Kur gjakpirësit e pushtetit nuk ngopen me sakrificat ekstreme të pedagogëve!

Kur gjakpirësit e pushtetit nuk ngopen me sakrificat ekstreme të pedagogëve!

Nga Agim Nesho - 01/11/2022

Nesër, pedagogët që po protestojnë për të drejtat dhe dinjitetin e tyre, për institucione të vërteta të dijes dhe shkencës për të ngritur ndërgjegjën e kombit dhe mbajtur studentët në vendin e tyre, kanë deklaruar se do të hyjnë në grevë urie. 

Kur greva e urisë shikohet si mjet për të zgjidhur problemet me një qeveri arrogante dhe të korruptuar dhe kur këtë e ndërmerr ajka e inteligjenës së vendit, kuptohet se regjimi ka shkuar shumë larg dhe nuk ka moral më për të drejtuar vendin.

Arroganca vjen nga korrupsioni i madh dhe frika nga transparenca, indiferenca nga siguria që i sjell shteti i kapur, mosdhënia e zgjidhjes nga paaftësia dhe mungesa e vizionit për rolin formues të Universitetit dhe përgatitjen e brezit të ri. 

Kur prioritetet e qeverisjes së vendit si shkenca dhe dija ngatërrohen me prioritetet e kanabisit, PPP-të klienteliste apo zbukurimet e panevojshme, kjo qeveri meriton të largohet sa më shpejt nga qeverisja e vendit. 

Partia e Lirisë, duke e parë me shqetësimin më të madh situatën, i bën thirrje Qeverisë të reflektojë dhe plotësojë menjëherë kërkesat e pedagogëve. Zgjidhja financiare është e mundshme por mungon vullneti politik.  

Mjafton skandali i shpenzimeve të luksit me charter të Kryeministrit Rama që kap vlerën e 22 milionë eurove, që dëshmon se financat janë por nëse përdoren drejt mund të zgjidhnin edhe kërkesat e nevojshme dhe modeste të pedagogëve.  

Problemi me këtë klikë qeverisëse është mos përkrahja dhe përbuzja e çdo intelektuali, institucioni dhe iniciative akademike, që do t'i jepte vendit perspektivë perëndimore dhe të ardhme të sigurtë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco