër leje ndërtimi po në lagjen Qesarakë fshati Linzë më firmën e Kujtim Qefalisë.

Në dhjetor të vitit 2014 kompania vendos të përthithë dy kompani të tjera, kompania ‘DESART’ në Pronësi të Ylber Kalasë dhe kompania ‘ORTAKU’ në pronësi të Aqif Qefalisë.

Nga kjo përthithje, Aqif Qefalia përfiton 1% të aksioneve, aksione të cilat pak muaj më vonë, në gusht të vitit 2015, ia dhuron Ylber Kalasë. Tashmë 100% aksioner i kësaj kompanie është shtetasi Ylber Kalaja.

Në vitin 2016, administrator i kompanisë emërohet Lulzim Qefalia. Dhe emri i kompanisë ndryshon sërish, për t`u bërë ‘Dajti park 2007’, një emër kuptimplotë për Kujtim Qefalinë, pasi ishte dhe viti kur filloi të betonizonte Parkun e Dajtit.

Në 19 dhjetor të vitit 2018, në një gjest të vërtet bamirësie Ylber Kalaja vendos t’i dhurojë 50% të aksioneve të kompanisë Dajti Park djalit të tij Desart Kalaja, dhe 50% vëllait të Kujtim Qefalisë, Lulzim Qefalia. Aksione të cilat në atë kohë vlenin mbi 1.7 milionë euro. Nëse hulumton më shumë për emrin e Ylber Kalasë dhe arsyet e dhurimit, zbulojmë se ky shtetas dhe kompania Dajti Park, janë dënuar për korrupsion në bashkëpunim me disa biznesmenë të tjerë dhe funksionarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në korrik të vitit 2018.

Ylber Kalaja rezulton se ka qenë i vetmi nga biznesmenët që u dënua me 2 vite e 6 muaj burg me kusht, ndërsa kompania nuk u dënua duke vijuar lirisht të përfitojë fonde dhe tendera publikë.

Dhurimi i 50% të kapitalit aksionar për Lulzim Qefalinë vëllain e Kujtim dhe Xhemal Qefalisë është prova për strukturat hetimore se kjo kompani nëpërmjet një presta nome si Ylber Kalaja vazhdon të jetë në pronësi të vëllezërve Qefalia. Kujtim Qefalia ka firmosur disa leje ndërtimi për kompaninë e tij Dajti Park 2007.

Në vijim do të faktojmë se vëllezërit Qefalia janë shpërblyer edhe nga Erion Veliaj e zyrtarë të tjerë me dhjetëra tendera publikë e leje ndërtimi.

Në prill të vitit 2022 kryetari i bashkisë Tiranë, Erion veliaj vendos të shpërblejë vëllezërit Qefalia me një leje ndërtimi për: Godinë banimi 9 dhe 11 kate me 3 kate parkim nën tokë dhe hotel 4-5 dhe 6 kate me 3 kate parkim nën tokë përballë shkollës ‘Sami Frashëri’, një ndër zonat më të shtrenjta të Tiranës.

Jo vetëm leje ndërtimi, por kompania ‘Dajti Park’ e vëllezërve Qefalia, ka pasur akses të konsiderueshëm edhe në tenderat publikë të bashkisë së Tiranës. Vetëm nga bashkia e Tiranës dhe institutcionet në vartësi, kjo shoqëri ka përfituar rreth 30 tendera, vlera e të cilëve shkon në rreth 10 milionë euro.

Nga një vëzhgim i databazes së Open Data Albania, vërehet se Dajti Park ka përfituar tendera në çdo sektor të mundshëm në bashkinë e Tiranës, nga Agjencia e Shërbimeve Funerale, tek shërbimi i furnizimit me ushqim i mencave, ndërtimi i rrugëve dhe infrastrukturës publike e deri te programi i rindërtimit.

Tek programi i Rindërtimit është dhe tenderi me vlerën më të madhe, që ‘Dajti Park’ ka përfituar nga bashkia e Tiranës drejtuar nga Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për tenderin me objekt: ‘Hartim i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 7 (Seksioni C) në zonën zhvillimore ‘Kombinat’’ (Programi i Rindërtimit) vlera e të cilit është rreth 654 467 795 lekë, apo rreth 6.5 milionë euro me tvsh.

Kompania e Qefaliajt ka përfituar tendera të majmë edhe nga qeveria qendrore. Vetëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucione varësie, kjo kompani ka përfituar 9 tendera publike më vlerë rreth 2.5 milionë euro.

Por në krye të kësaj liste, qëndron Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ku përfshihet edhe Drejtoria e Burgjeve. Nga kjo agjenci, kompania Dajti Park ka përfituar 20 tendera, kryesisht shërbime gatimi, vlera e të cilëve në total shkon në rreth 6.9 milionë euro.

Këto janë vetëm disa nga institucionet dhe tenderat publikë që ka përfituar prej tyre, kompania e vëllezërve Qefalia.

Ky është një tjetër rast, ku shërbimet elektorale, duket se janë shpërblyer me nepotizëm e klientelizëm financiar, ku taksat e qytetarëve, ndahen mes një grupi të vogël individësh që i shërbejnë Erion Veliajt dhe Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco