Nga Avni Nezaj - 15:37, 23/12/2025
Nuk po na lenë hajdutët e qeverisë që të postojmë asnjë gjë në Facebook. As ndonjë urim për ditëlindje nuk bëjmë dot. Pasi të gjithë të kujtojnë hajdutët e qeverisë, duke harruar urimin. Urime ditëlindja thua e direkt si përgjigje në vend të falënderimit merr përgjigjen, që na mbytën hajdutët. Hajdutë gjithandej. Vjedhje qeveritare të mirëorganizuara, që i kanë lakmi edhe organizatat më të fuqishme mafioze.
Pse e nisa shkrimin me një gjë pa shumë lidhje realisht me atë që po ndodh në Shqipëri? Sepse qartësisht gjerat që po ndodhin kanë aq shumë ritëm vjedhjeje, grabitje të parave të shqiptarëve sa të vjen keq për besimin e vjedhur dhe të blerë që shqiptarët u thanë këtyre horrave. Dhe kështu harrohen edhe urimet për ditëlindjet.
Pse e them Horra. Është ndoshta fjalë e rëndë. Por unë mendoj se duke i krahasuar më këta që qeverisin Shqipërinë, çdo horr në botë duhet te ndihet i zëvendësueshëm dhe i pavlerë. Këta ua kanë kaluar me horrllëkun e tyre edhe çdo horri e hajduti që ka mundur të ekzistojë përtej legjendave letrare dhe urbane. Ali Baba tani duket si lojtar pingpongu përballë Edi Ramës dhe bandës së tij të hajdutëve.
Nuk besoj se ndonjëherë në 30 vjet eksperiencë pune si gazetar të kem qene i bindur në maskarallëkun e ndonjë qeverie, siç jam i bindur sot për këtë qeverisje që kemi. Këtë bindje ma shtojnë e betonojnë edhe qëndrimet absurde dhe aspak të nivelit profesional të disa kolegëve të mi, gazetarë edhe ata, por që kanë zgjedhur për luftën e tyre llogoren e inceneratorëve që nuk ekzistojnë, e jo atë të popullit që po ikën me çanta ne krah porteve e aeroporteve. Këtu ka edhe disa analistë, ish-spiunë të Sigurimit famëkeq të shtetit që vegjetojnë akoma si mizat në hale. Thjesht e nxisin ikjen e nuk bëjnë asnjë përçapje që ta ndalin. Bëjnë lojën e Sorosit e ushtarëve të tij në Tiranë. Ata i paguajnë.
E pra, realiteti është absurd e i hidhur. Janë bashkuar bashkë, Horrat e medias dhe analistët horra të Sigurimit me hajdutët e qeverisë e janë kthyer në harbutë. Deri dje, po të bëje ndonjë analizë kritikuese për SPAK, të shqyenin rrobat, të shanin me libër shtëpie, të kërcënonin njerëz me fytyrë dhe të pafytyrë në rrjetet sociale. Sot ata njerëz kanë kapur sëpatat që të rrëzojnë shtyllën e SPAK, ku po lidhen njëri pas tjetrit të gjithë anëtarët e qeverisë.
Koalicion me i rrezikshëm se ky, nuk është krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Pasi kam parasysh këtu që, tek hajdutët e qeverisë janë pjesë e pandarë bandat kriminale dhe trafikantët e fuqishëm të drogës që marrin peng biznesmenë, apo që zhdukin të tjerë. Kanë në shërbim të tyre drejtësinë me regji. Pra, pushtetet janë bërë bashkë për të vjedhur Shqipërinë. Për ta masakruar atë.
Kjo është me keq se mafia, prandaj 22 Dhjetori bashkoi ata mijëra shqiptarë që e duan Shqipërinë. Dhe dha një sinjal të qartë që nuk do të ndalet reagimi qytetar. Ishte një protestë e madhe.
Doja sërish të bëjë ndonjë urim për ditëlindje, por zhurma e fishekzjarrëve prej gëzimit, që një hajdut fitoi diçka në një gjykatë, ma largoi vëmendjen. Sa e frikshme!
© SYRI.net