Si u përvetësuan miliona euro te kontrata e inceneratorit të Tiranës?

Si u përvetësuan miliona euro te kontrata e inceneratorit të Tiranës?

Nga Ola Xama - 16/11/2023

Nga Ola Xama

Enigmat e aksionerëve të kompanisë offshore Geogenix u zgjidhën. Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës. Që nga nisja e zbatimit të kontratës dhe deri në momentin e sekuestrimit, shteti ka paguar 56.2 milion euro për koncesionin.

Nga këto, 39.2 milion euro për janë përfituar nga kompanitë e lidhura me dyshen Zoto-Mërtiri, ‘ITS’, ‘Zoto Consulting’ dhe shoqëritë fiktive që ishin hapur në emër të disa individëve që u ishte vjedhur identiteti.

Një pjesë tjetër e parave që kanë shkuar drejt kompanisë Geogenix, kanë qarkulluar më pas në dy llogari bankare, njëra në Zvicër dhe tjetra në Bullgari. Mërtiri dhe Zoto kryenin transaksionet nga Hollanda drejt shteteve të tjera duke përdorur si umbrellë llogaritë e shoqërisë Geogenix.

Vendimet dirigjoheshin nga ata të dy, ndërsa firmat i vendosin shtetas hollandezë, në dukje drejtues të rëndësishëm, por që në fakt hetimi ka zbuluar se marrëveshja mes tyre dhe pronarëve shqiptarë bazohej në një rrogë mujore 1500 euro, për të shkuar në një zyrë konsulence disa herë në muaj dhe për të nënshkruar.

Hetimi ka gjetur se incenerator nuk ka dhe se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri nuk kishin para për ta ndërtuar dhe pse kishin përfituar dhjetra miliona. Ata prej disa vitesh ishin në kërkim të një financuesi që të jepte vlerën 100 milion euro për të ndërtuar objektin.

U gjetën disa italianë që u deklaruan si pronarë, por që nuk hodhën asnjë cent. Kontrata ishte për të marrë dhe jo për të dhënë dhe të pritej kthimi i investimit më vonë, si në çdo biznes normal.

Në ekuacionin e hetimit, Prokuroria e Posaçme nuk ka zbuluar të panjohurën kryesore: incinerator nuk ka, paratë nga buxheti i shtetit janë dhënë në vlerë afërsisht 60 milion euro dhe 40 milion euro nga ndërtuesit për depozitimin e dherave.

Një pjesë kanë shkuar në llogaritë e kompanive të pronarëve (Zoto e Mërtiri), dhe një pjesë në llogaritë jashtë. Sa para janë gjetur në këto llogari dhe a janë sekuestruar apo kanë qënë bosh? Nëse kanë qënë bosh, në xhepat e kujt kanë përfunduar?

A ka ndonjë zyrtar tjetër përgjegjësi për këtë aferë me përjashtim të Alqi Bllakos që i janë gjetur 120 mijë euro pagesa për kompaninë e babait të tij? Të gjithë kontratën e inceneratorit të Tiranës, vendimet e komisionit, financimin, mungesën e monitorimit, insistimin për të paguar persona që ishin në kërkim, ai e bëri nga qelia?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco