Shqipëria ka vetëm një PD, atë që u forcua edhe më shumë në Kuvendin e 30 prillit!

Shqipëria ka vetëm një PD, atë që u forcua edhe më shumë në Kuvendin e 30 prillit!

Nga Tritan Shehu - 02/05/2022

Kuvendi i 30 Prillit ka rëndësi të veçantë në procesin e formatimit e konsolidimit të PD, gjë që do të kompletohet me zgjedhjen e Kryetarit të partisë. Shqipëria ka vetëm një PD, atë që u forcua më tej në Kuvendin e 30 Prillit. 

U krye kështu një hap i rëndësishëm edhe përbashkues, proces ky që vazhdon e do të vazhdoje pa ndërprerje. 

Uroj KK të dalë, por theksoj se edhe ata që nuk kaluan pragun janë shumë të vlefshëm dhe pjesë e rëndësishme e PD. Procesi që prej dhjetorit është një proces transparent, gjithëpërfshirës.

Në Kuvend kishte një numër të madh deputetësh, disa të tjerë nuk morën pjesë, por nuk është e vërtetë se ata iu kundërvunë atij e procesit.

Janë rreth 4-5 prej tyre, Alibeaj, Bardhi, Tabaku, që qëndrojnë të ngurtësuar larg, për arsye jo principiale.

Por ky është një proces në vazhdim, jemi në një 'tren' që ecën me 'dyer të hapura', që nuk ndalon.

Ndërsa mos qenia e z. Alibeaj si Kryetar Grupi nuk do të thotë përçarje të PD, përkundrazi.

Z.Alibeaj e humbi shansin e tij për të qenë bashkues.

Dokumenti i parë që firmosi ai si Kryetar i Grupit është ajo paçavure përjashtimesh e pezullimesh, që z.Rushaj nuk pranoi ta firmoste e dha dorëheqjen.

Mos harrojmë se ai nuk ka kërkuar kurrë ndjesë për atë, përkundrazi i ka thelluar qëndrimet përçarëse. 

Grupi Parlamentar është një strukturë e PD, shumë e rëndësishme me deputet e nderuar në atë, por vendimet politike, strategjike etj, i marrin organet drejtuese të PD.

Parimi universal për çdo deputet është të dialogojë me elektoratin e tij, por më tej ta ndjekë atë, ndryshe bën “divorcin” me bazën, nuk merr më votat e saj. 

Deputetët janë anëtarë të KK, në të gjithë të zgjedhurit prej 25 Prillit nën siglën e PD jemi bashkë pjesë e Grupit Parlamentar, kjo është e pa diskutueshme, askush nuk mund ta vërë në dyshim këtë.

PD janë masa e njerëzve të saj, idetë e saj, gjë që tashmë është e qartë ku qëndrojnë.

Kjo masë e madhe zgjedh drejtuesit-kjo është demokracia.

Dhe pikërisht për të respektuar diversitetin e nevojshëm, ne kemi vendosur fraksionet në parti.

Shumica e dalë nga vota merr vendimet politike e strategjike, pakicat respektohen e luajnë një rol të rëndësishëm.

Ne duhet të përfundojmë organizimin e PD para verës, që më tej t’i përvishemi përgatitjes për zgjedhjet lokale, duke u bashkuar të gjithë e u zgjeruar edhe me të tjerë.

Prandaj nuk kemi kohë e mundësi të ndalojmë 'trenin', që ecën me dyer të hapura.

PD ka ditur e mund të bashkohet, edhe kur është ndarë.

Berisha di e mund të bashkojë.

Këtu flas dhe për bashkëpunimin me të gjitha forcat e tjera në vend, europeiste e pro-perëndimore, që duan të luftojnë për përmbysjen e këtij regjimi.

Unë personalisht mbështes Berishën për Kryetar të PD, si të vetmin midis nesh, që mund të realizojë këto objektiva.

Por secili është i lirë të vendosë kandidaturën, edhe Basha edhe Alibeaj….

Më tej, si në çdo demokraci, do të vendosë vota e anëtarësisë me 22 Maj.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco