Nga Avni Nezaj - 12:03, 19/01/2026
Në librin e shenjtë dhe shumë të rëndësishëm të fesë hebraike “Talmud”, thuhet se, “kur një hajdut nuk gjen më mundësi për të vjedhur, ai e konsideron veten një njeri të ndershëm”.
Kështu po ndodh avash – avash edhe në realitetin e përdhunuar nga hajdutët në Shqipëri. Kemi një identitet të kalibruar qeverisës që vetëm vjedhin e vënë gjoba, që i marrin vetë zyrtarët, gjyqtarët, taksidarët, policët, ministrat, zëvendësit e tyre, drejtorët, krerët e bashkive. Të gjithë njësoj. Aspak kazan, por një shpellë kusarësh që Ali Baba do ta kishte zili. Thjesht do kishte pushtuar botën me ta.
Të gjithë venë gjoba. Gjobëpaguesit janë qytetarët e thjeshtë që shkojnë edhe deri në krim se u është shkelur ritmikisht e drejta. U është vjedhur pasuria, u është vjedhur djersa.
E drejta e padrejtë për të vjedhur është kthyer në një objekt. Është kthyer në rit dhe kjo falë qeverisjes së Rilindjes që vjedhjen pasi e ka kthyer ne identitet në mënyrën më të tmerrshme i jep asaj atributet e një sjelljeje normale të padënueshme, të pandëshkueshme. Hajdutllëkun e bëjnë krejt të pavërtetë, e lyejnë me graso që sa herë të prekësh të të rrëshqasë dora. Prostitutllëk .
Përqindja më e madhe e dosjeve të hapura nga SPAK janë për vjedhje në përmasa të mëdha. Që nga zëvendëskryeministra e të gjithë administrata më poshtë. Grupe të strukturuara kriminale në çdo ministri apo institucion qendror dhe lokal që vjedhjen e kanë si shpëlarjen e parë të fytyrës në mëngjes sapo hapin sytë. Ku do vjedhim sot. Kë do vjedhim sot. Çfarë do vjedhim. Si do e vjedhim. Sa do vjedhim. Nuk kanë limite.
Administratë që të shikon në kokërr të syrit. Nuk kanë asnjë lloj emocioni. E bëjnë haptas fare. Vidh edhe ti. Të gjithë vjedhin këtu.
Vjedhja është kthyer si një qeverisje paralele. Ka ministrat, drejtorët. Ka të gjithë strukturën e saj. Në shumicën e rasteve janë të njëjtë me qeverinë normale të miratuar në parlament. Sepse bëjnë të njëjtën punë. Vjedhin. Nuk bëjnë gjë tjetër.
Rrugët që ndërtohen, shemben se paratë janë vjedhur. Tunelet fusin ujë se paratë kanë shkuar në xhepat e Ballukëve apo Edvinëve. Hidrovorët, në vend që të thithin ujin nga tokat e përmbytura e ta hedhin në det, u sjellin sërish ujë nga deti se paratë janë vjedhur, nuk funksionojnë si duhet. Njerëzit, analizat shëndetësore i bëjnë rrugëve, tek privati se shërbimet “falas” të shëndetësisë janë vjedhur e masakruar. Të është vjedhur parkingu për të ndërtuar “kullë” nga trafikanti i drogës që ka mik më e pakta një deputet të Rilindjes. Jo atë që e kanë caktuar vetë në Kuvend, ndonjë tjetër. Të kanë vjedhur me gjoba sepse nuk ke ku lë makinën. Vjedhin milionat e tenderave që ndërtojnë hotele në tokat publike. Vjedhje e dyfishtë. Ta vjedhin në çmime e i bëjnë taksa e pastaj taksat i vjedhin ditën e natën. Ju kujtohet si u firmosen 17 urdhra brenda 24 orëve për inceneratorët. Vjedhje kundërmuese si plehrat. Të është vjedhur liria. Sepse sapo kundërshton vjedhjen të vijnë halabakët dhe cubat me armë në emër të shtetit e të thonë paguaj. Ose pasdite vijmë më armët tona. Dhe ti paguan, se të marrin peng AKSHI-fare. Pra, pranon vjedhjen përditë që nga mëngjesi që lan sytë me ujin e pistë që të sjell bashkia pasi të ka vjedhur në faturë, e deri sa mbyll sytë në gjumin me ëndrra investimesh strategjike me satelitë mbi kokë e kamera 50 mijë eurosh.
Këta vjedhin edhe veten e tyre e nuk jetojnë dot pa e bërë këtë. Në mëngjes i marrin vetes para nga thasët e në darkë kur i numërojnë thonë, kush na i vodhi? E më e çuditshmja është se bërtasin aq fort, kapeni hajdutin, që nuk është me larg se sa tek burimi i zërit të tyre.
Tendera që vidhen përditë. E frikshme ishte ajo ku vidheshin 100 për qind e vlerës si te Bashkia e Tiranës apo ministria e Ballukut. Tek AKSHI apo tek shëndetësia. Ato me më pak përqindje janë normal. Nuk kanë tolerancë fare ndaj mosvjedhjes. Me urdhër nga lart e me propozim nga poshtë duhet vjedhur. Para, prona, hapësira publike, bregdet, male, kullota. Duhet të vidhen qytetarët në çdo mundësi që tu jepet. Me urdhra verbale, të shkruar e të pashkruar me vendime gjykate të nxjerra nga zyrat e hajnave. Me gjithçka. Ata që nuk pranojnë vjedhjen të ikin, të tjerët të nënshtrohen. Lubitë që thotë lideri i opozitës të mbajnë pushtetin e të ndajnë miellin e votës sa here që u duhet. Të vjedhin edhe të drejtën për të zgjedhur atyre që kanë mbetur akoma pa ikur.
Ligjet i dikton mafia. Fal diçka që të marrë më shumë. Cakton deputetë në kuvend. Propozon ligje si paqja fiskale dhe miratohet. Propozon amnisti për ushtarët e arrestuar miratohet. Tani do ndryshojë edhe kodi penal që vjedhjen ta quajë gudulisje. Dhe gazetarët e pasuruar nga zanati i tyre i bythëlepirjes së hajdutëve të qeshin e ti shtojnë edhe një kapar milionave të vëna.
Prandaj, njerëzit duhet të protestojnë. Aspak për politikën por për veten e tyre dhe për Shqipërinë që do tu lenë fëmijëve. Duhet protestuar që nesër të mos biem dakord me frazën e shkrimtarit italian Carlo Dossi, i cili jetoi 150 vjet më parë, e që thoshte: “Faji i shumë hajdutëve, në sytë e publikut dhe të gjykatave, është se nuk kanë vjedhur mjaftueshëm për të fshehur vjedhjen e tyre”.
© SYRI.net