Dy fjalë për posterat e PS-së që pyesin 'a qesh bukur Edi Rama?'

Dy fjalë për posterat e PS-së që pyesin 'a qesh bukur Edi Rama?'

Nga Luçiano Boçi - 18/04/2023

Prej disa ditësh fytyra e Edi Ramës shkëlqen paligjshëm në postera të mëdhenj dhe në billboard-et e qytetit të Elbasanit, bashkë me sloganin e fushatës së PS. Shteti që shkel ligjin në mënyrë arrogante dhe në mes të ditës është një paralajmërim shumë i keq për zgjedhjet e afërta.
 
Ajo që po ndodh është dramatike në raport me standartet e zgjedhjeve, ndërsa njerëz pranë opozitës fotografohen, telefonohen, kërcënohen me bukën e gojës. Kërcënimet prekin edhe familjarët, punën e vëllait e të motrës, biznesin e dhëndrrit dhe jetën e kushërinjve të afërt.

Në të paktën një rast opozita ka dëshmuar me prova edhe blerje votash me cash dhe të gjitha këto, përfshi dy padi penale për drejtorë të lartë të bashkisë Elbasan, do të shkojnë në SPAK, pavarësisht gjithçkaje.
 
Ndërkohë një mazhorancë që shkel ligjin ditën për diell, ka javë që e ka zhvendosur interesin publik nga debati thelbësor “si qeveriset qyteti”. Posteri i PS-së ngren vetëm pyetjen “a qesh bukur Edi Rama?”. 

Përgjigja e opozitës mbetet proverbiale “qesh mirë kush qesh i fundit”.
 
Përpjekja për të krijuar artificialisht tension, ndasi ideologjike dhe distancë mes interesave të qytetarëve që jetojnë derë më derë është moralisht e ulët dhe politikisht e dënueshme. Komunitetet territoriale ndajnë fate të përbashkëta dhe kanë nevojë për zgjidhje që përbashkojnë përpjekjet, jo që i largojnë ato.
 
Në këtë kuptim, nuk ka politika të majta apo të djathta – aty ku varfëria është shtruar këmbë e kryq. Nuk ka politika të majta apo të djathta për të shpëtuar nënsektorin e ullirit, atë të gjedhëve apo për të fuqizuar prodhimin bujqësor.

Ka kujdes ose mungesë kujdesi. Ka investime publike ose nuk ka.

Ka mbështetje sektoriale ose nuk ka. Çdo spekullim ideologjik është një formë për të shtrembëruar fokusin e publikut dhe raportin e tij me të vërtetën.
 
Qyteti kërkon dashuri dhe vëmendje.

Cinizmi i një buzëqeshjeje që prej Tirane shtrihet deri në Elbasan për të shkelur ligjin dhe për t’u thënë qytetarëve se me mjerimin e tyre dikush ka ndërmend vetëm të zgërdhihet, meriton përgjigjen tonë proverbiale: Qesh mirë kush qesh i fundit...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco