Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

'Vrasësit me liçensë të qytetit'

'Vrasësit me liçensë të qytetit'

Nga Sonila Meço - 04/05/2026
“Edhe aty kullë?”, pyeti me zë të mekur ime bijë mikeshën e familjes që i tregoi se vendin ku mësoi biçikletën  dhe i gëzohet ende argëtimit në natyrë do të duhet ta përshëndesë një herë e mirë. Aty së shpejti do të bëhen kulla 28-katëshe. 

“Po si? Kush? Sa e mundur është?”, pyeste vajza ime me zërin që treste energji pas çdo pikëpyetjeje.

“Aty ka gjelbërim, s’ka makina, s’ka parkim, mund të vraposh dhe luash pa frikë. Ç’patën? A kthehet? Të protestojmë, a bën dot Syri diçka?”, kthehej nga unë thuajse e përlotur, sepse ia njoh lidhjen shpirtërore që krijon me vendet ku ndërton kujtime.

As 24 orë s’kaluan nga trishtimi i saj dhe yni bashkë me të, gjersa na plandosi tragjedia e Durrësit.

Dy engjëj humbën jetën duke luajtur futboll në atë copëz shesh mes makinash të parkuara, ndanë një rruge makinash, mbi betonin e mjerë të një lagjeje fatkeqe. Një tjetër po lufton për të jetuar e Zoti ia lehtësoftë betejën. Nuk kam fjalë ngushëlluese për prindërit e shokët. Nuk kam…

Por s’ka si mos të kem revoltë. 

Lagjet e qyteteve tona janë bërë kurthe të tmerrshme ku nuk hyn dot as polic, as mendje e kthjellët, as durim. Aty ku duhej domosdoshmërisht të qe shteti përpos kulturës qytetare, pushteti ia ka dorëzuar ligjit të xhunglës “rregullin” bashkëjetues.

Njerëz që hakërrehen e mallkojnë sho-shoqin për një vend parkimi, topa fëmijësh nën rrota makinash, shoferë të droguar, kalimtarë të çoroditur hallesh, lagje me kulla pa asnjë distancë higjienike, pa një logjikë e plan urbanizimi që rregullon marrëdhëniet mes përdoruesve të hapësirës publike. Sepse aty ku duhet të ketë trotuar, ka parkim, aty ku duhet të ketë parkim ka kantier ndërtimi, aty ku duhet të ketë park lojërash ka pallat, aty ku duhet të ketë rrugë ka karrige që zënë vend për parkim, aty ku duhet të ketë ndalim qarkullimi ka “licencë” për vrasje me shpejtësi 120 km/h.

Hyni në çdo lagje të Tiranës, e të tjera qyteteve të mbipopulluara. Geto të tmerrshme nga ku veç Zoti të nxjerr pa telashe si të jesh këmbësor e si të jesh vozitës. Shqiptarët vënë bast me koeficient shumë të lartë për jetën sapo nxjerrin këmbën nga shtëpia.
Ndaj tragjedia e Durrësit të shqyen brinjët, sepse është një bast i fituar nga vdekja e mallkuar me koeficient shumë të ulët në një vend ku standardet e jetës janë të negociueshme, ku rrugët nuk garantojnë siguri, ku kantieret nuk mbrohen si duhet, ku hapësira publike është përçudnuar, ajri të vret ngadalë, uji të helmon më shpejt, ushqimet të marrin në qafë, trafiku të nxin jetën, betoni të ze diellin, krimi të mbyll derën. 

E në kulm të dhimbjes, publikimi i pamjeve të tragjedisë është i papranueshëm, skandaloz, i dënueshëm. Cenon dinjitetin, nuk i shton asgjë të vërtetës. Është vrasje gjakftohtë për së dyti, mungesë torturuese empatie. Por nuk mund të zërë gjithë vëmendjen. 
Videoja është shkelje etike.

Por ajo që prodhon tragjedi është shkelje sistemike.

Dhe këtu nuk ka barabitje, 
njëra kërkon përgjegjësi profesionale, tjetra kërkon përgjegjësi publike.

Nëse e gjithë energjia jonë shkon tek dënimi i publikimit, ndërsa kushtet që e bënë të mundur tragjedinë kuturisen në tre ditët e çudisë,
atëherë nuk kemi mbrojtur as dinjitetin e viktimave, as jetën e atyre që rrezikohen nesër.

Sonte kemi natë të gjatë përpara, duke kontrolluar shpesh paqen në gjumin e fëmijëve tanë, kapur në një ndjenjë bashkëfajësie në një tragjedi të paralajmëruar, me “tolerancën” dhe indiferencën tonë ndaj autorëve të vërtetë të saj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco