Lajmi i fundit

'Atdheu thërret, diaspora përgjigjet'/ Mijëra emigrantë mbërrijnë në Tiranë, kërkohet largimi i Ramës

Turizmi që nuk po shkrep

Turizmi që nuk po shkrep

Nga Ilir Kalemaj - 13/07/2025

Me ç’duken bathët, plazhet bosh të rivierës së jugut bash në kulm të sezonit turistik, po prodhojnë një tension të kuptueshëm për kryetimonierin e vendit. Barazimi dhe tejkalimi i çmimeve të hotelerisë, ushqimeve dhe shpenzimeve në përgjithësi qysh këtë vit me vendet fqinjë (mjaft të shohësh në booking kontrastet me Greqinë dhe Malin e Zi çmimet në të dy anët e kufirit), ka sjellë një frenim jo të pakët të turistëve që po zbulojnë që reklama e mbipaguar që kanë parë para se të vinin në Shqipëri, shpesh nuk justifikohet me raportin çmim/cilësi. Ndërkohë që nuk bëhet fare analizë për anën tjetër të turizmit, si për shembull dyfishimi apo trefishimi i çmimeve për vendasit, mospërballimi i infrastrukturës, mungesa e furnizimeve adekuate përgjatë sezonit, cilësia e dobët e shërbimit si rezultat i rritjes së fluksit në kurriz të turistit vendali, mungesa e respektimit të parametrave mjedisorë etj. 

Nga ana tjetër, djegia e plehrave në qiell të hapur në Vlorë, Elbasan dhe gjetkë, mungesa e ujit të pijshëm pothuajse në të gjithë gjatësinë bregdetare, ujërat e zeza që derdhen lirshëm në dete, liqene dhe lumenj, mbeturinat që të rrethojnë kudo nga jugu në veri, streset e trafikut të pamëshirshëm në çdo orë që shoqërohen me vapën e padurueshme të kësaj vere, mungesa e infrastrukturës bazë që fillon nga parkimi apo siguria rrugore, bën që dhe turisti më i çartur ta konsiderojë dy herë ofertën. Si qershiza mbi tortë është turizmi i aventurës si ai që pamë pak ditë më parë në Theth ku turistët po vraponin të shpëtonin nga qytat e gjata të armëve me të cilat policia kishte rrethuar banorët e zonës, ndërsa të tjerë u çuan të lebetitur nga sollëkimat dhe mallkimet e punonjësve të IKMT-së që vinin era shtet. 

Por turistët dhe emigrantët të cilët sipas shifrave zyrtare kanë blerë të paktën vitin e kaluar rreth 23 përqind të pronave në Jug, duhen me patjetër, përtej të ardhurave që sjellin drejtëpërdrejtë, si për arkën e shtetit përmes tvsh-së ashtu dhe për banorët e zonës apo investitorët strategjikë. Nëse këtë vit bien ndjeshëm shitjet ndërkohë që vargan kullash janë duke u ndërtuar apo priten të ndërtohen në Tiranë dhe Jug, kjo mund të sjellë një dizekuilibër të fortë në financat e shtetit. Kjo së bashku me shenjat e frenimit të parasë së pistë që pastrohet në lavatriçet e kullave dhe si rezultat i forcimit të kontrolleve nga vendet partnere, lë “jetim” vetëm paranë e korrupsionit vendor që synon të rilindë përmes shumëkatëshve alogjikë. Dhimbje koke jo të vogla për mazhorancën e 83+3 kartonëve. 

Por aksioni i cili nisi nga Vlora dhe po përfundon në Theth, po lë mbrapa një tufë rrënojash duke shkatërruar ekonominë lokale, duke trembur turistët si zogjtë shtegtarë kapur në tramundanë dhe duke ndjellë një klimë pesimizmi të pazakontë. Kjo sepse njëkohësisht dhe paradoksalisht po promovohet “paketa e maleve”, ku me një aplikim 5-minutësh mund të shpallesh lehtësisht investitor strategjik. Kuptohet nëse i ke puqur brirët paraprakisht dhe ke dhënë “kafen” aty ku duhet. Pra, me 500 fjalë projekt mund të flesh pa tokë dhe të gdhihesh pronar. Por duket se llogaritë janë bërë pa hanxhinë se vendasit apo emigrantët nuk do të guxonin të investonin pasi panë ç’po ngjet në Theth ndërsa oligarkë vendas dhe të huaj duhet të mendojnë dy herë investimin se tokën e të parëve shqiptari s’ta fal kollaj. Ndaj dhe “strategjikët” e maleve vështirë të bëjnë prokopi për vedi e të ndihmojnë ekonomitë lokale sikundër u trumbetua. Akoma më pak gjasa ka që të mbushin arkën e shtetit që po kërkon dëshpërimisht mënyra të një rritje të qëndrueshme. Se nuk janë pak premtimet që kryetimonieri dhe supermazhoranca i’u kanë bërë grupeve që ndihmuan në fushatën zgjedhore për arritjen e rezultatit “historik”. 
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco