Cili do të jetë fati i të majtës shqiptare pas zgjedhjeve të prillit?

Cili do të jetë fati i të majtës shqiptare pas zgjedhjeve të prillit?

Nga Red Varaku - 21/10/2020

Halli më i madh i kryeministrit sot nuk është më mandati i tretë, sepse ai e ka të qartë që nuk ka asnjë shans përballë bashkimit më të madh opozitar të këtyre 30 vjetëve.

Halli i tij më i madh është fati i të majtës pas këtyre zgjedhjeve, ndaj ka nisur një ofensivë kundër Ilir Metës dhe LSI. Kjo sepse sot LSI përbën kërcënimin më të madh për të ardhmen e tij dhe të majtës.

I vetëdijshëm për çarjen e madhe në PS midis rilindasve dhe socialistëve , çarje që sa vjen dhe bëhet më evidente, ai i tmerrohet një hakmarrjeje të socialistëve dhe rolit të ri që po merr LSI si udhëheqëse e të majtës.

Ai e ka të qartë se çfarë përfaqëson Ilir Meta dhe LSI dhe lidhjen e tyre organike me PS. Ata kanë qenë pjesa më e shëndetshme dhe vitale e PS, e cila e shkëputi PS-në nga Partia e Punës dhe u largua prej saj kur kjo e fundit iu rikthye idealeve të etërve të atyre që e shkatërruan këtë vend.

I vetëdijshëm për shkatërrimin që i ka bërë PS për interesat e tij dhe i bindur për humbjen e thellë që e pret në prill, Edi Rama i druhet shumë faktit që shumë socialistë do ta braktisin anijen gati të mbytur të rilindjes dhe do t’i bashkohen LSI-së. Kjo jo vetëm për pragmatizëm, sesa për faktin se ajo mbetet e vetmja shpresë për të majtën.

Dhe sipas informacioneve kjo ka filluar të ndodhë.

Janë me mijëra socialistë të zhgënjyer që po i bashkohen LSI në të gjitha qarqet, sepse shikojnë tek Edi Rama një njeri që e ka parë PS si plan biznesi.

Ata e shikojnë atë “si krimb” të paskrupullt, të pa gjak, të pacipë dhe të pamëshirshëm që për të mbrojtur karrigen e vet, do të vazhdojë ta brejë jo vetëm Shqipërinë , por edhe PS nga brenda, edhe pasi kjo e fundit të largohet nga pushteti.

Ndërsa tek Ilir Meta shikojnë njeriun luftarak, studentin e dhjetorit, njeriun e papërkulur përkundër të gjitha përpjekjeve për ta asgjësuar atë , që e ka parë gjithmonë të majtën si emocion.

Sigurisht, tek ai nuk është se shikojnë as engjëllin dhe as puritanin. Betejat për t’i mbijetuar sulmeve politike e kanë dëmtuar jo pak atë. Tek ai ata  shikojnë një personalitet, që përmes akteve të tij burrërore në jetën politike shqiptare ka prodhuar gjithmonë mbështetës besnikë dhe kjo është një cilësi e padiskutueshme për një udhëheqës.

Pra, LSI këto zgjedhje është dyfish kërcënim për rilindjen. Kërcënim për humbjen e pushtetit, sepse votat socialiste do shkojnë për LSI-në dhe njëkohësisht kërcënim për të ardhmen e PS, sepse PS pritet që të zvogëlohet aq shumë në këto zgjedhje, sa rrezikon të shkojë drejt paaftësisë për tu ringritur.

Sigurisht, Edi Rama për të mbrojtur veten dhe pasurinë e tij, do ia lërë PS një servili dhe besniku të tij, burrë zonjë ose grua kjo nuk ka pikë rëndësie.

Ajo që ka rëndësi është që kushdo që do ta marrë PS nuk do ta marrë për shkak të vlerave , por për shkak të servilizmit dhe besnikërisë ndaj Ramës.  Pra, do të jetë vetëm se një zgjatim i Ramës.

Kjo do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen në PS, sepse pas këtyre zgjedhjeve pritet një tkurrje e jashtëzakonshme e PS, sa PS vështirë të mund të ringrihet.

Kjo edhe për faktin se me ardhjen e LSI në pushtet në një koalicion të madh për integrimin, shumë socialistë do ta shohin LSI si të vetmen alternativë të fortë dhe konkuruese të së majtës.

E vërteta është që askush nuk e konkurron dot staturën e Ilir Metës për të udhëhequr të majtën.

Sardele politike si Erjon Veliaj, Elisa Spiropali, Tauland Balla etj as nuk joshin dhe as nuk trembin më askënd! Ata jo vetëm që nuk mund të krahasohen me personalitetet e LSI , por ngjajnë si dordolecë edhe përballë delfinëve të Lëvizjes Rinore për Integrim.

Nëse ndodh kjo dhe gjasat janë që po, për Ramën do ishte një vetëvrasje politike dhe një humbje e dyfishtë, sepse do të humbte jo vetëm pushtetin, por dhe udhëheqësinë e të majtës. Si pasojë ai do të dilte cullak para drejtësisë dhe nuk do të kishte asnjë garanci për të ardhmen .

Ndërsa  për Ilir Metën nuk do ishte vetëm një përmbushje e ëndrrës së tij studentore , por dhe realizim i fatit të tij politik, si udhëheqës biologjik i të majtës shqiptare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

kokepalari26/10/2020 22:29

ZOTI REDI MOS ME THUAJ QE MONIKA DO VENDOSI PRAPE KUSH DO BEHET DREJTOR AMAN ! SE ESHTE HAJDUTE DHE E KORRUPTUAR ATE CMIMIN PER VEND PUNE E SHPIKU BASH MONIKA!

tirana21/10/2020 16:11

Ju jeni nje gazetar qe nuk i shkon ky lloj shkrimi rreth se majtes ....???!!!

Skrapari21/10/2020 15:11

Z. Varaku! E ke qare analizen. Asnje koment. Bravo.

Shto koment

Denonco