Kur partia vdes edhe prej teje!

Kur partia vdes edhe prej teje!

Nga Irena Beqiraj - 02/04/2026

Në parti e politikë  njerëzit mësojnë të ndahen , pasi me kalimin e kohës, tensioni midis asaj që ndihet dhe asaj që  mund të flitet, bëhet fusha e vërtetë e gravitetit të partisë. Të shumtët rrotullohet rreth gënjeshtrës, duke pretenduar se ajo është dielli.

Sa më në qendër të tavolinës e afër Kryetarit, aq më pak e vënë re drejtuesit e saj se sallat e mbledhjeve të partisë  mbushen me njerëz, shenja kryesore dalluese e të cilëve është  pamundësia ( kursesi paaftësia)  për të peshuar idetë.  Me burra e gra mendimi i të cilëve rrotullohet vetëm rreth sigurimit të  një vendi në "klubin e të besuarve të  kryetarit". Njerëz të pushtuar nga  emocionet ku emocioni dominues  është frika.  Njerëz "të  braktisur"  njëherë e mirë nga instikti I rebelimit i cili është  themeli i ndërgjegjes së njeriut,  burimi i humanizmit të tij dhe mjeti i evolucionit të tij. Ata pranojnë pa asnjë hezitim që brenda partisë  marrëdhëniet njerëzore të bëhen transaksionale, ku  besnikëria është monedhë edhe mospajtimi  rreziku më i madh.

 Vetëm kur ulen në fund të sallës, e shkarkohen nga pozicionet drejtuese si "Zhukovi në ajër " drejtuesit e lartë të partisë  bëhen të vemendshëm për  "humbjen e shpirtit" , braktisjen e meritokracisë apo ekzistencën  frikës. Por përpjekja për  ta ringjallur debatin përmes bisedës së ndershme,  brenda organizatës përjetohet si agresion, sepse tanimë e vërteta aty brenda  barazohet me kërcënimin.

Pak janë fajtorë, por të gjithë janë përgjegjës. Të gjithë janë përgjegjës që takimet e destinuara për të diskutuar problemet u transformuan në heshtje si shfaqje harmonie,  që kritikat mbi mënyrën sesi gjeni librash a kursantë Harvardi katapuktoheshin në majat e drejtimit të partisë pa qenë asnjë ditë në parti,  lexoheshin si zili e cmirë  ndaj suksesit. Janë përgjegjes për fjalimet me fraza rrethore që tingëllonin të menduara, por që nuk  thonin asgjë fare, për fjalët që  zgjidheshin  jo për të komunikuar, por për të kontrolluar interpretimin.

 E pra të gjithë janë përgjegjes që partia nuk ka me asnjë mekanizëm balance , ku kontributi politik i cili u jepte antarëve të qeverisë ose forumeve drejtuese te partisë një lloj autoriteti apo  autonomie në mendim nga Kryetari nuk ekziston më. Ai është zëvendësuar nga gatishmëria për të marrë përgjegjesi pa patur autoritet politik si forma më e përhapur e skllavërisë moderne.

Kur ulesh në fund të sallës , këmbët të prekin tokën,  sytë e ndërgjegjes edhe mendjes hapen , edhe shikon qartazi se nuk je më pjesë e një organizimi vullnetar politik por e turme pa pikëpamje thelbësore,  e cila është shtylla kurrizore e autokracisë personaliste .

Aty e kupton edhe partia ka vdekur edhe prej teje ...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco