Një agjendë e re, anti-sorosiane – anti-globaliste, i duhet Europës

Një agjendë e re, anti-sorosiane – anti-globaliste, i duhet Europës

Nga Ndriçim Kulla - 25/08/2025

Do bëhem dhe unë sot një mendimtar global. Dua të shkruaj për diçka që në pamje të parë nuk na përket neve si një popull i vogël, por që në thelb është çështje globale: gjendja reale e Europës sot dhe fati i saj i ardhshëm.

Shkak për këtë reflektim u bë festa kombëtare e Ukrainës – simboli më i qartë i asaj që studiues e mendimtarë europianë e quajnë “pasqyra e iluzionit” të vizionit që Europa kishte paracaktuar për veten. Kam frikë se mos zhgënjehet edhe “lideri global” i Shqipërisë, kryeministri ynë, i cili shpesh ka pretenduar kontribut në çështjen ukrainase. Por viti 2025 tregoi qartë se Europa ka humbur krejtësisht peshën e saj gjeopolitike dhe ekonomike përballë SHBA-së dhe Kinës.

Për shumë liderë europianë, e sidomos për rrjetin globalist ku bën pjesë Edi Rama, më shumë rëndësi ka zhvillimi i agjendës globaliste të tipit Soros–Shvab, sesa një vizion serioz për të ardhmen e kontinentit. Në të kundërt, unë dua të sjell një reflektim ndryshe – një vështrim mbi shkaqet e krizës dhe rrugët për ringritjen e Europës.

Kriza e vizionit europian

Ky vit pa dështime të mëdha për BE-në. Iluzioni se një treg prej 500 milionë banorësh do sillte njëherësh edhe fuqi gjeopolitike, ra poshtë me përuljen ndaj SHBA-së për çështjen e tarifave dhe me “gjunjëzimin” përballë Kinës. Europa u injorua si partner i barabartë dhe u trajtua sipas “rregullave të më të fortit”.

Po kështu, roli i saj diplomatik është zbehur deri në minimum në konfliktet e fundit – nga lufta Izrael-Iran, tek masakrat në Gaza, e deri te lufta Rusi-Ukrainë, ku Europa mban barrën kryesore financiare, por pa zë vendimtar.

Shkaqet: largimi nga vlerat themeluese

Shumë mendimtarë seriozë konvergojnë tek një e vërtetë: Europa i është larguar frikshëm idealeve themeluese – lirisë, demokracisë, paqes dhe vlerave kristiane. JD Vance, në fjalimin e tij në Konferencën e Mynihut, e shprehu qartë këtë krizë vlerash dhe dy-standardesh: luftohet besimi i krishterë ndërsa lirohet terreni për ideologji që cenojnë lirinë e shprehjes dhe besimit, të mbuluara me termin “gjuhë urrejtjeje”.

Kjo qasje e dyfishtë shfaqet edhe tek përbuzja e zërit të popujve, dënimi arbitrar i kundërshtarëve politikë dhe mbrojtja e liderëve autokratë si Rama apo Vuçiç nga burokracia europiane. Ndërsa në SHBA konservatorët po sjellin ringjallje të vlerave kristiane, Europa nën presionin e “wokizmit” kulturor po përjeton regres të frikshëm shpirtëror e moral.

Shembuj të kundërt

Ka megjithatë përjashtime të forta: Polonia, e cila në vitin 2016 shpalli zyrtarisht Jezu Krishtin Mbret të Polonisë, apo Viktor Orbán që deklaron se vetëm një Europë e krishterë ka të ardhme. Këto janë shenja të vetme të një rikthimi tek rrënjët, ndërsa pjesa tjetër e kontinentit po lëviz drejt një humnerë kulturore.

Zgjidhja: një agjendë e re anti-globaliste

Të gjitha këto zhvillime na çojnë në një përfundim: Europa nuk mund të rikthejë fuqinë e saj morale dhe gjeostrategjike vetëm me një treg prej 700 milionësh. Ringritja kërkon një rrëzim të qasjes globaliste të Davosit dhe një agjendë të qartë anti-woke në politikë, ekonomi e kulturë.

Në SHBA, me ardhjen e Trump dhe fuqizimin e konservatorëve, “soroizmi” e “wokizmi” po pësojnë goditje të përditshme. Atje po fryn era e “gjykimit të arsyeshëm”. Një frymë e tillë duhet të vijë edhe në Europë, nëse ajo do të shpëtojë vlerat që e themeluan.

Përfundim

Europa ka dekada që udhëhiqet nga një agjendë liberale-globaliste me theks ndaj marksizmit kulturor. Sot ajo ka humbur peshë dhe ndikim. Është koha për një agjendë të re – anti-sorosiane dhe anti-globaliste – që të rikthejë lirinë, demokracinë dhe idealet kristiane. Shqipëria, si një vend thellësisht i prekur nga ky virus, duhet të japë kontributin e saj konkret në këtë drejtim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco