Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Po dhuna ku është!?

Po dhuna ku është!?

Nga Avni Nezaj - 23/03/2026

Opozita në Shqipëri ka disa muaj që proteston rregullisht në Tiranë, kundër qeverisë Rama, korrupsionit të madh dhe grabitjes së votës që qytetarëve.

Në të gjitha mediat është komentuar shumë gjerë e qartë reagimi opozitar.

Dikush e ka miratuar. Dhe këtu hyjnë të gjithë shqiptarët që kanë halle. Që e ndjejnë që shpopullimi po i vë flakën Shqipërisë dhe korrupsioni po e varros demokracinë dhe integrimin

Dikush e ka kundërshtuar duke e quajtur reagimin e opozitës si të pajustifikuar, pasi të vjedhësh paratë e buxhetit është normale. Të vjedhësh votat e shqiptarëve është krejt demokratike.

Tani të dal tek tema që më nxiti të shkruaj këto radhë.

Dhuna!!

Kjo është fjala që qarkullon më së shumti këto kohët e fundit që protesta e opozitës është bërë solide dhe nuk i ngjan me asaj “opozitës ballore” të para pak viteve kur mbi rrogoz qeshej e qahej e nën rrogoz bëhej pazar.

Flitet për dhunë. Dhunë të tmerrshme që paska bërë opozita. Por një dhunë që nuk duket asgjëkund. Nuk ka asnjë polic të dëmtuar pas dhjetra protestave. Nuk ka asnjë objekt të djegur apo dëmtuar pas muajsh protesta. Nuk ka asnjë godinë të djegur apo makina të kthyera përmbys siç ndodh rëndom në Paris, Athinë apo Berlin, kur qytetarët “nxehen” keq me qeverinë.

Pra nuk ka dhunë kurrkund.

U lodha duke kërkuar për akte dhunë. Por nuk më ngjan se është dhunë të hedhës fishekzjarrë. Ne e përjetojmë këtë dhunë çdo ditë të javës, çdo jave të muajit e çdo muaj të vitit në orën 12 të natës. Pra jemi mësuar ne “Tironsat” më këtë soj dhune të “çmendur”.

Ndoshta është dhunë se ndonjë opozitar apo pjesëmarrës në protestë ka shikuar “Vëngërrr” ndonjë polic të veshur rishtas, ose ka shtyrë ndonjë nga ata civilët që punojnë me honorare. Kjo është dhunë??? Nëse është e vërtetë atëherë molotovët nuk janë gjë tjetër veçse sinjali i asaj që do vijë me vonë. Si zjarret që paralajmërojnë pranverën. E që për ne “Pellazgët” është festë. Nëse dikush mundët të më kundërshtojë ta bëjë tani.

Po dhuna ku është. Unë kam parë dhunë. Kur sulmohet lideri i opozitës nga shënjestra e makinave të ujit. Kur shënjestrohen gra e pleq protestues të opozitës nga gazi lotsjellës i skaduar. Kjo është dhunë. Ndoshta edhe helmim. Por që askush nuk heton. S’kanë kohë. I mirëkuptoj skapistët pasi kanë shumë e shumë punë me hajdutët e qeverisë kundër të cilëve po bën “dhunë” opozita dukë marshuar nëpër Tiranë.

Po dhunë nga qytetarët shqiptarë nuk ka patur aspak. Dhe më e keqja për qeveritarët është se edhe mediat ndërkombëtare nuk po shohin dhunë. Se nuk ka. Dhuna ka pasoja. E unë përveç lotëve të opozitarëve në protesta, nga gazi i skaduar nuk kam parë tjetër gjë, që mund të sjellë ndjesinë e dhunës.

Pra s’ka dhunë nga opozita.

Edhe ambasadat që duket se janë në misionin e tyre të sforcuar u lodhen e këputën të shikojnë dhunë, por opozita nuk po i kupton. Nuk po bën dhunë, e kështu reagimet e tyre po mbeten vetëm rreshta rrjetesh sociale.

Ndërkohë edhe reagimet e “tellallëve” të qeverisë duket se rrudhen e ngushtohen aty tek dhuna. Një zë i ngritur i deputetit të opozitës është dhunë, por shkopi i gomës kundër deputetit është ledhatim.

Kështu të frikësuar nga “dhuna” mediatike e opozitës ata po vijojnë të vjedhin. Derisa opozita të gjejë rrugën që të dalë nga rrethimi i dhunshëm i “dhunës”.

Pra dhunë të opozitës nuk ka.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco