Nga Andi Bushati - 16:14, 02/04/2026
Në fakt, e vërteta është shumë e thjeshtë. Ajo s’ka të bëjë as me ndjeshmërinë ndaj holokaustit, as me zemërdridhjen ndaj viktimave të një diktature teiste, as me merakun për deztabilizimin e Gjirit persik.
Që kur ka ardhur në pushtet Edi Rama ka pasur vetëm një qëllim, ta përdorë politikën e jashtme si një rezervuar qokash për të tejzgjatur sundimin e vet mbi shqiptarët. Ai e çoi në ekstrem zgjedhjen e Berishës për të mirpritur luftëtarët e opozitës iraniane, duke ngritur në Manzë kampin me 3000 Muxhahedinë të MEK.
Pasojat e këtij vendimi-, servilizmin e skajshëm ndaj Uashingtonit dhe në vitet e fundit, mbështetjen e krahut më radikal të sionizmit-, i kemi parë kohë pas kohe. Gjatë presidencës së parë Trump, ish këshilltari i atëhershëm i sigurisë kombëtare të SHBA-së, John Bolton, foli për “agjentë iranianë që po përgatitnin një sulm terrorist në Shqipëri”. Kjo deklaratë u bë në sfondin e një qëndrimi që kish mbajtur lideri, tashmë i vrarë, Ali Khamenei, duke folur kundër një “vendi djallëzor” që bashkëpunonte me amerikanët dhe tradhëtarët e Iranit, kundër këtij të fundit.
Dy vite më pas, në korrik 2022 erdhën sulmet kibernetike që goditën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë dhe bllokuan gjithë aktivitetin online, me pretendimin se me të njëjtën mënyrë ishin sulmuar iranianët nga kampi i Manzës. Ndonëse qeveria Rama i përzuri menjëherë nga territori ynë diplomatët e Teheranit, sulmet e mëpasme nuk munguan dhe si “Homeland Justice”, si faqe të tjera online e bënë të qartë se kjo qe një hakmarrje ngaqë Tirana mbante të strehuar kundërshtarët e regjimit.
Këtij konfikti të mbartur kohët e fundit i janë shtuar edhe dy elementë të rinj. Së pari, qëndrimi i paprinciptë ndaj masakrës në Gaza, mbrojtja pa kushte e një krimineli lufte si Natanjahu dhe fajësimi vetëm i Hamasit për mbi 80 mijë civilët e shfarosur nga ushtria izraelite. Së dyti, rreshtimi në front të parë të mbështetjes, që një vend liliput si yni, po i jep bombardimeve të pajustifikueshme nga ligji ndërkombëtar, mbi Iranin.
As arsyet morale, as ato pragmatike me të cilat Rama e justifikon këtë zgjedhje, nuk qëndojnë. Askush nuk di të thotë përse Shqipëria duhet të tregohet më katolike se papa në këtë luftë që nuk është e jona. Askush nuk di të tregojë pse ne nuk e kemi linjëzuar qëndrimin tonë me neutralitetin që po demostrojnë vendet më të fuqishme të BE në këtë konfikt. Askush nuk di të shpjegojë, se si mund të merren vendime kaq të forta, pa pyetur për sentimentin fetar të një pjese të qytetarëve të vendit.
Natyrisht, në këtë aventurë, Edi Rama është i inkurajuar si nga tredhja deri në përçudnim e muslimanëve shqiptarë, po aq edhe nga mefshtësia e një opozite, që servilizmin ndaj amerikanëve e flak vetëm kur i preken interesat personale.
Por, pavarësisht prej faktit se autokrati shqiptar e ka nënshtruar këtë shoqëri, kjo nuk e shmang dot thelbin e çështjes: politikën e ndjekur që mëton të na shndërrohet në rrezik. Si lëpirja ndaj amerikanëve, si përpjekja për të depërtuar në oborrin e Trump-it, përmes shkëmbimit të favoreve me lobet çifute, e kanë kthyer Shqipërinë një target të mundshëm të luftës së fundit.
Prandaj tani, kur ambasada e ShBA flet për kërcënim nga Irani, qeveria jonë mundohet ti shfryjë këto paralajmërime duke i etiketuar si “hamendësime”.
Në këtë kontekst, duhet të lutemi që ky rrezik i parajalmëruar edhe më parë, ku na futën pa na pyetur, të ngelet vërtet një hamendësim. Edi Rama po na garanton se asgjë nuk do ndodhë dhe ne s’kemi gjë tjetër në dorë veçse ti besojmë, duke mos dyshuar se ai dëshëron një skenar krejt tjetër, që do i mundësonte para Trumpit dhe Natanjahut, të shitet si viktimë e besnikërisë ndaj tyre./Lapsi.al
© SYRI.net