Mbi modelin Ramiz Alia

Mbi modelin Ramiz Alia

Nga Genc Pollo - 24/11/2021

Në 31 mars 1991, katër muaj pas themelimit të Partisë Demokratike, u mbajtën zgjedhje parlamentare, të cilat, për herë të parë mbas katër dekadash e gjysmë, ishin pluraliste. Partia e Punës në pushtet fitoi afro 2/3 e mandateve. Në bazë të Dispozitave Kushtetuese të miratuara pak javë më vonë, e që garantonin një rend politik demokratik, Ramiz Alia u zgjodh President i Republikës me këto 2/3 të votave në Kuvend. Në 22 mars 1992, në të parat zgjedhje parlamentare edhe pluraliste edhe të lira e të ndershme, Partia Demokratike në opozitë fitoi afro 2/3 e mandateve. Ramiz Alia dha dorëheqjen pas pak javësh. Mandati i tij ishte pesëvjeçar e Dispozitat Kushtetuese parashikonin vetëm tradhtinë e lartë e pamundësinë shëndetësore, përveç dorëheqjes vullnetare, si shkaqe për shkarkim. E megjithëse mazhoranca e re nuk kishte mjete ligjore për ta larguar nga posti Alia urtësisht e kuptoi se për të, si relike e së shkuarës komuniste, ishte i pamundur kohabitacioni në epokën që po fillonte.

Ndoshta dikush mund të befasohet kur unë paraqes si model të pjekurisë politike veprimin e të fundmit të sunduesit komunist mbi të cilin rëndojnë plot zullume të mëparshme. Por kjo është historia, e cila e parë në distancë e pa pasione të shërben edhe si mësuese siç shprehej Ciceroni.

Tre dekada më pas, fill pas humbjes së radhës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, në Partinë Demokratike u mbajtën votime të brendshme. Një shumicë prej afro 2/3 rikonfirmoi të njëjtët drejtues të partisë. Një gjysmë viti më pas, 2/3 e delegatëve të kuvendit partiak kërkon të ndryshojë jo vetëm statutin e programin e PD-së por edhe drejtuesit e saj. Në anëtarësinë e partisë mbështetja për këto ndryshime është dukshëm edhe më e lartë.

Në të dyja rastet mazhoranca, si lavjerrës politik, zhvendoset nga një krah në tjetrin brenda pak kohe. Krahasimet në histori nuk janë të kollajshme; por ka një paralele midis lavjerrësit në v. 1991-92 dhe në v. 2021. Shpjegimi më i dukshëm për votimin e parë është letargjia e inercia. Votuesit ende nuk ishin të ndërgjegjshëm për nevojën për ndryshim si dhe për rolin e mundësinë e tyre për të realizuar këtë ndryshim. Votimi i dytë ndodh qartazi pas ndërgjegjësimit e çlirimit dhe në mundësinë e zgjedhjes.

Te reagimi ndaj lavjerrësit nga ana e sunduesit komunist dhe nga drejtuesit aktualë të PD-së mbaron paralelja e fillon kontrasti. Drejtuesit e PD fillimisht mohuan a-priori mundësinë e mbledhjes së kuvendit partiak edhe pse ky ishte tagër statutor i qartë i delegatëve. Pastaj kur nisma mori formë e peshë përsëri e refuzuan duke e etiketuar antiamerikanist, llumist e haxhiqamilist. Por pa shpjeguar se si mund të udhëhiqnin e përfaqësonin një parti ku shumica e anëtarësisë dhe e funksionarëve qenkëshin (bërë papritur) të tillë.

Në mungesë të sqarimit të çështjes madhore të legjitimitetit politik diskutimi u spostua në çështjet formale të procedurave statutore. Padyshim që këto të fundit kanë rëndësi. Por roli i tyre e i procedurave në tërësi, qoftë në parti, në shtet apo në ndërmarrje është që t’u japë mundësi palëve me vullnete të ndryshme apo edhe me interesa të kundërta që të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme e të balancuar. Nëse njëra palë nuk njeh palën tjetër dhe të drejtat e saj, atëherë referimi te procedurat formale humbet kuptimin. Shpallja nga foltorja e Lezhës se kuvendi partiak do të mblidhet në 11 dhjetor u kritikua si jo-statutore. Formalisht ashtu është. Por të mos e vendosësh këtë ngjarje në kontekstin kur drejtuesit e partisë i mohojnë a-priori mazhorancës së partisë një të drejtë statutore elementare është si të kesh ujkun te këmbët e të merresh me gjurmët e tij matanë gardhit. Po ashtu edhe pretendimi i drejtuesve se vullnetin e 60% të delegatëve e marrim në konsideratë po qe se kërkesat e nënshkruara i gjejmë tek shefja e protokollit por në asnjë mënyrë kur ato depozitohen në zyrën ngjitur të kryetarit të këshillit është një nivel pa precedent i absurdit burokratik. Nuk më ngjan si debati mbi seksin e engjëjve mes dijetarëve mesjetarë pasi këta të fundit mund të ishin tuafë, por jo detyrimisht të pandershëm. Refuzimi i nismës së mazhorancë, e për pasojë refuzimi për të negociuar me nismëtarët datën e agjendën e kuvendit, është shembull i mala fide-s personale dhe i përbuzjes së normës bazë të demokracisë e ligjshmërisë. Një hap mbrapa trishtues krahasuar me tridhjetë vjet më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp25/11/2021 19:58

Skrapari, jep komente mbi komentin ,ose mbi shkrimin e Z.Pollo. Nuk mund të shprehesh mbi to, se je i dyzuar, Nuk mund ta marësh me mënd se si do shkoi halli i 'foltoristit' Pollo. Po mbijetoi politikisht me siguri do t'ja tregosh komentin dhe mbrojtjen 'dinjitoze' që po i bën. Pollo me që ra fjala ,ka lexuar shumë , më shumë nga mua dhe shumë e më shumë se Ti.Di shumë, shumë më shumë se unë dhe një karroqe më shumë se Ti. Ka shumë,shumë më shumë se Ti, ndërsa unë ,as kam dhe as më mbarohen. Ka edhe një rreth shoqëror, deri tutje në Gjermani . Në mos gaboi është i biri i Prof. Stefanaq Pollo-s dhe në Parlament 'ngroh' karrigen e një të djathti.

Skrapari24/11/2021 22:08

Krasas tp. Me vjen keq ta them por nuk e ke intelektin te kuptosh Zotni Pollon. Eshte i biri i Profesorit rritur mesh librash i lexuar sa sbehet, njohes i disa gjuheve te huaja. Shkurt sa kafshita buke ke ngrene ti ai i ka libra te lexuara. Keto ti them jo per te te ofenduar por per te mesuar nga njerez te ditur sic eshte rasti ne fjale

krasasi tp24/11/2021 14:23

Para 31. Mars 1991 i ndjeri Ramiz Alia kryesonte një Këshill Presidencial në përbërje të të cilit ishte edhe i ndjeri Kristaq Rama dhe i ndjeri Kiço Blushi, respektivisht babai i Kryeministrit dhe babai i Ben Blushit dhe të tjerë. Më vonë pas zgjedhjeve 'pluraliste' të vitit 1991 ku 2/3 e votave të PS e zgjodhën President të Republikës, po me 2/3 votave të dala nga zgjedhjet 'pluraliste', i ndjeri Ramiz Alia hoqi dorë nga Presidenca dhe j'ua dorëzoi gjithë pushtetin 'sovjetëve'. A mund të na shpjegoni Z.Pollo, se ku janë asetet [floriri] që ju vinte si trashëgimi pas ardhësve të shqiptarëve banor autokton në trojet e tyre ?. Klasa politike 30 vjeçare nuk është tjetër pos: figurina që enden poshtë e lartë në 'fushën e shahut' aty ku Z.Alia ua la me 'testament', se kur loja duhet të përfundonte me fitore e 'të bardhëve',kur me fitoren e të'zinjve' dhe kur me remi. Mesa duket, Ju kujtoni, se 'loja që luhet' do përfundoi me remi. Se një ditë Z.Basha do ti kërkoi ndjesë Z. Berisha dhe anasjelltas. Departamenti i Shtetit do ti kërkoi ndjesë Berishës dhe Z.Berisha pasi vendos sovranitetin në PD ,do vendos sovranitetin e Shqipërisë, ndaj kujtë?. Ku shkuan shtëpitë,ku shkuan trojet, kush dhe me çfarë mandati, bëni pronar askushin, vetëm se ashtu i keni ndarë rolet. Partitokracia 'polli' oligarkët, oligarkët qarkullojnë interesat e 'partitokracisë'. Nuk ka kthim mbrapa.Partitokracia ta harroi revolucionin. Lufta ndaj korrupsinit dhe krimit të organizuar është 'lufta e shënjtë' që Amerika ,NATO dhe BE ka vendosur ta çoi përpara. Ka usta, ka edhe çirak.Zanati nuk vidhet nga çiraku, zanati jepet, mësohet nga ustai. Po të intervistosh qytetarët në rrugë, duke i pyetur se çfarë është politika, mbi 90% do përgjigjen: "politika është kurvë". Kur pyeta një shokë një ditë, Ai mu përgjigj: "politika është marrëveshje". Ju Z.Pollo si keni luajtur në politikë këto 30 vjetë si 'kurvar'?. Nëse je bërë pishman, duhet të rekomandosh jo revolucionin në datën 11, por marrëveshjen në kuvëndin e datës 18.

Shto koment

Denonco