Nivelet e detit po rriten më shpejt se në çdo kohë në 4,000 vitet e fundit. Ja pse

Nivelet e detit po rriten më shpejt se në çdo kohë në 4,000 vitet e fundit. Ja pse

19:40, 20/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nivelet e detit po rriten më shpejt se në çdo periudhë tjetër të 4.000 viteve të fundit, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për veprim “global dhe lokal” përballë ndryshimeve klimatike.

Një studim i ri i realizuar nga Universiteti Rutgers zbulon se ngrohja globale dhe aktivitetet njerëzore po nxisin një “përshpejtim rekord” të rritjes së nivelit të detit, duke rritur rrezikun e përmbytjeve në qytetet bregdetare anembanë botës.

Sipas kërkuesit Yucheng Lin, që udhëhoqi studimin e botuar në revistën Nature, niveli mesatar global i detit është rritur me 1.5 milimetra në vit që prej vitit 1900 — një ritëm më i lartë se çdo periudhë njëqindvjeçare në mijëra vitet e fundit.

Dy faktorë kryesorë: zgjerimi termik dhe shkrirja e akullnajave

Sipas studimit, rritja e temperaturave globale ka bërë që oqeanet të thithin më shumë nxehtësi dhe të zgjerojnë vëllimin e tyre. Në të njëjtën kohë, akullnajat dhe shtresat e akullit në rajonet polare po shkrihen me shpejtësi të pashembullt, duke shtuar sasi të mëdha uji në det.

“Kur oqeani ngrohet, ai zgjerohet, ndërsa akullnajat — që janë më të vogla se shtresat e akullit — reagojnë shumë më shpejt ndaj rritjes së temperaturës,” shpjegon Lin.

Vetëm Grønlanda humbi rreth 80 miliardë tonë akull nga shtatori 2023 deri në gusht 2024, viti i 28-të radhazi ku humb më shumë akull se sa prodhon. Nëse e gjithë kjo shtresë akulli do të shkrihej, ajo do të ngrinte nivelin e detit në shkallë globale me 7.4 metra.

Pasojat: një “krizë bregdetare” në zhvillim

Për çdo centimetër rritje të nivelit të detit, rreth gjashtë milionë njerëz në botë ekspozohen ndaj rrezikut të përmbytjeve.
Shkencëtarët paralajmërojnë se rajonet deltike – të cilat janë të sheshta, pjellore dhe të përdorura për bujqësi e zhvillim urban – do të jenë më të goditurat. Humbja e tyre do të ndikojë edhe në zinxhirin global të furnizimit.

“Edhe centimetra të vegjël të ngritjes së nivelit të detit do të rrisin ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve në deltë,” shton Lin. “Këto zona janë jo vetëm qendra të rëndësishme ekonomike, por edhe pika kyçe të prodhimit dhe tregtisë ndërkombëtare.”

Ndërsa studimi u fokusua në Kinë, autorët theksojnë se mësimet vlejnë gjithashtu për qytete të tjera të mëdha si Nju Jorku, Xhakarta dhe Manila, të cilat ndodhen në ultësira bregdetare dhe përballen me rreziqe të ngjashme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco