‘Spider-Man’-i i Jemenit humb jetën pas rënies në kraterin vullkanik gjatë një ngjitjeje të rrezikshme

‘Spider-Man’-i i Jemenit humb jetën pas rënies në kraterin vullkanik gjatë një ngjitjeje të rrezikshme

18:46, 13/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një aventurier i njohur në rrjetet sociale, i quajtur Qaqaa Antar al Absi dhe i njohur si “Spider-Man-i i Jemenit”, ka humbur jetën pas një aksidenti tragjik gjatë një ngjitjeje të rrezikshme në jug të vendit.

30-vjeçari ra në kraterin vullkanik Damt, në provincën Al Dalea në Yemen, gjatë një prej ngjitjeve të tij ekstreme pa pajisje sigurie. Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin trupin e tij rreth 24 orë pas incidentit, në një operacion të vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe temperaturave të larta.

Sipas autoriteteve lokale të mbrojtjes civile, ekipet e shpëtimit u përballën me “kushte jashtëzakonisht të vështira” gjatë operacionit për shkak të strukturës së kraterit dhe nxehtësisë së fortë në zonë.

Al Absi ishte kthyer në një figurë të njohur në internet falë videove ku ngjitej në shkëmbinj vertikalë dhe zbriste në kratere pa litarë apo pajisje mbrojtëse. Shpesh, turistët dhe vizitorët i paguanin shuma të vogla për këto shfaqje të rrezikshme, të cilat ishin bërë burimi i tij kryesor i të ardhurave.

Image

Krateri Damt, rreth 220 kilometra në jug të kryeqytetit Sana, është një nga zonat gjeologjike më të njohura të vendit. I formuar nga aktiviteti i lashtë vullkanik, ai arrin rreth 100 metra thellësi dhe përmban ujëra termale me përmbajtje të lartë squfuri.

Edhe pse konsiderohet vullkan i shuar, zona mbetet e rrezikshme për shkak të terrenit të thyer dhe temperaturave të larta nëntokësore. Autoritetet dhe ekspertët kanë paralajmëruar prej vitesh për rrezikun e madh që paraqet ky destinacion, ku janë regjistruar edhe aksidente të tjera në të kaluarën.

Pas lajmit të vdekjes së tij, rrjetet sociale në Jemen u mbushën me mesazhe ngushëllimi për familjen dhe vlerësime për guximin e tij, por edhe me kritika ndaj kushteve ekonomike që e shtynë drejt aktiviteteve kaq të rrezikshme.

Ngjarja ka rihapur debatin për nevojën e rritjes së sigurisë në kraterin Damt, përmes barrierave mbrojtëse, sinjalistikës paralajmëruese dhe rregullimit të aksesit në zonat më të rrezikshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco