Harry Shearer u jep zërin një numri personazhesh në serialin e animuar kult The Simpsons, përfshirë Z. Burns, Ned Flanders dhe Kent Brockman.
Harry Shearer, aktori që u jep zërin personazheve të shumtë në serialin The Simpsons , pranoi se nuk e ka parë kurrë këtë serial ikonik të animuar , megjithëse ka marrë pjesë në më shumë se 800 episode.
Ylli i “This Is Spinal Tap” ka qenë pjesë e kastit që nga fillimi i serialit dhe njihet më së miri për dublimin e zërave të personazheve si Z. Burns, Kent Brockman dhe Ned Flanders.
Sezoni i parë i plotë i serialit të animuar u transmetua në vitin 1989, pas segmenteve të shkurtra të transmetuara më parë në "The Tracey Ullman Show".
Megjithatë, pavarësisht se seriali transmetohet për 36 sezone, me të 37-tin që vjen në gusht, Shearer nuk e ka parë kurrë veprën e tij më të famshme.
Në një intervistë për “The I”, aktori u pyet nëse mendonte se episodet e viteve nëntëdhjetë, të cilat shumë i konsiderojnë si epoka e artë e serialit, i kanë rezistuar mirë kohës.

"Nuk e di. Nuk i kam parë," u përgjigj ai shkurt.
Kur i thanë se ato episode transmetohen ende vazhdimisht në televizion sot dhe se publiku ende i adhuron ato, ai tha me një buzëqeshje:
"Këtë e dëgjova edhe unë! Por jam i lumtur që e dëgjova nga ti."Edhe pse nuk është shikues i shfaqjes, Shearer tha në të njëjtën intervistë se ende kënaqet duke portretizuar shumë banorë të Springfield për gati katër dekada.
"Më pëlqen ende të luaj të gjithë ata personazhe. Pikërisht për këtë arsye e mora këtë punë në vend të ndonjë seriali tjetër televiziv ku do të ishe kryesisht i kufizuar në një personazh. Më pëlqeu ideja e shumëllojshmërisë së personazheve dhe ende më pëlqen sot", tha ai.
Vitin e kaluar, u njoftua se filmi i dytë i bazuar në serinë Simpsons do të dilte në kinema në vitin 2027, saktësisht 20 vjet pas të parit.
Llogaritë zyrtare të serialit në mediat sociale postuan një njoftim paraprak me mesazhin: "Homer është kthyer për më shumë".
© SYRI.net