Amnistia fiskale si ndërkombëtarizim i 'aleancës së qelbësirave'

Amnistia fiskale si ndërkombëtarizim i 'aleancës së qelbësirave'

Nga Gentian Gaba - 20/04/2020

Të dalësh përpara shqiptarëve me propozimin e një amnistie fiskale, 9 vjet pasi e ke kundërshtuar atë, dhe 7 vjet pasi ke qeverisur vendin, është së pari një pranim i dështimit të politikave fiskale dhe ekonomike të kësaj qeverie. E cila, nuk ka qenë në gjendje të formalizojë ekonominë dhe për më tepër nuk ka arritur të krijojë rritjen ekonomike prej 5% që premtoi në fushatën zgjedhore të 2017-ës. Sigurisht do ketë nga ata që do të thonë se tërmeti dhe pandemia kanë ndryshuar terrenin në të cilin qeveria po ecën.

Megjithatë nuk duhet harruar se në korrik të vitit 2019, pra në mesin e mandatit të dytë, hapat e ekonomisë ishin tejet të ngadalta, 2.2%, dhe, për më tepër, ishin hapa të hedhura në gjurmët e lëna nga qeveria paraardhëse. Sepse përtej gaz-sjellësit TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll, projekte të mëdha të trashëguara që dhanë efektet e tyre të fundit në 2019-ën dhe që përbënin shtyllën kurrizore të rritjes ekonomike me të cilën kapadaisej qeveria, Rama nuk arriti të krijojë kushtet për tërheqjen e kësi investimesh të huaja.

Andaj dalja e radhës në facebook, tashmë qendra e rëndesës dhe inistitucioni kryesor i shtetit shqiptar në të cilën Rama premtoi legalizimin e parave të shqiptarëve, përbën gongun e një ndeshje të mbaruar keq për populisitin fjalëshumë por edhe një këmbanë alarmi për shoqërinë shqiptare dhe interesin publik.

Pa hyrë në brendinë e debatit ekonomik, i cili u takon specialistëve të fushës, apo atë moral, për të cilin të tilla indulgjenca kritikohen kur qytetarët dhe sipërmarrësit e ndershëm përballen me konkurrencën e pandershme të parave që vijnë kuturu, rreziku kryesor është ai i parave të pista. Jo vetëm krim pa ndëshkim, por ngritja e një kaste të re gangsterësh me kollaro.

Ndonëse Rama theksoi se ‘amnistia ndalon riciklimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale dhe korrupsioni’, se ajo synon lehtësimin maksimal për ata që jetojnë në emigracion, të gjithë jemi të vetëdijshëm se sa të pakta janë shumat e kursyera nga shqiptarët që punojnë ndershmërisht nëpër botë, dhe kanë nevojë të formalizojnë ndërtimin e vilave me vlerë marramendëse, si përshembull 2 milionë euro, nëpër fshatrat e Shqipërisë.

Shqetësimi për mbarëvajtjen e kësaj aventure fiskale bëhet legjitim përballë brishtësisë së institucioneve shqiptare. Nën thundrën e korrupsionit, sipas Transparency International, kemi humbur shtatë vende në krahasim me vitin e shkuar, dhe për të cilin raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se është i përhapur në çdo nivel të qeverisjes, ka shumë gjasa që bashkë me paratë e atyre që u janë fshehur taksave, të pastrohen edhe ato që kanë vrarë, trafikuar dhe shkatërruar jetë njerëzish. Sidomos për një vend që ndodhet në ‘listën gri’ të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), pra nën një monitorim të shtuar për shkak të rrezikut të pastrimit të parave të pista, që midis të tjerash përkthehet në efekt negativ për ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë.

Një imazh negativ për të cilin qeveria Rama ka dhënë një kontribut domethënës. Jo më larg se nëntorin e shkuar, në Londër, përkrah përfaqësuesve të ndryshëm të shteteve që njihen si parajsa fiskale, kryeministri ishte pjesë e një konference, në të cilën promovohej shitja e atyre që quhen ‘pasaporta të arta’.

Një aktivitet që synon shitjen e nënshtetësisë për një grusht të madh dollarësh, 100 mijë, si dhe falje të taksave për 10 vjet për këta ‘shqiptarë’ me pagesë. Për këtë transaksion pasaportash, zv.Presidentja e Komisionit Europian, Vera Jurova, ka deklaruar se këto vende rrezikojnë të kthehen në: “një strehë të sigurtë për kriminelët, korrupsionin dhe paratë e pista”.

Kësodore, merr kuptim të posaçëm një tjetër fjali e Ramës mbi shtrirjen e amnistisë: “Çdo qytetar që ka pasaportë shqiptare mund të përfitojë nga amnistia nëse nuk është brenda kategorive të ndaluara më lart”.

Pra theksi që bie mbi pasaportën përpara se te kombësia, tregon se Rama shpreson t’i zëvendësojë investimet e huaja me paratë e atyre që mund t’ju ketë shitur letërnjoftimin me shkabë sipër.

Duke mbajtur në mend deklaratën e zv.Presidentes së KE-së, ky pazar bëhet mjaft shqetësues, pasi disa nga këta ‘shqiptarët’ e rinj mund të jenë si ata që Rama futi në Parlament dhe nëpër bashki. Një ndërkombëtarizim i asaj që atëhere u quajt ‘aleanca e qelbësirave’, që patjetër u kthye në një mjet sundimi për Ramën, ndërsa për shqiptarët në një vorbull skandalesh që shpopulluan dhe varfëruan vendin.

Kjo amnisti, e cila do të votohet nga një parlament gjysmak, i dalë nga zgjedhje të kontestuara, do ta shndërrojë Shqipërinë në një lavatriçe të parave të pista, por edhe në një vatër të interesave okulte. Milionat dhe miliardat, qofshin këto të kriminelëve shqiptarë apo atyre që pasaportën shqiptare e kanë blerë, mund të ndryshojnë ekuilibrat e çdo demokracie. Sidomos të një demokracie të vobektë si kjo e jona./Mapo.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco