Duhet një rivlerësim i ri mbi kujtesën, memorien dhe harresën

Duhet një rivlerësim i ri mbi kujtesën, memorien dhe harresën

Nga Ndriçim Kulla - 30/08/2025

Duhet të shihet me vëmendje sot, lindja në skenë e debateve dhe propozimeve të tilla, si ‘një rivlerësim i ri mbi kujtesën, memorien dhe harresën ‘, i artikuluar pa kohë më parë nga personalitete politike, nga intelektualë, por sidomos nga përfaqësues të spikatur të shtresës së ish-të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste.

Debati i rikthyer sërish në ambientin tonë shoqëror është reflektimi i drejtpërdrejtë i një shqetësimi shumë të zjarrtë që përfshiu një komunitet të tërë për disa vite me radhë, të përbërë jo vetëm nga shqetësimi i shprehur në mënyrë mjaft tolerante dhe njerëzore i kësaj shtrese, nga intelektualë, historianë apo përfaqësues të shkencave politike, nga gazetarë, analistë e kështu me radhë, por sidomos nga institucionet ndërkombëtare si OKB-ja dhe Këshilli i Evropës.

Ky shqetësim serioz ka të bëjë me një punë që u lamë përgjysmë ku, për pasojë, e lamë të ngucur auditorin e këtyre vlerave të mëdha njerëzore, kulturore dhe shkencore, që krijuan njerëzit e mençur, trima dhe guximtarë në ndeshjen me diktaturën komuniste. Kjo histori e dhimbshme, ende e pandriçuar qartësisht,e pa shfrytëzuar pothuaj fare ose fare pakë si kulturë dhe dije duhet të dalë jashtë, drejt sallave të universiteteve, qarqeve akademike e atyre të kërkimeve shkencore, për të arritur në vendet publike, në bibliotekat e shkollave, në sallat e gazetave, të radiove dhe televizioneve, duhet ringjallur.

E përballë kësaj ‘jashtë-dalje’ të një kapitulli të tillë, krijimi i përfolur i një Instituti Kujtese (kjo nuk është e njëjta gjë me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ) mbi përjetësimin e kësaj periudhe tragjike të kombit tonë është një projekt i domosdoshëm dhe i mirëpritur me kohë, që fillimisht është vlerësim njerëzor, por dhe historik e kulturor. Ndoshta kjo iniciativë së cilës i mëshoj edhe unë personalisht , do ti paraprij konsolidimit të mjaftë prurjeve të reja të cilat duhet që ti shpihen shoqërisë në formë dijesh të sintetizuara ku, një Institut Kujtese me parametra të lartë shkencor dhe kulturor mund të shndërrohet në paradhomën shfrytëzimit të këtyre dijeve të përpunuara.

Kjo nuk duhet konsideruar si një kohë e humbur ,por si një domosdoshmëri, ku Akademia e Shkencave zyrtare të Shqipërisë nuk po e bën dhe nuk ka si ta bëj. Ajo është kthyer në një fosile administrative për regjimin duke iu rikthyer qenies së saj të dikurshme si në strukturë edhe në doktrinë. Jo thjesht denoncimi, por sipas mendimit tim, nuk duhen harruar rastet kur historia del nga vendet e caktuara të kërkimit, ndriçimit të fakteve dhe dënimit të tyre shkencor, dhe ‘njolloset’ e ‘përdoret’ në lojën më vulgare të pasioneve politike dhe korrupsionit.

E them këtë, sepse edhe në aspektin praktik gjendemi në një situatë kontradiktore. Paradoksi konsiston në faktin se bashkëjetojnë në të tashmen dy fenomene në dukje kundërshtuese: një theks i shumëpërhapur i çrrënjosjes të së shkuarës komuniste, nga njëra anë, dhe një hipertrofi e referimeve dhe e rikujtimeve historike të ligjëratave publike mbi të shkuarën komuniste, nga ana tjetër. Prandaj, puna e këtij institucioni të dëshiruar duhet të ngrihet me forcë në rangun e një instituti të vërtet rivlerësimi, jo thjesht denoncimi, me të gjitha dimensionet shkencore dhe etike.

Përderisa rrojnë ende protagonistët e kësaj historie dhe aq më shumë se ata janë rikthyer sërish në fuqi-si në rastin tonë protagonistët e epokës së komunizmit ku përball kanë viktimat e tyre, atëherë detyrimisht që ata mund të përfshihen në fakte të drejtpërdrejta kronikash, në ekzistencën e kujtimeve që nuk janë fosilizuar kurrë e që u përkasin eksperiencave individuale, që çdokush i përpunon vazhdimisht në memorien e vet.

Raporti midis kronikës dhe interpretimit, ashtu si edhe ai midis historisë dhe memories, janë relacione që shpleksen nga fijet që i mbajnë të lidhura dora-dorës e që do të nisin t’i ngacmojnë ish-regjimtarët, bashkë me fëmijët e nipërit e tyre. Historia në thelb të saj, por sidomos në epoka të tilla tranzicionale, midis dy epokave të kundërta në mes tyre, nuk mund të mos ofrojë debate politike, ku nostalgjikët dhe antiregjimtarët të mos përpiqen me të gjitha forcat ta përdorin historinë për qëllime të tjera.

Kjo nuk duhet të na skandalizojë, dhe aq më shumë të na diktojë energjitë dhe të ardhmen. Për këtë arsye, metoda dhe teknika më e mirë për të mos shpërdoruar kohë, tensione deri në armiqësi dhe copëra të së ardhmes të hedhura në lojëra pazaresh, pikësëpari, është që ky institut të jetë hulumtues, promovues, rivlerësues, shkencor, objektiv dhe të ketë qëllim të vetëm kujtesën si kulturë.

Domethënia finale e gjithë këtij procesi, kështu mund të sjellë një histori të përbashkët, të përgjithshme, ku të gjithë - ku më shumë se në brezat e ardhshëm do të kuptojnë qartë shërbimin historik, se çfarë ka ndodhur me paraardhësit e tyre për 50 vite me radhë, nëpërmjet fakteve të seleksionuara që duhen zgjedhur, por sigurisht edhe të analizës së urtë që duhet bërë.

Vetëm kështu mund të realizohet një dialektikë historike, brenda së cilës arsyet e të gjithëve të shprehen me më shumë qetësi, me më shumë objektivitet, pa grindje e me mënyra civile, por kurrsesi të unifikohen memoriet. Sepse memoria, kuptohet nuk është veçse një materie bazë, njëra nga materiet me të cilat punojnë shkronjësit e historisë; si e tillë, ajo mund t’i ngjajë një balte, që përmban gjithçka: gabimin, moskujtimin e deri edhe harrimin e vetëdijshëm.

Por i gjithë ky vërshim i paparë informacioni: kujtime, biseda, histori, kronika, tregime, romane, vepra e kryevepra albanologjike ende të pabotuara, do të pasojë drejtpërdrejt rreziqe edhe më të mëdha, që të mbetemi përjetësisht të ndarë e të harruar në raport me këtë periudhë, në qoftë se ne nuk do tregohemi veprues që ta materializojmë dhe shfrytëzojmë si dije kulturore kujtesën e kësaj periudhe.

Vetëm kështu memoria e së shkuarës nuk do ta mbysë kurrë ndërgjegjen e së tashmes, vetëm kështu do të cakëzohet liria dhe do t’i hapet udhë determinizmit të së ardhmes nga e shkuara. Por gjithmonë duhet të respektojmë parimin etik të kujtesës. Nëse do të pretendohet të kujtohet gjithçka, mundet edhe ta shembim vetveten nga pesha e së shkuarës. Dhe krijimi i një institucioni të tillë i ndërtuar me kritere shkencore dhe kulturore do ishte nj֝ë zgjidhje për ti bërë të integrueshme këto dije.

Prandaj, si rrugëdalje nga shkenca e sotme historike, politike dhe sociologjike është nënvizuar ideja e ekzistencës së një të drejte të harrimit, që është si një nënlloj a nënprodukt i së drejtës së memories e që ka të bëjë me dimensionin etik të saj. Nuk mund të kujtohet gjithçka, ashtu siç nuk mund të harrohet gjithçka. Identiteti kolektiv i një populli formohet edhe nëpërmjet të harruarit, pra edhe ajo që harrojmë arrin të plazmojë identitetit tonë kolektiv.

Është fakt se memoria dhe harrimi janë të pandashëm në pleksjen tonë historike e se - në përmasa të ndryshme - ne kemi nevojë për të dyja që të jetojmë, përderisa, në një lloj mënyre, jemi si emigrantë të kohës, që përdorin kujtimet e së shkuarës për të shkuar drejt së ardhmes së panjohur.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco