Pse po kuptohet me kaq vështirësi sjellja diktatoriale e regjimit Rama nga europianët?

Pse po kuptohet me kaq vështirësi sjellja diktatoriale e regjimit Rama nga europianët?

Nga Ndriçim Kulla - 04/08/2025

Në të gjitha deklaratat që ka bërë BE në lidhje me proceset e mbarëvajtjes së reformës në drejtësi, ka tingëlluar theksi i rëndësisë së reformës, por është shprehur edhe vlerësimi i rezultateve të sistemit të drejtësisë dhe veçanërisht ndaj SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme, e cila është pjesë integrale e këtij institucioni pavarësisht se janë formalisht të ndara.

Por e vërteta i ka sfiduar me realizëm të gjitha këto, si me statistika zyrtare, ashtu edhe me ngjarje.
Të ishte kështu, do të ishte vërtet fort mirë, sepse nuk do të kishim tërë këto shqetësime polarizuese që ka shoqëria jonë sot, në raport me detyrat që duhej të kryenin këto institucione drejtësie.

Në radhë të parë, nuk do të kishim këtë zjarr polarizues të papërmbajtshëm politik që kanë krijuar këto institucione si rezultat i rolit të dyshimtë, që po ushtrojnë në shërbim të interesave të qeverisë. Nuk do të kishim gjithashtu këtë njollë të keqe, që i kanë bërë dhuratë opinionit ndërkombëtar mbi gjendjen e ndjerë të të drejtave të njeriut dhe të gjithkujt që merret me politikë, me proceset penale që i kanë hapur tërë drejtuesve të opozitës shqiptare, duke i penguar ata realisht që të ushtrojnë në liri të plotë veprimtarinë politike.

Nuk do të kishim rrëmbime të turpshme alla “Aldo Moro” sot në mes të Europës, siç është rasti i tmerrshëm i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Ilir Meta, në mes të rrugës, ditën me diell, në emër të fillimit të një procesi penal për ta shpënë në qeli. Në emër të ligjit janë bërë shumë mëkate diktatoriale në histori, që nga koha e mbretërve mizorë europianë dhe deri te diktaturat e tipit stalinist dhe enverist, por sidoqoftë edhe ligjet kanë ligjet e tyre të zbatimit.

Këto janë ngjarje dhe ndodhi, të cilat e kanë jetesën e tyre sot këtu, në një shtet të vogël në oborrin e Europës me emrin Shqipëri, e cila i ka hapësirat gjeografike bashkë me kontinentin më demokratik të botës dhe nuk vijnë as nga vendet diktatoriale të Afrikës, Azisë apo Amerikës Latine.

Nuk është e thjeshtë, madje duhej të ishte rrënqethëse edhe për vetë europianët të rrëmbehet në mes të rrugës ish-presidenti i Republikës për t’u arrestuar, pa u lajmëruar e pa i treguar një urdhër gjykate, me agjentë të paidentifikuar fare dhe si për ironi, agjencitë europiane të akredituara në Shqipëri, bëjnë cinikun dhe nuk bëjnë një reagim qoftë edhe formal për të shprehur prononcimin e tyre, se akte të tilla më tepër e brejnë besimin tek drejtësia sesa e ushqejnë atë.

A thua nuk kanë marrë vesh asgjë, apo i kanë opinionet për veten e tyre, ose për t’i shprehur mbështetje regjimit?!
Fakti që deri më sot, nuk kemi dëgjuar që të shprehet asnjë prononcim për rastin banditesk të ish-zyrtarit më të lartë të shtetit shqiptar, tregon nivelin e ulët të interesit që kanë, së paku për atë, që taksapaguesit europianë investojnë me bujari për të monitoruar demokracinë në Tiranë dhe jo për t’i shkelur syrin regjimit për bëmat e tij autoritariste.

Pse po kuptohet me kaq vështirësi sjellja diktatoriale e regjimit Rama nga europianët?
Pyesim me një theks çudie europianët, jo vetëm për faktin e qenies së Shqipërisë gjeografikisht në Europë, trashëgimisë historiko-kulturore të përbashkët, por më e rëndësishme është pakti i gjithëpranuar i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Këtu ndodhin veprime dhe ngjarje brutale që nuk janë as të denja dhe as të besueshme për një vend që është në prag të hapjes së derës për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Sot në institucionet e BE ende habiten kur dëgjojnë fakte nga liderët e opozitës, duke e shpënë vlerësimin e tyre deri në mundësinë e ardhjes së një grupi faktëmbledhës për të bërë vlerësimin e të vërtetave të denoncuara nga opozita të cilat nuk janë drejtuar në rrugën e duhur dhe në kohën e duhur për të shkuar në zyrat monitoruese dhe vendimmarrëse të Brukselit.

Ndërsa ambasadat perëndimore në Tiranë mund ta kenë të justifikuar njëanshmërinë e marrëdhënieve vetëm me qeverinë, ndryshon qasja me institucionet e BE të akredituara në Tiranë për të monitoruar dhe ndihmuar proceset integruese të vendit tonë. Shteti ligjor dhe mbarëvajtja e demokracisë sipas detyrave të përcaktuara ndaj tyre, duhej të ishin dy problemet kryesore që meritonin gjykimin e mprehtë të këtyre institucioneve. Dhe bashkëpunimi korrekt dhe respektues me opozitën, do ta bënte informacionin e tyre më të peshuar për të dhënë në Bruksel ato që ndodhin realisht në Shqipëri dhe jo ato që dikton interesi i tyre korruptiv.

Kujt i prish punë në këtë marrëdhënie të thuhet, që SPAK-u po e sjell krimin elektoral vërdallë?!
Klientelës së regjimit?!
Çfarë bëri SPAK-u për dosjet e krimit elektoral 184 dhe 339 të pushtetit lokal, por edhe të zgjedhjeve të mëparshme? Një vrimë në ujë. Kemi të gjithë të drejtën sot të themi, se është i gjykuar nga opinioni si bashkëpunëtor me krimin. Dosjet po ngrohin vezët e krimit nën puplat e SPAK-ut, ndonëse ka përgjime dhe prova të shumta që po të fillosh e t’i shqyrtosh, ta lehtësojnë punën hetimore, sepse spiunojnë njëra-tjetrën duke e nxjerrë krimin në dritë.

Tërë procesin elektoral të zgjedhjeve të 11 majit e ka mbytur balta e krimit, që kur filloi, deri sa qeveria, grabitjes së zgjedhjeve, i vuri kurorën e fitores për veten e saj.

Delegacionit të vëzhgimit të Parlamentit Europian i atashuar vetëm disa javë për zgjedhjet elektorale të 11 majit, iu desh vetëm disa javë kohë që të konstatonte se strukturat kriminale po bllokonin rotacionin politik në Shqipëri.

Dhe këtë e bëri eurodeputeti Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri dhe koordinator i grupit parlamentar të EPP në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

Ishte një informacion i fituar drejtpërdrejt nga vetë delegacioni europian, pa shtrembërimin e Gonzatos apo paraardhësve të tij, që në një farë mënyre përmbajnë praktika të korruptuara të cilat nuk i kanë shërbyer me korrektësi ndihmës së zhvillimeve në Shqipëri.

Irena Gjoka është shumë më shumë se një personazh i cili na nxjerr fotografinë e regjimit sa herë e kujtojmë apo sa herë që e përmend dikush në shtyp apo gjetkë. Në kuptimin figurativ, ajo është një vezë e prishur që vazhdon të kryejë misionin e saj të mbrapshtë në një segment mjaft të rëndësishëm të drejtësisë së sotme.

Dihet se pula që e polli këtë vezë të prishur që ka qelbur dynjanë anembanë Shqipërisë, por edhe më gjerë, është reforma sorosiane e drejtësisë e dizenjuar në atë mënyrë që t’i shërbente vetëm pushtetit, për të cilën ajo e kishte vrarë mendjen deri në thellësi.

E çfarë mund të gjesh ndonjë gjë tjetër për SPAK-un dhe t’i bësh vlerësime, ose t’u bësh thirrje njerëzve për ta besuar drejtësinë e tij që jep, ku mjafton të bëhet hetimi i paanshëm i gjirizit në sistemin e drejtësisë, për të kuptuar se çfarë është drejtësia shqiptare sot.

Vërtet që para dy muajsh u përhap një lajm, se në Shqipëri në fillim të 2026 do të vijë një komision faktëmbledhës nga PE, i cili do të ketë mundësinë të verifikojë nga afër gjendjen skandalizuese të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Ndonëse është vonë, sepse diktatura po përparon në çdo drejtim për ta bërë edhe fakt juridik regjimin e saj, përsëri do të ishte vërtet shpresëdhënëse, kur të shikohen prej tyre faktet nga afër, kur të preken rastet me dorë dhe kur të futen në gjirizet e fëlliqura të Tabel Sarajit, drejtësisë dhe SPAK-ut, atëherë do të krijohej një panoramë e qartë realiste e gjendjes në Shqipëri, e cila ndryshon pa krahasim me fotografitë e zbukuruara me "photoshop", që dizenjatori dërgon në Bruksel, i ndihmuar pa asnjë dyshim edhe nga ambasadorët e BE të atashuar në Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco