16 vite, Kosovë e pavarur!

16 vite, Kosovë e pavarur!

Nga Sali Berisha - 17/02/2024

Sot është 16-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Ne shqiptaret jemi i vetmi komb në Europë që festojmë dy ditë pavarësie: Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912, pa të cilën nuk do kishte shtet shqiptar dhe as Kosovë të pavarur dhe Pavarësinë e Kosovës me 17 shkurt 2008, pa të cilën kombi ynë nuk do të ishte një komb i lirë. Ndaj dhe sot shqiptarët në Kosovë, Shqipëri kudo që janë në mbarë botën festojnë ditën e pavarësisë së Kosovës si ditën e dytë më të madhe të lirisë së tyre pas pavarësisë së Shqipërisë.

Kosova e lirë dhe e pavarur ka në themele shpirtin e pamposhtur të qytetarëve të saj ndaj barbarive dhe gjenocidit ciklik serb, ka luftërat, gjakun, qëndresën epike dhe sakrificën sublime të qindra e mijëra martirëve të saj që luftuan dhe ranë për t;u bërë të pavdekshëm për liri dhe dinjitet kombëtar nga vitet 1860 në vitet 1999, ka luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të komandantëve dhe luftëtarëve të saj të lirisë, si faqja më e ndritur në historinë e luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas atyre të prijësit tonë të përjetshëm, Skënderbeut.

Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitektit të saj, politikanit mendjendritur të kombit shqiptar, Presideniti Ibrahim Rugova, Gandit të Ballkanit dhe Europës, që thuri tek shqiptarët e Kosovës, ëndrrën e tyre më të bukur e më fisnike të njeriut të civilizuar, për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe që ngriti, në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur - paralel me pushtetin e pushtuesve barbarë.

Presidenti Rugova arriti ta shndërrojë kauzën e lirisë së shqiptarëve të Kosovës në çështje kryesore të axhendës së SHBA dhe vendeve të lira perëndimore!

Pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari, që shënoi zentin e trimërisë, heroizmit dhe të sakrificës njerëzore si dhe e heronjve të tjerë të pavdekshëm dhe dhjetëra mijëra luftëtarëve të lirisë të cilët me guximin, heroizmin, sakrificën e tyre çliruan Kosovën.

Pavarësia e Kosovës është kryevepra e shqiptarëve si komb kudo në botë që me moton “Një komb, një qëndrim” u bashkuan si një trup i vetëm dhe Shqipëria pas çlirimit të vet nga diktatura hoxhiste luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm!

Por Kosova u bë e lirë dhe e pavarur vetëm falë mbështetjes së fuqishme dhe rolit përcaktues të SHBA, të Kongresit të këtij vendi dhe Presidentit Bill Clinton dhe Presidentit George Ë Bush, vendeve të mëdha të Perëndimit dhe vendeve anëtare të NATO-s në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës!

Sot, në këtë 16-vjetor, me arritjet e saj mahnitëse për një kohë të shkurtër si vend i pavarur, Kosova bën krenar çdo shqiptar. Ajo është tashmë një demokraci funksionale që ka konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor dhe arritur standartet më të larta të garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave në rajon.

Ajo u ngrit si feniksi nga hiri dhe shkrumbi që lanë pushtuesit dhe ka sot një ekonomi solide në rritje, ka ndërtuar infrastrukturën me moderne në rajon.

Kosova është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më të lirë në trojet e tyre. Ajo në këto vite ka bërë emër botëror me talentin e rrallë dhe zërin magjepsës të divave të saj dhe shkëlqimin e yjeve dhe mbretëreshave të saj në sport.

Kosova këto vite është përballur me shantazhe, provokacione të serbomëdhenjve të Beogradit dhe vasalëve të tyre të Tiranës, përkatësisht, të serbomadhit Aleksandër Vuçiç dhe argatit të tij Edi Rama, që nuk heqin dorë nga projektet për ndarjen e saj. Por pavarësisht nga këto, ajo ka qëndruar gjithnjë një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, për çka meritoi dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

Ndaj dhe le të urojmë të dashur miq, shqiptarët në Kosovë dhe kudo ku janë: Gëzuar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti i bekoftë shqiptarët dhe miqtë e tyre!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco