Nga Agim Nesho - 09:53, 03/08/2025
Intervista e fundit e kryeministrit Rama në shtypin gjerman mund t’ju ketë sjellë një ndjesi humori atyre që e kishin zgjedhur personazh në këtë sezon vere me temperatura të larta, ku limonatat dhe novelat përbëjnë argëtimin kryesor. Ajo që u vlerësua në Shqipërinë e Monarkut “demokrat dhe shpirtlirë” ishin komentet e gjetura dhe plot vërtetësi të intelektualit të shquar Fatos Lubonja dhe analistëve të shkëlqyer si Andi Bushati, Ambrozia Meta dhe Enton Abilekaj, të cilët edhe se ishin të privuar në hapësirat e intervistës treguan realitetin e ndryshëm dhe të vërtetë shqiptar.
Pas farsës elektorale të 11 Majit, dhe demaskimit total të regjimit të tij autokrat elektoral, Rama po bën përpjekje për të rindërtuar imazhin e tij si një lider liberal, plot pasion dhe me mision për të ndryshuar vendin e tij. Në “Politico” dalin intervista të ish-anëtarëve të kabinetit të BE që e përcaktojnë Ramën si “udhëheqës të madh për një vend të vogël”; në “Bloomberg” flitet për vendosmërinë e tij për të shkatërruar çdo gjë të vjetër dhe për të ndërtuar Shqipërinë turistike të vizionit të tij; në Bavari i bëhet jehonë lavdërimeve të Ramës për Ludwig-un e II të Bavarisë ose “mbretin e çmendur”, që përdori gjithë pasurinë e tij për të ndërtuar kulla dhe kopshte, të cilat i kanë rezistuar kohës. Rama kërkon të dalë si një misionar që kërkon të transformojë vendin e tij, që paragjykohet nga opozita dhe qarqet mediatike të vendit, por që nuk e kanë ndaluar në rrugën e tij me “Edin në Europë”.
Në intervistën për “DieZeit”, Rama e portretizon veten si një viktimë e një ish-shoqërisë diktatoriale që pengon vizionin dhe projektet e tij për të ardhmen. Ai distancohet nga korrupsioni duke nënkuptuar se përgjegjësia është personale, dhe se ka bashkëpunëtorë që “hanë kumbulla dhe dardha” pas shpinës së tij. Ai përbuz lakejtë çorape-grisur të mediave, për të cilët shprehet se i kanë shkaktuar shumë dhimbje në familjen e tij, por i kupton që rruga e tyre e përbashkët me të janë ruajtja e investimeve korruptive. Nuk është ai që ka kapur shtypin, por janë këto lëtyra mediatike që sot duket sikur përkrahin atë,por në fakt mbrojnë investimet e tyre me resorte e hotele, me fonde të keqpërdorura nga inceneratorët.
Ai neverit opozitën që kërkon ta penalizojë për aftësinë e tij “mahnitëse” për të personalizuar shtetin. Ai ndjehet komod nga një opozitë familjare, që në shumë raste nuk e lejon të shijojë filmat i shtrirë në minderet e sarajeve të tij.
I vetmi moment sinqeriteti në intervistë është shprehja e dalë nga subkoshienca e tij se po ta mund opozitën e sarajeve asgjë nuk e ndalon të bëhet mbreti i Shqiptarëve. Mbret i Shqiptarëve, se mbretëreshë e Shqipërisë është Georgia sipas shtypit Italian, me nënshtrimin e Ramës. Për gazetarët e Die Zeit, kjo ishte një mbyllje e gjetur për një intervistë verore; për shqiptarët një realitet i errët që po ndodh.
Ludwig, mbreti i çmendur i Bavarisë, është rikthyer në Europë, më madhështor dhe më i fortë. I vetmi ndryshim është se projektet e ndërtimit Ludwig II i bënte me pasurinë e tij, ndërsa Ludwig-u i Tiranës me fondet dhe pasurinë publike. Misteri i vdekjes së Ludwig-ut të Bavarisë si dhe opsioni i eliminimit të tij nga elitat princërore të Gjermanisë për të shpëtuar shtetin duket si një përrallë e largët për shqiptarët, por edhe për gazetarët gjermanë që i dhanë freski çmendurisë ballkanike në një verë të nxehtë të vitit 2025.
© SYRI.net