Kamerat kurth kanë fotografuar një jaguar në lartësi të mëdha në vargmalin Sierra del Merendón në Honduras, hera e parë që kjo mace e madhe zbulohet në këtë zonë pas një dekade.
Në imazhet e shpërndara ekskluzivisht për CNN, mashkulli i vetëm, i njohur si “jaguari i reve”, është parë më 6 shkurt, rreth 2,200 metra mbi nivelin e detit në një pyll malor me lartësi të madhe, një sinjal pozitiv për këtë vend të Amerikës Qendrore që po përpiqet të rikthejë balancat mjedisore.
Jaguarët kanë humbur 49% të habitatit të tyre historik në kontinentin amerikan, sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Popullsia më e madhe gjendet në Amazonë, ndërsa të gjitha popullsitë e tjera klasifikohen si të rrezikuara ose në rrezik kritik.
Në Honduras, jaguarët janë të mbrojtur, por përballen me sfida të shumta.

“Shpyllëzimi dhe gjuetia e paligjshme janë kërcënimet kryesore dhe ne kemi punuar për t’i luftuar të dyja,” tha Franklin Castañeda, drejtori për Hondurasin në organizatën për ruajtjen e maceve të egra Panthera, e cila realizoi fotografitë.
Mes viteve 2001 dhe 2024, Hondurasi ka humbur 1.5 milion hektarë pyje — rreth 19% të totalit — sipas Global Forest Watch. Arsyeja kryesore ka qenë zgjerimi i bujqësisë, si plantacionet dhe kullotat.
Qeveria është angazhuar të frenojë shpyllëzimin deri në fund të dekadës dhe të rikthejë 1.3 milion hektarë pyje. Plani “Zero Shpyllëzim 2029” ka shpallur gjendje emergjente mjedisore për mbrojtjen e pyjeve dhe faunës, duke përdorur një forcë patrulluese ushtarake prej 8,000 trupash për të parandaluar aktivitetet e paligjshme.
Ndërkohë, gjuetia e paligjshme e kafshëve që përbëjnë ushqimin e jaguarit, si drerët, derrat e egër dhe iguanat, ndikon negativisht në furnizimin e tij me ushqim.
Megjithatë, në zonën e Merendónit ka shenja suksesi mjedisor.

Ky pyll malor, së bashku me pyje të tjera të njohura si “pyje të reve”, është mbrojtur që nga viti 1987, kur u vlerësua rëndësia e tij si burim uji për komunitetet përreth.
“Në atë kohë nuk e dinin, por sot e dimë se po mbronin edhe një habitat shumë të rëndësishëm për jaguarët,” tha Castañeda.
Megjithatë, aktivitetet e paligjshme dhe humbja e biodiversitetit nuk janë zhdukur plotësisht. Në vitet e fundit, Panthera dhe partnerët e saj kanë rritur përpjekjet për monitorim, përfshirë patrullat, kamerat kurth dhe sensorët akustikë, si dhe programe për rikthimin e kafshëve që shërbejnë si pre për jaguarët. Sipas organizatës, gjuetia e paligjshme është ulur dhe kushtet janë përmirësuar për rikthimin e maceve të mëdha.
“Duket se po shohim një rikuperim të maceve të mëdha në përgjithësi,” u shpreh Castañeda.
Në vitin 2021, pas 17 vitesh monitorimi, në këtë zonë u konstatua për herë të parë prania e pumave, ndërsa janë parë edhe specie të tjera si ocelotët, jaguarundit dhe margajat, duke e bërë zonën të vetmen në Honduras ku gjenden të pesë llojet e maceve të egra.
Shumica e jaguarëve jetojnë nën 1,000 metra mbi nivelin e detit, ndaj “jaguarët e reve” janë jashtëzakonisht të rrallë. Ka pasur vetëm pak raste të ngjashme, përfshirë në Kosta Rika dhe Meksikë. Nuk dihet nëse ky është një sjellje e re apo thjesht nuk është vërejtur më parë për shkak të izolimit të zonave malore.
Në Honduras janë regjistruar vetëm tre raste të jaguarëve në lartësi të mëdha, i fundit në vitin 2016. Pikërisht ky rast çoi në krijimin e një korridori të mbrojtur natyror mes Hondurasit dhe Guatemalës.
Sipas ekspertëve, jaguarët janë kafshë që lëvizin shumë dhe mund të përshkojnë deri në 10 kilometra në një natë, madje disa raste tregojnë lëvizje deri në 400 kilometra.
Zona e Merendónit nuk ka një popullsi të qëndrueshme jaguarësh dhe besohet se ky mashkull i ri po lëvizte përgjatë korridorit natyror në kërkim të femrave.
Lëvizja midis popullsive është thelbësore për ruajtjen e diversitetit gjenetik.
Ekspertët theksojnë se ky zbulim tregon rëndësinë e mbrojtjes së habitateve në të gjitha lartësitë, edhe aty ku zakonisht nuk pritet prania e maceve të egra.
Korridori i Merendónit është pjesë e një rrjeti më të gjerë të quajtur “Iniciativa e Korridorit të Jaguarit”, që shtrihet nga Meksika në Argjentinë dhe përfshin 30 zona konservimi.
Ndërkohë, lajme pozitive vijnë edhe nga vende të tjera: në Meksikë, një census kombëtar tregoi një rritje prej 10% të popullsisë së jaguarëve, ndërsa në Brazil u miratua një kornizë e re ndërkombëtare për mbrojtjen e tyre.
Organizatat joqeveritare vijojnë të luajnë rol kyç, ndërsa në Honduras po planifikohet krijimi i një zone të re të mbrojtur që do të lidhë parqet natyrore dhe do të forcojë korridorin për mace të egra.
“Ndërlidhja është çelësi për të ardhmen e jaguarit,” theksojnë ekspertët.
© SYRI.net