Kodi i ri Penal, fare mirë do të quhej 'ëndrra e diktaturës së një nate vere'

Kodi i ri Penal, fare mirë do të quhej 'ëndrra e diktaturës së një nate vere'

Nga Ndriçim Kulla - 07/08/2025

Nga Ndriçim Kulla

Në një ditë zhegu korriku, në pikun e sezonit veror, një “bëmë” sa e tmerrshme aq edhe spektakolare për befasinë e vet alogjike, iu servir shqiptarëve të lodhur nga zgjedhjet, vapa, mungesa e ujit, turistëve, e prej një serie të tërë mangësish jetike. Një bëmë që shokoi, irritoi e rrëqethi nga tërbimi dhe inati të madh e të vogël. Një bëmë që mban emrin Kodi i ri Penal, por që fare mirë do të quhej “Ëndrra e diktaturës së një nate vere”.

Po përse vallë një urgjencë e tillë lemeritëse i duhej Shqipërisë së shkretë, pikërisht tani, pa pritur as sezonin normal të vjeshtës parlamentare? Çfarë ka ndodhur vallë gjithë këto kohë që një domosdoshmëri e pashpjegueshme historike nuk duronte dot, nuk priste më as edhe një sekondë, sa të qetësoheshin njerëzit, natyra, zjarret e verës apokaliptike e gjithçka me rradhë?

Jo, jo, asgjë nga këto as nuk e stepi e as nuk e shpërqëndroi asnjë grimë udhëheqësin suprem të shqiptarëve, me katër mandate qeverisëse në gjoks, si medaljet e një gjenerali që është gati të hedhë “bombën” e tij më të madhe dhe më të rrezikshme socio-politike e juridike, që mund të ketë njohur ndonjëherë historia jonë.

Po, po, pa as më të voglin teprim, Kodi i ri Penal, për nga pasojat që sjell për çdo qytetar të këtij vendi, ngjan me një shkatërrim të paimagjinuar për jetën e çdo qytetari. Një masë e tërë ekspertësh kanë analizuar dhe shpjeguar shumë nene të tij skandaloze, deri në kufijtë e absurdit logjiko-politik, por shumë të tjerë janë shokuar edhe nga paçavurra teknike dhe profesionale, juridike dhe administrative, që ai përfaqëson në tërësinë e tij.

I gjati ynë kryeministër nuk shquhet as për budalla dhe as i paaftë në mënyrën se si e përdor dhe e përzien propagandën dhe manipulimin në paraqitjen e nismave të veta, nga më të këqijat mundshme. Përkundrazi, ai është “princi i errësirës” më makiaveliste dhe më bizantine në kurthe, gënjeshtra e hedhje hi syve, që mund të ketë njohur ndonjëherë historia e mbajtjes së pushtetit me çdo çmim dhe çdo mjet, që mund të ketë parë politika shqiptare.

Atëherë, pse ky Kod i ri Penal kaq i mbrapshtë që po kundërmon dhe pataks anekënd Shqipërinë? Të jetë një lajthitje, një skizofreni e të nxehtit të madh që e bëri jerm diktatorial kryeministrin? Nuk ma do mendja. Ky kod është menduar qëllimisht kaq i mbrapshtë sa të errësojë dhe trazojë gjatë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.

Nenet dhe pasojat i kanë diskretituar dhe neveritur gjerë e gjatë ekspertët. Unë do të doja të flisja për makro- dhe mikrostrukturat e tij.

Urgjenca dhe tempizmi i paarsyeshëm i paraqitjes së tij, budallakia e arsyetimit të nevojës dhe aktorëve të hartimit të tij, me një lojë qesharake të hedhjes së topit jashtë qeverisë, tregojnë hapur se kryeministri ka halle të mëdha që do t’i mbulojë ose t’i paraprijë sa më parë, me një “bombë” të tillë mediatike që ka rrëmbyer e do të mbërthejë vëmendjen e gjithkujt për një kohë të gjatë.

Kjo është e vërteta e parë makro e këtij projekti famëkeq. Nisur nga përmasa e së keqes që Kodi i ri Penal, në nene të tij të veçanta, i shkakton gjithë jetës shqiptare, ne kuptojmë edhe përmasën e hallit të jashtëzakonshëm që e ka zënë kreun e regjimit, që arrin ta shtrëngojë të përfytyrojë aprovimin e një shkalle të tillë diktature juridike, që dënon e fut në burg çdo qytetar për arsye nga më banalet, e për më keq për liritë dhe të drejtat e tij civile, qytetare dhe dinjitoze.

Zbulimi para syve të Europës i masakrës së tij elektorale të 11 majit është një faktor dominues në makthin e Edi Ramës diktatorit. Po edhe nga Amerika lajmet janë alarmuese për të. Në Kongres është hapur dhe zbuluar përsëri dosja McGonigal, e së fundmi është hedhur për diskutim edhe çështja e “non-grata” së padrejtë që çorba e tij sorosiane gatoi për Sali Berishën.

Pra, shumë të vërteta të mëdha që pritet të pëlcasin shumë shpejt, mendja e tij prej intriganti të pashembullt bizantin do t’i kundërverë, për të zhvendosur vëmendjen dhe fokusin e debatit, me një “bombë” të ligësisë dhe errësirës diktatoriale, siç është ky Kod i ri Penal.

Vetëm se arsenali i gjetjeve nga më të paimagjinueshmet, që fantazia e tij e sëmurë ka arritur të pjellë në këtë rast, duhej të mbështetej edhe në disa shtylla kryesore të agjendës sorosiane të vitit 2030, për të marrë të paktën aprovimin e tyre. Dhe po ta shohim më në brendësi, në mikro, vërejmë mjaft gjetje e parime wokiste mbi drejtësinë dhe mënyrën e zbatimit të saj.

Në këtë pikë do të ishte me vend të përmendnim gjithçka që e majta radikale, me anë të dominimit të drejtësisë, nëpërmjet vendosjes së një rrjeti gjykatësish e prokurorësh kudo nëpër qytetet kryesore, arriti t’i sjellë jetës së çdo qytetari të thjeshtë amerikan: rritjen e shpejtë të krimeve të dhunshme dhe shndërrimin e jetës në një gjendje të përhershme frike.

E gjitha kjo nuk ishte e rastit, ajo bazohej në parimin themelor të së majtës radikale sorosiane: përdorimin si armë, jo vetëm të drejtësisë, por të gjithë qeverisë, kundër çdo amerikani që guxon të sfidojë e të padisë pushtetin e tyre, t’i japë zë një mendimi ndryshe nga wokizmi ose të mbrojë madhështinë e tradicionales së këtij vendi të madh.

Deri aty arriti dehja autoritare wokiste sa përdori edhe institucione të tilla të pavarura si CIA ose FBI, për të monitoruar dhe gjurmuar njerëz të zakonshëm me cenin e vetëm se ushtronin lirinë e fjalës për të qenë anti-woke.

Në parim, një nocion i tillë qëndron në atë urrejtje patologjike që Edi Rama dhe kodi i tij kanë për fjalën e lirë, përderisa burgos edhe individin më të thjeshtë shqiptar që kërkon të denoncojë ose sulmojë në të drejtën e vet anti-qeverisje çdo pjesëtar të pushtetit, qoftë ky edhe kryeministër.

Diçka e tillë, me gjetje të tmerrshme e absurde, shtrihet thellë në të drejtën e fjalës së lirë edhe nëpër rrjetet sociale, duke na kujtuar famëkeqin nocion “gjuhë urrejtjeje” që korporatat amerikane Facebook e Twitter, të trysnuara nga ndikimi i qeverisë, përdornin dikur si shpatë për të terrorizuar dhe bllokuar shprehje të lirshme nëpër këto rrjete sociale.

Ardhja në fuqi e Trump dhe politikat e tij i detyruan gjigantët e tech të pranonin gabimin dhe të korrigjonin shënjestrën.

Mirëpo kryeministri ynë i anashkalon të tilla të vërteta e fakte, por ecën me zbatimin, tashmë të diskretituar të këtilla politikave, duke synuar të mbjellë frikë e terror mbi gazetarë, analistë, avokatë, gjyqtarë, prokurorë e kushdo individ kurajoz që punon në shërbim të kombit.

Po edhe këtu, ne gjejmë të mishëruar një tjetër parim të agjendës sorosiane: shkatërrimin medotëm të shtresës së mesme të shoqërisë, si komponenti më i lirë dhe i pavarur i demokracisë. Pasi e ka rafshuar e rrënuar ekonomikisht këtë shtresë në vite, tanimë do t’i japë goditjen përfundimtare shtresës së profesioneve të lira në media dhe individëve përbërës të sistemit të drejtësisë. Një katastrofë kjo e padëgjuar ndonjëherë, që nëse ndërlidhet me dënimin me burg të qytetarëve, për veprime të përfshira në kodin civil, si parkimi dysh, tradhtia, mos-pagimi në kohë i siguracionit e kështu me radhë, të shpien në hamendësimin sa të tmerrshëm aq edhe realistik, se ky kod po përdoret qëllimisht si një mjet shtypës, që kërkon t’ua bëjë sa më të padurueshëm jetën shoqërore dhe rutinore qytetarëve shqiptarë, duke i detyruar dhe shtrënguar edhe njëherë në një valë të re emigrimi. Përmbushet kështu komponenta e shpopullimit që ka qenë një konstante e politikave të kësaj qeverie për gjithë këto vite, vetëm se kësaj here me formën dhe mënyrën më brutale: burgun.

Po në frontin e krimit, bandave dhe korrupsionit, a ruhet e njëjta masë apo i njëjti standard me dënimet ndaj qytetarëve? Jo aspak. I gjithë kodi ndaj kësaj kategorie është një përshtatje djallëzore dhe bizantine e gradës më të rrezikshme, e parimit bazë mbi të cilin u udhëhoq drejtësia e së majtës radikale në Amerikë për plot një dekadë: soft on crime (e butë me krimin). Epidemia e krimit dhe mosndëshkimit që përjetuan qytetet amerikane nën “mbretërimin e prokurorëve” të Sorosit, tashmë është një e vërtetë e madhe që u përmbys dhe u shndërrua tërësisht në një realitet të ri, nga politikat e reja të prokurorëve anti-krim që mbështet Trump dhe lëvizja Maga. Mirëpo në Shqipëri, jehona e kataklizmës së kësaj politike nuk mund të ndihet, përderisa dasmori i Aleks Soros është ideusi tragjik i këtij kodi. Përkundrazi, si ushtar pasionant dhe ithtar i protagonizmit wokist, ai i shtyn akoma dhe më tej sinorët e mbrojtjes kapitale të krimit dhe korrupsionit.

Në njërën anë, kjo natyrë e tij e butë dhe e ndjeshme ndaj të dënuarve të përjetshëm, për krime nga më monstruozet, i nxjerr ata nga burgu për sjellje të mirë dhe të përmirësuar si individë. Absurditeti i argumentit se njeriu ndryshon është jehona e tmerrshme e parimit woke të qasjes së butë ndaj krimit. Po jehonë e kësaj qasje të butë ndaj krimit dhe korrupsionit, është edhe heqja e dënimit për shpërdorim detyre apo pjesëmarrje në tender korruptiv, me qëllim zhvlerësimin e plagës më të thellë nga e cila vuan sot administrata dhe gjithë shoqëria shqiptare, duke e reduktuar atë në termin më qesharak të mundshëm, një lajthitje institucionale. Një standard skandaloz ky që zbulon qëllimin e vërtetë të kësaj qasje: një lajthitje e qëllimshme diktatoriale e mbetur si ëndërr e një nate vere që mezi pret të bëhet realitet.

Ne kemi qenë deri tani një epruvetë e eksperimenteve me të këqinj sorosianë. Tashmë, ky kod mund ta kthejë Shqipërinë në sallën më të madhe të reaminacionit politik, shoqëror e juridik, që politika e radikalëve të majtë sorosianë ka ndërtuar ndonjëherë jashtë Amerikës. E përmasave të tilla është perspektiva e tij nëse do të votohet dhe zbatohet. Ndaj, i gjithë populli shqiptar, bashkë me opozitën dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, duhet të çohen në këmbë nga kjo rrëshqitje e rrezikshme në errësirë që po i kanoset Shqipërisë. Askush s’e parashikon se çfarë mund të ndodhë në këtë errësirë, për rrjedhim, le t’i japim zë e fuqi dritës së arsyes së shëndoshë popullore, si e vetmja që mund ta mposhtë këtë zezonë fatkeqe që kryeministri ynë na serviri me delirin e tij të arrogancës së një diktature.

Duhet të bëhen pra të kristalta të gjitha parimet dhe qëllimet famëkeqe që ndodhen në themelet e këtij kodi. Duhet të bëhet dritë, se drita do të dijë t’i bëjë të marrin arratinë, paskësaj, të gjithë langonjtë e zuzarët e errësirës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco