Heshtja e SPAK për dosjet ‘184’ dhe ‘339’ i hapi rrugë krimit masiv elektoral

Heshtja e SPAK për dosjet ‘184’ dhe ‘339’ i hapi rrugë krimit masiv elektoral

Nga Artan Cena - 05/08/2025

Kur drejtësia zgjedh të heshtë, politika duhet të flasë më fort. Dhe kur drejtësia nuk sheh, pushteti vepron në errësirë. Kjo është panorama e zymtë që vijon të përsëritet në Shqipëri sa herë flitet për zgjedhje dhe për besueshmërinë e tyre.

Dosja ‘184’ dhe dosja ‘339’ nuk janë thjesht numra, por paralajmërimi për atë çfarë do të ndodhte më vonë me krimin elektoral në Shqipëri.

Këto dy dosje janë plagë të hapura, prova të gjalla se si vota është përdhosur ndër vite për interesa politike dhe kriminale. Edhe pas kaq shumë kohësh, këto dy dosje mbeten pa një epilog ligjor. Dhe më e rënda është se kjo heshtje është bërë normë, jo përjashtim.

Në dosjen ‘184’, përgjimet e publikuara zbuluan një realitet tronditës: përfshirjen e funksionarëve lokalë e qendrorë të Partisë Socialiste në skemën e blerjes dhe ndikimit të votës në Dibër. Në vend që kjo të shërbente si moment reflektimi dhe ndëshkimi, drejtësia e mbajti çështjen në sirtar për vite, derisa e arkivoi si një dosje të parëndësishme, pa asnjë përgjegjës.

E njëjta histori u përsërit edhe me hetimin e dosjes ‘339’, ku lidhjet e krimit të organizuar me fushatat elektorale në Durrës e Shijak u dokumentuan në mënyrë të detajuar. Por hetimet nuk prekën asnjë zyrtar të lartë, ndërsa sistemi i drejtësisë u mjaftua me ndonjë akt formal që u harrua brenda pak javësh.

Dhe ndërsa këto dy dosje ndihmuan për të kuptuar thellësinë e problemit, zgjedhjet e 11 majit 2025 duket se e konfirmuan se asgjë nuk ka ndryshuar në thelb. Edhe kësaj radhe, nga terreni u raportuan episode të panumërta të blerjes së votës, përdorimit të administratës dhe presionit mbi votuesit, një realitet që e ka shoqëruar sistematikisht procesin zgjedhor në vend.

Por në këto zgjedhje veç patronazhimit të zgjedhësve në Shqipëri, në mënyrë dramatike u vu re fenomeni i patronazhimit të zgjedhësve nga diaspora. Kërcënimet e familjarëve dhe të afërmve të tyre në Shqipëri, bënë që emigrantët ta jepnin votën për qeverinë.

E kur kanë kaluar gati 3 muaj nga farsa elektorale e 11 majit, ajo që të bën më shumë përshtypje është mungesa e reflektimit institucional nga ana e drejtësisë, veçanërisht nga SPAK, që sipas misionit të tij kushtetues, ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin zgjedhor.

Dhe më shumë se mungesa e reflektimit, ajo që të bën përshtypje është dhe sjellja e drejtuesit aktual të SPAK, Altin Dumani që në ditën e fundit të korrikut gjatë një takimi informal me gazetarët, u shpreh se në institucionin që ai drejton kishin ardhur denoncime, por që nuk ishin shoqëruar me prova.

Vlen ti kujtohet kryeprokurorit të SPAK se, qytetarët, apo dhe partitë politike nuk e kanë në tagrin e tyre që të mbledhin prova, por të sjellin denoncimet e tyre dhe detyra e prokurorëve që të vënë në funksion më pas zinxhirin e punës për të vërtetuar apo rrëzuar pretendimet e denoncuesve.

Dhe ndërsa kujtesa publike është e ngarkuar me zhgënjime dhe mosndëshkime, çdo vonesë në hetimin e krimeve zgjedhore nuk është vetëm teknike, është politike. Sepse zgjedhjet nuk janë thjesht një ditë kalendarike: ato janë themeli mbi të cilin ngrihet besimi qytetar ndaj shtetit. Dhe kur ky themel tronditet vazhdimisht nga praktika të paligjshme, ndërsa drejtësia nuk reagon, kriza nuk është më vetëm politike, por institucionale.

Të gjithë kërkojnë që SPAK të jetë i shpejtë, dhe efikas, dhe publiku pret një sinjal të qartë se ligji është i njëjtë për të gjithë, edhe për ata që janë pranë pushtetit. Heshtja ndaj dosjeve që kanë tronditur zgjedhjet është një sinjal i kundërt: që ka njerëz që nuk preken, që ekziston një vijë e padukshme ku drejtësia ndalet.

Nëse drejtësia e re do të ketë ndonjë kuptim për brezin që po rritet në Shqipëri, ajo duhet të provojë se është në gjendje të përballet me të tashmen dhe të garantojë një të ardhme më të drejtë për të gjithë.

Dosjet ‘184’ dhe ‘339’ dhe manipulimet e shumta gjatë zgjedhjeve të 11 majit nuk janë thjesht raste të izoluara, por janë gur prove për pavarësinë dhe kurajën e sistemit të drejtësisë.

Dhe ky test nuk mund të kalohet me heshtje, por me veprim.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco