Lajmi i fundit

LIVE/ Shqiptarët protestë masive në Hamburg: Rama jepe dorëheqjen

Toka ka gjithmonë më shumë hëna nga ç'mendojmë

Toka ka gjithmonë më shumë hëna nga ç'mendojmë

16:28, 14/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sistemi ynë diellor ka një lajm interesant: një shkëmb misterioz hapësinor, sa madhësia e një ndërtese, po udhëton pranë Tokës ndërsa të dy rrotullohen rreth Diellit. I zbuluar vetëm këtë verë, objekti, i quajtur PN7, ka dekada që i qëndron pranë planetit në një konfigurim që e bën një thuajse-hënë.

Ben Sharkey, astronom në Universitetin e Maryland, nuk u çudit kur e dëgjoi: "Oh, bukur, një tjetër." Sepse PN7 është thjesht më i fundit në radhën e objekteve të vogla që sillen në afërsi të Tokës.

Thuajse-hënat janë trupa që rrotullohen rreth Diellit, por orbitat e tyre të çuditshme, herë para Tokës, herë pas saj, krijojnë iluzionin se po rrotullohen rreth planetit tonë. Ndërkohë, mini-hënat janë shkëmbinj të vegjël që graviteti i Tokës i kap përkohësisht dhe ata rrotullohen rreth saj për disa muaj, para se të largohen.

Natyrisht, asnjëra s'krahasohet me Hënën, satelitin tonë të vetëm të vërtetë. Por çdo zbulim i ri na kujton se Toka ka më shumë shoqërues qiellorë sesa mendojmë.

Çfarë janë thuajse-hënat?

Toka nuk është e vetmja që ka shoqërues të tillë. Thuajse-hëna e parë u zbulua rreth Venusit në vitin 2002. Me PN7, numri i thuajse-hënave të zbuluara të Tokës arrin në të paktën shtatë, edhe pse ka gjasa që të ketë më shumë që nuk i kemi vënë re. Këto trupa hyjnë dhe dalin nga një orbitë e përbashkët me Tokën falë rrethanave gravitacionale. Ato variojnë nga 10 deri në 300 metra në diametër; PN7 duket të jetë ndër më të vegjlit.

PN7 u zbulua nga Pan-STARRS në Hawai dhe besohet se është sinkronizuar me Tokën që në vitet 1960. Do të dalë nga kjo hartë orbitale në vitin 2083. Ndërkaq, një thuajse-hënë tjetër, Kamoʻoalewa, është në këtë konfigurim prej 100 vjetësh dhe pritet të vazhdojë edhe 300 të tjerë.

Mini-hënat, ndryshe nga thuajse-hënat, kapen vërtet nga graviteti i Tokës, por orbitat e tyre janë të paqëndrueshme dhe zakonisht largohen brenda një viti. Deri tani janë vëzhguar vetëm katër, më i fundit u largua vitin e shkuar pas disa muajsh.

Çfarë quajmë "hënë"?

Nuk është gjithmonë e lehtë të quash një shkëmb të vogël "hënë". Astronomët nuk kanë rregulla të qarta për këtë kategorizim. Në vitin 2018 u raportuan madje edhe dy "hëna fantazmë", re pluhuri që rrotullohen me Hënën.

Megjithatë, këto objekte sjellin një lloj afërsie emocionale me astronominë: ciklet e tyre orbitale janë të shkurtra dhe të vëzhgueshme brenda një jete njerëzore, ndryshe nga trupat e largët përtej Neptunit, orbitat e të cilëve zgjasin mijëra vjet.

Nga vijnë këto hëna shtesë?

Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt. Ato mund të jenë asteroide afër-Tokës të hedhura në sistemin e brendshëm nga graviteti i Jupiterit. Ose copëza të Hënës, të goditura nga përplasje të vjetra. Studimet e Kamoʻoalewa-s treguan se ai duket "më hënor" se çdo asteroid tjetër i studiuar, duke sugjeruar një origjinë lunare. Edhe mini-hëna e fundit kishte shenja të ngjashme.

Një teori tjetër thotë se ato mund të jenë mbetje të një popullate shumë të lashtë asteroidësh që kanë ekzistuar pranë Tokës në fillimet e sistemit diellor. Sharkey mendon se mund të jenë një kombinim i të triave.

Më shumë hëna në të ardhmen

Teknologjia e teleskopëve është përmirësuar shumë, dhe instrumente si Observatori Vera Rubin pritet të zbulojnë edhe më shumë objekte të vogla në vitet në vijim.

Një gjë është e sigurt: Toka nuk mund të kapë kurrë një hënë të dytë të përhershme. Kjo do të kërkonte një trup planetar gjigant që të kalonte shumë pranë nesh, diçka që s'ka ndodhur në historinë moderne të sistemit diellor.

Por Toka me gjasë do të ketë gjithmonë shoqërues të vegjël si PN7, një ngushëllim i vogël kundër vetmisë kozmike të planetit tonë me një satelit të vetëm./NationalGeographic

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco