Në thelb, Shallvarja me dyzet kut pëlhurë po përpiqet të ligjërojë qesëndinë si krim politik – një praktikë që njihet mirë në federatën autokratike ruse, në regjimin represiv të Bjellorusisë apo në Turqinë e Erdoganit, ku mijëra qytetarë janë ndëshkuar për “fyerje ndaj presidentit”. Dhe sot, Shqipëria e Shallvares – në një moment kur i ka asfiksuar de facto liritë – nxiton t’i konsakrojë edhe de jure, duke përkthyer mekanizmin e censurës në gjuhën e saj zyrtare.
Shallvarja ka ndërmend të njëjtësohet ligjërisht si simbol kombëtar (“mbrojtje e simboleve kombëtare”). Në thelb, ai përbën një hap të drejtpërdrejtë drejt shpartallimit të lirisë së shprehjes – një nga shtyllat themelore të çdo demokracie funksionale. Nëse ky ndryshim miratohet, ai nuk do të shërbejë për të mbrojtur autoritetin e institucioneve, por për të shtypur çdo opozitë politike e civile dhe zërin e qytetarit kritik; për të ngrirë ironinë, satirën, protestën; për të ngritur një mur ligjor midis pushtetit dhe popullit.
Shallvares me syzet, kut pëlhurë, pushtet nuk i intereson mbrojtja e simboleve. Një përdhosësi të gjithçkaje nuk i plas për simbole – përveç kur i përdor për t’i tallur. Dhe këtë po bën. Dhe jua them: do ta arrijë. Ngjashëm me sivëllezërit e tij Putin, Llukashenko e Erdogan.
Shallvarja po ndjek hapat e diktatorëve paraardhës, ku u miratuan këto lloj ligjesh:
Rusia
Në vitin 2012, Rusia riktheu kriminalizimin e shpifjes në Kodin e saj Penal, pas një periudhe dekriminalizimi. Ligji ndalon shpifjen dhe fyerjen e figurave shtetërore, duke përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo ka çuar në ndjekje penale të individëve që kritikojnë autoritetet, duke shkelur lirinë e shprehjes.
Bjellorusia
Në Bjellorusi, ligjet për shpifjen dhe fyerjen janë përdorur për të ndëshkuar kritikët e qeverisë. Për shembull, neni 368 i Kodit Penal ndalon fyerjen e Presidentit, me dënime që mund të arrijnë deri në pesë vjet burg. Këto ligje janë përdorur për të persekutuar gazetarët dhe aktivistët politikë.
Turqia
Në Turqi, neni 299 i Kodit Penal kriminalizon fyerjen e Presidentit, me dënime që variojnë nga një deri në katër vjet burg. Ky nen është përdorur për të ndjekur penalisht individë që kritikojnë Presidentin, përfshirë gazetarë dhe qytetarë të zakonshëm. Një shembull i njohur është rasti i Merve Buyüksaraç, ish-Miss Turqia, e cila u dënua për një poezi satirike që ajo postoi në Instagram.
Shqipëria
Në Shqipëri, për shembull, neni 55 i Kodit Penal gjatë periudhës komuniste kriminalizonte shakanë ose edhe aludimin si të tillë ndaj ndonjë teme tabu – një praktikë terroriste dhe shtypëse. Hierarkët e saj ishin parardhësit e PS-së dhe të Shallvares. Por të jemi të qartë: Shallvares nuk i intereson ideologjia, por mekanizmi i kontrollit dhe shtypjes. Prandaj po e rikthen nenin “55” të etërve të tij.
Populli shqiptar, masa, është zhgënjyer me lirinë; e urren në kockë atë dhe nxiton të heqë qafe sa më parë mbeturinat e fundit të saj. Njerëz si puna ime – dmth., si ju – janë tejet të urryer. Andaj do të jenë grushtbashkuar rreth Shallvares. Populli pret sa më parë t’ia stampojë kafkën dhe profilin në një monedhë. Thonë se po bëhen provat e para për emetimin e monedhës së ardhshme...