Rikthimi tek zgjedhjet nuk është një kthim pas, por një hap i domosdoshëm përpara

Rikthimi tek zgjedhjet nuk është një kthim pas, por një hap i domosdoshëm përpara

Nga Ndriçim Kulla - 01/05/2026

Shoh një heshtje, ose të paktën një anashkalim, në raport me batërdinë e pushtetit mbi zgjedhjet e 11 majit. Nuk e kam fjalën vetëm për ndërkombëtarët, por sidomos për opozitën. Ajo ndërtoi një proces të nivelit të lartë profesional, por ai duhet të ishte boshti ku të përqendroheshin të gjitha problemet që opozita trajton në raport me ndërkombëtarët. Zgjedhjet nuk duhen parë thjesht si çështje rotacioni, por si problem i vetë perspektivës së demokracisë. Pikërisht nga perspektiva e zhbërjes së kësaj masakre fillon ndryshimi i vërtetë.

Çështje si ato që lidhen me Ballukun, AKSHI-n dhe të gjitha akrobacitë e një pushteti që ka humbur kufijtë e vet, kanë mbërritur në Bruksel; por të gjitha këto probleme ndriçohen edhe më qartë kur vendosen përballë realitetit të zgjedhjeve të grabitura nga një parti-shtet, të evidentuara edhe nga OSBE-ODIHR.

Balluku, AKSHI, Irena Gjoka dhe raste të tjera të ngjashme nuk janë gjë tjetër veçse produkte të një pushteti të mbështetur mbi 83 mandate të vjedhura. Pushteti i deformuar në burim është thembra e Akilit e të gjitha këtyre plagëve që rëndojnë  sot mbi shoqërinë shqiptare.

Për këtë arsye  kryesore procesi i integrimit që nuk ecën përpara lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet që mbajnë ende në këmbë këtë pushtet. Një pushtet që deformon zgjedhjet, në thelb deformon edhe vetë shoqërinë.

Në këtë kuptim, trajtimi i zgjedhjeve gjithmonë si çështje prioritare nuk është një zgjedhje taktike e opozitës, por një domosdoshmëri strategjike për të rikthyer besimin tek procesi demokratik dhe për të ndërtuar një perspektivë të qëndrueshme për të ardhmen. Çdo problem tjetër , qoftë ai i korrupsionit, i abuzimit me pushtetin apo i deformimit të institucioneve , në thelb lidhet me burimin e legjitimitetit që i prodhojnë ato. Kur ky burim është i kontaminuar, atëherë edhe produktet e tij, pavarësisht formës që marrin, mbartin të njëjtin defekt themelor.

Heshtja relative apo anashkalimi i kësaj çështjeje, si nga faktorët ndërkombëtarë ashtu edhe nga vetë opozita në disa momente, krijon një boshllëk që e dobëson vetë argumentin demokratik. Nëse zgjedhjet nuk vendosen në qendër të diskursit politik të procesit të integrimit , atëherë çdo përpjekje për të denoncuar fenomene të tjera mbetet e fragmentuar dhe e shkëputur nga shkaku që i gjeneron ato. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e vendosjes së zgjedhjeve si “çoku” ku duhet të përplasen të gjitha problemet e tjera: sepse vetëm duke e lidhur çdo devijim me burimin e tij, mund të krijohet një arsyetim  koherente dhe i kuptueshme për opinionin publik dhe për partnerët ndërkombëtarë.

Procesi i ndërtuar nga opozita për dokumentimin dhe evidentimin e problematikave zgjedhore përbën një bazë të rëndësishme profesionale, por ai rrezikon të humbasë peshën e tij nëse nuk shndërrohet në boshtin kryesor të komunikimit politik. Nuk mjafton që faktet të ekzistojnë; ato duhet të artikulohen vazhdimisht, të lidhen me njëra-tjetrën dhe të vendosen në një kontekst më të gjerë që e bën të qartë se nuk kemi të bëjmë me incidente të izoluara, por me një model funksionimi të pushtetit. Në këtë mënyrë, çështje të veçanta, si ato që lidhen me emra apo institucione të caktuara, marrin një kuptim më të plotë kur shihen si produkte të një sistemi që buron nga zgjedhje të kontestuara.

Në këtë analizë, përgjegjësia nuk është e njëanshme. Nga njëra anë, është e qartë se pushteti    vendas mbanë barrën kryesore për mënyrën se si  i organizoi, i  zhvilloi dhe i manipuloi   zgjedhjet. Por nga ana tjetër, njohja dhe pranimi i rezultateve të tyre në arenën ndërkombëtare krijon një dimension tjetër përgjegjësie, që lidhet me standardet dhe parimet mbi të cilat ndërtohet bashkëpunimi me Shqipërinë. Kur këto standarde relativizohen ose trajtohen me fleksibilitet të tepruar, krijohet perceptimi se demokracia mund të funksionojë edhe në forma hibride, ku procedura ekziston, por përmbajtja e saj është e deformuar.

Ky perceptim është veçanërisht i rrezikshëm në kontekstin e integrimit evropian. Procesi i integrimit nuk është thjesht një seri hapash teknikë apo negociatash politike, por një proces transformimi që kërkon përputhje të thellë me parimet demokratike. Nëse zgjedhjet – si themeli i këtij sistemi – janë të kontestuara, atëherë çdo hap tjetër në drejtim të integrimit mbetet i brishtë dhe i diskutueshëm. Në këtë kuptim, ndalimi apo ngadalësimi i negociatave nuk mund të shihet si një vendim i izoluar politik, por si një reflektim i një problemi më të thellë që lidhet me mungesën e besimit tek funksionimi i demokracisë.

Pushteti që buron nga zgjedhje të deformuara mbart në vetvete një dobësi strukturore, pavarësisht forcës numerike që mund të shfaqë në parlament apo në institucione. Kjo dobësi nuk është gjithmonë e dukshme në sipërfaqe, por ajo shfaqet në mënyrën se si merren vendimet, në mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe në mungesën e llogaridhënies. Në këtë kuptim, çdo fenomen i diskutueshëm në jetën publike mund të lexohet si një simptomë e kësaj dobësie fillestare.

Prandaj, rikthimi tek zgjedhjet si çështje prioritare nuk është një kthim pas, por një hap i domosdoshëm përpara. Ai kërkon një qasje të qëndrueshme, të argumentuar dhe të vazhdueshme, ku çdo element i debatit politik lidhet me këtë pikënisje. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtohet një presion i mjaftueshëm, si brenda vendit ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë, për të kërkuar standarde më të larta dhe për të shmangur normalizimin e praktikave që cenojnë demokracinë.

Çështja e zgjedhjeve nuk është thjesht një debat për të shkuarën, por një kusht për të ardhmen. Pa një proces zgjedhor që gëzon besimin e qytetarëve dhe që respekton standardet demokratike, çdo përpjekje për reformë, për zhvillim apo për integrim mbetet ipa realizuar. Pikërisht për këtë arsye, vendosja e zgjedhjeve në qendër të diskursit politik nuk është vetëm një zgjedhje e drejtë, por edhe një domosdoshmëri për të ndërtuar një perspektivë të qëndrueshme dhe të besueshme për Shqipërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco