Nga Artan Hoxha - 19:45, 17/12/2025
Kur SPAK njoftoi marrjen të pandehur të Belinda Ballukut, Rama me qetësi olimpike deklaroi se ‘drejtësia ka punën e vet, ne kemi punën tonë, etj, etj’.
Kur SPAK/GJKKO morën vendimin për ndalimin e daljes nga Shqipëria (bllokimi i pasaportës) dhe pezullimin nga detyra për Belinda Ballukun, Rama e humbi qetësinë, përçmoi prokurorin, gjykatësin dhe djemtë me patllake të BKH, e quajti aktin një gabim fëminor të një drejtësie të reformuar rishtazi por gjithsesi një precedent që po të lihej të kalonte do sillte pasoja të rrezikshme për demokracinë e, me këtë arësyetim iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.
Kjo gjykatë, në kundërshtim me precedentin mjaftueshmërisht të ngjashëm të ankimit të 35 deputetëve lidhur me anashkalimin e Kuvendit për rastin e masave të sigurisë për deputetin Sali Berisha, vendosi në favor të Kryeministrit edhe për trajtimin e çështjes në seance plenare (6 me 2) edhe për pezullimin e pezullimit të Belinda Ballukut (5 me 3).
Ndërsa gjykatëset Bejtja dhe Xhaferllari i qëndruan koherent vetvetes, e para në favor të legjitimimit të kërkuesve në të dy rastet dhe e dyta në favor të moslegjitimimit të kërkuesve në të dy rastet, 5 Gjyqtarët e tjerë, ndërsa kishin vendosur për moslegjitimimin e 35 deputetëve, e kur për të njëjtat argumente do te duhej të mos legjitimonin as Kryeministrin, bënë me zell të kundërtën.
Ky rast shpjegon sjelljen e kësaj gjykate edhe lidhur me Erion Veliajn, ndërsa pritej që çështjen ta fitonte Rama (të gjithë ishin bërë gati për zgjedhje në bashkinë Tiranë), e fitoi Veliaj me votat e të njëjtëve gjykatës të thekur rilindës dhe shpjegimi i vetëm i arsyeshëm me sa duket mbetet që vetë Rama ka ndërruar mendim në fund të tetorit kur nga një anë shihte se kandidati opozitar ishte në kuota të larta dhe nga ana tjetër, nëse fitonte çështjen kushtetuese, zgjedhjet do mbaheshin nga gjysma e dytë e dhjetorit në ndërkohë që ai ishte i mirëinformuar se çështja Balluku dhe AKSHI do plasin nga dita në ditë mu në mes të fushatës për Tiranën, ndaj me gjasa këtë ndërrim mendjeje ia transmetoi gjykatësve të vet që morën atë vendim të papritur nga shumëkush.
Vendimin kundër Rama e shfrytëzoi si argument të pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese. Amin!
Gëzimi i fitores ndërmjetëse kushtetuese lidhur me pezullimin e Ballukut i zgjati pak. Pa kaluar 3 ditë SPAK, në koherencë me vetveten, i kërkoi Kuvendit autorizimin për të proceduar më tej me masat e arrestit ndaj Belinda Ballukut.
Rama doli me një qëndrim publik ku tha disa të vërteta të hidhura mbi gjendjen e drejtësisë dhe pasojat (pa pranuar se ai dhe rilindja e tij janë autorët dhe shkaktarët kryesorë), paralajmëroi qëndrime parimore por nuk shpalli ndonjë qëndrim të qartë as se çdo bëjë konkretisht ektramazhoranca e tij me kërkesën e SPAK as se çdo bëjë kjo ekstramazhorancë me strukturën, institucionet dhe ligjet e drejtësisë së rilindur.
Që Rama nuk po don me e leshu Belinda Ballukun në kthetrat e SPAK/GJKKO kjo duket ashiqare por, nga ana tjetër, atij i duhet të ruajë fasadën e qëndrimit të deritashëm se Rilindja është autorja e reformës së ndritur në drejtësi dhe se ata nuk ndërhyjnë e nuk cenojnë pavarësinë e saj.
Afërmendësh që s’ka se si Rilindja të mbajë për Ballukun në Kuvend të njëjtin qëndrim si në rastin Berisha në të cilin: vepruan me shpejtësi në komisionin e mandateve dhe në plenare; nuk iu futën fare thelbit të akuzave; nuk vunë fare në diskutim logjikën e masave siguruese duke i quajtur çështje të SPAK/GJKKO; nuk e konsideruan fare precedentin Tahiri dhe vendimin e Kuvendit në atë rast, as edhe vendimin pasues të gjykatës që citonte autorizimin e Kuvendit për marrjen e vendimit për moslejimin e daljes jashtë vendit të atij deputeti. Sot interesi po jua do të pohojnë, me gjysmë zëri, se kanë gabuar në rastin Berisha.
Ndonëse e anatemuan vendimin për pezullimin e Ballukut, hë për hë Rama dhe të tijët nuk kanë shprehur ndonjë kritikë për thelbin e dyshimeve të prokurorisë së posaçme, ndryshe nga rasti Veliaj për të cilin Rama dhe rilindësit e tij u shprehën se ishte një roman paçavure e po kështu as nuk e kanë personalizuar sulmin tek prokurori/gjykatësi me argumentin e inatit personal siç në atë rast. Gjithsesi, modeli pararendës Veliaj mund të përdoret për ti dhënë bazë aresyetimi qëndrimit të mundshëm për mosdhënien e autorizimit nga Kuvendi për Ballukun.
Për të formësuar qëndrimin Rama dhe të tijët kanë edhe precedentin Tahiri, për të cilin, pasi thanë e ç’nuk thanë për prokurorinë e kohës e për prokurorët e çështjes (ata ishin të Saliut), nuk ia dhanë autorizimin për arrest me burg apo shtëpiak por vetëm për veprime të tjera proceduriale.
Gjithsesi, precedenti Tahiri shërben vetëm pjesërisht sepse nuk mund të thonë se SPAK-u është i Saliut e, nëse do mbajnë një qëndrim të ngjashëm me rastin Tahiri do ju duhet të pohojnë se SPAK ose vepron me kokë të vet si republikë e padrejtë prokurorësh arrivistë ose se një fuqi tjetër, si p.sh. ShBA po e ndërzen SPAK-un kundra kësaj ektramazhorance të ndritur. Ndonëse nuk përjashtohet tërësisht kjo do të ishte një lëvizje e parakohshme.
Ndaj, gjithnjë me idenë se nuk do lejojnë assesi arrestimin e Belinda Ballukut dhe nuk do hyjnë në betejë frontale me drejtësinë dhe ndërkombëtarët që i qëndrojnë nga pas, mbetet që ose Balluku jep dorëheqjen/ shkarkohet nga ministër dhe zv/kryeministër dhe Kuvendi ka argument për të mos e dhënë autorizimin për arrestim (si deputete nuk paraqet rrezikshmëri dhe këtë e ka pohuar vetë SPAK-GJKKO duke kërkuar pezullimin) ose do pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese deri me 22 janar 2026 lidhur me pezullimin dhe në varësi të rrethanave të momentit Rama mund t’u kërkojë gjykatësve të vet të bindur të miratojnë pezullimin si vendim kushtetues të SPAK/GJKKO, që kësisoj pasohet (jo domosdoshmërisht) me dorëheqjen e Ballukut dhe panevojshmërinë kësisoj të autorizimit për arrestim nga Kuvendi.
Nga dorëzimi i kërkesës në Kuvend dhe mbledhja e parë e Komisionit te Mandateve këtë të premte deri tek seanca plenare përfundimtare do rrjedhë mjaftueshëm kohë për të parë konkretisht se çfarë lëvizjesh do bëjë shahisti Rama, përfshirë dhe atë të lënies së lirë të deputetëve për të vendosur dhe arsyetimin se nuk detyrohen dot deputetët si të votojnë (ngjashëm me rastin Xhaçka që nuk e çuan në kushtetuese) e deri tek pasiviteti mbi 3 mujor për rrjedhojë, rrëzimin në heshtje të saj.
Duke parë e duke bërë.
© SYRI.net