Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Non grata

Non grata

Nga Hysni Gurra - 02/02/2023

Ka patur një moment për të folur për ‘non gratën’ dhe Edi Rama me taborrin e tij ka heshtur. Asnjë reagim. Momenti ka qenë kur u publikua në twitter njoftimi i sekretarit Blinken për Sali Berishën. Fill pas zgjedhjeve të 21 prillit 2021.

Në atë kohë Edi Rama jo vetëm heshti, por kësaj heshtje tinzare i parapriu oferta e pa dëgjuar ndonjëherë për opozitën. Në daljen e parë televizive pas zgjedhjeve parlamentare ai u betua e u stërbetua se me opozitën, dhe këtu veçonte partinë demokratike, ishte gati të bënte çdo gjë. ‘Tabula Rasa’. Le të kërkojnë çfarë të duan. Ata janë opozita e vendit.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga prilli i 2021. Sot Edi Ramës i ka mbirë në gojë fjala ‘non grata’.

Sot më shumë se kurrë.

Afera Rama-McGonigal tregoi një gjë shumë të qartë: se çfarë mendon Rama për amerikanët, për institucionet amerikanë dhe në përgjithësi çfarë mendon ai për njerëzit me pushtet. Ai mendon se, kushdo blihet, kushdo tundohet, kushdo është në treg për t’u shitur. Nuk ka faj. Në Shqipëri pastruesja e një drejtoreshe mban 500 mijë euro kesh në shtëpi.

Kur Rama investohet kaq fuqishëm, kaq pacipësisht ndaj viktimës së tij Lulzim Basha, imagjino se çfarë është bërë për të përcaktuar non grata Sali Berishën. Koha është gjykatës i pa mëshirshëm. Sali Berishës mund t’i vesh çfarëdolloj akuze të duash, çfarëdolloj akuze të fantazosh, por nuk mund ta akuzosh për ‘korrupsion domethënës’. Sali Berishën nuk mund ta akuzosh për ‘minim të demokracisë’, se nëse këto dy akuza qëndrojnë për Sali Berishën, Edi Rama duhet akuzuar për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Korrupsion domethënës? Ajo çfarë po bëhet këto vite në Shqipëri (pa ju referuar indeksit si vendi më i korruptuar në Europë nga Transparency International) ia kalon fantazisë më kreative të personit më të korruptuar në botë.

‘Minim i demokracisë’ është një etiketë që i rri shumë e vogël Edi Ramës që kriminalizoi PS-ën, kriminalizion Parlamentin dhe kriminalizoi politikën me një dyzinë emrash nga bota e krimit. Investimi i tij, jo për të dëmtuar, por për të shkërmoqur opozitën nuk njeh një rast të dytë që nga demokracia e Athinës.

Afera Rama-McGonigal, sigurisht do të bëhet libër dhe film, por çfarë ndodh me institucionet demokratike në Shqipëri?

Nuk denjon as të lejojë interpelancë në Parlament në dhunim të rregullit, ligjit, precedentit, moralit.

Nuk lejon ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për këtë çështje.

E imagjinoni ju që SPAK-u, këta heronj të fondeve publike, të lëvizin gishtin. Se në Amerikë ca punonjës të FBI, po kontrollojnë shtëpinë e Presidentit.

Vetë Rama thotë se ‘nuk ka asgjë, është çështje amerikane, është flluskë, u mbars mali etj etj.’ Kur nuk ka asgjë, pse i fshihesh asgjësë? Nuk ka çështje thotë? Kjo është e vërtetë, por vetëm me kushtin e heqjes së emrit të Edi Ramës nga akuza amerikane dhe Fletë-Thirrja e Jurisë së Madhe. Nëse hiqet emri i Edi Ramës, është lajm i mirë për McGonigal se heq një telash të madh.

Jemi vetëm në fillim të hapjes së petëve të lakrorit të një afere që mban më shumë erë se afera incineratorëve, është më e zezë se favorizimet e Deripaskës në fushën e naftës dhe më amoralja në historinë e tranzicionit të Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco