A e dinit se rreth 50% e oksigjenit që thithim vjen nga oqeanet? Kjo falë fitoplanktonit dhe balenave! Po, balenat, që në mënyrë të pazakontë luajnë një rol të madh në ruajtjen e jetës në planet.
Balena lëshon jashtëqitjet pranë sipërfaqes së detit, duke çliruar ushqyes të fuqishëm që ndihmojnë rritjen e fitoplanktonit, bimëve të detit që fotosintetizojnë në praninë e dritës së diellit dhe prodhojnë oksigjenin jetik për ne. Pa këto organizma të vegjël, jeta në Tokë do të ishte e pamundur.
Për më tepër, balenat janë një lloj ‘plehuesi’ natyror i oqeaneve. Një balenë gjatë jetës së saj thith mesatarisht 33 tonë dioksid karboni trefishi i asaj që kap një lis, një prej pemëve më efektive në thithjen e karbonit, gjatë 500 viteve jetë.
Por, fatkeqësisht, këta gjigantë të mirë janë në rrezik. Pas shekujsh gjuetie, sot balenat blu kafshët më të mëdha që kanë jetuar në Tokë, me gjatësi deri në 33 metra dhe peshë deri në 200 tonë, janë shumë më pak se më parë. Rreth 3 milionë balena u vranë gjatë shekullit të 20-të, përfshirë 90% të balenave blu.
Edhe pse morën mbrojtje ndërkombëtare në vitin 1966, popullsia e tyre po rikthehet ngadalë. Shkencëtarët zbulojnë se shumica e balenave sot janë më të vogla se dikur, mesatarisht 130-150 tonë dhe me gjatësi 25-32 metra.
Balena blu ushqehet kryesisht me krill, organizma të vegjël si karkaleca, dhe mund të hanë deri në 6 tonë prej tyre në ditë, duke filtruar ujin detar me pllakat në gojë që funksionojnë si një sitë gjigande.
© SYRI.net