Thellohet skandali. Violand Braçellari, ish komandoja i cili ishte dënuar me 10 vite burg për drogë, i cili dje vrau një efektiv policie të Korçës dhe plagosi një tjetër kishte përfituar nga fondet e AZHBR-së për të ngritur një stallë bagëtish në Lozhan të Maliqit.
Pikërisht në këtë stallë, mëngjesin e 4 qershorit, Braçellari qëlloi për vdekje efektivin e policisë Enea Mekolli 34 vjeç, babai i një fëmije, ndërsa u plagos efektivi Edision Adri 36 vjeç, pjesë e grupit që ishin shkuar për ta arrestuar.
Shemsi Prençi, ish drejtues policie I ftuar në studion e ‘Kafe Shqeto’ duke bërë një analizë të operacionit të zhvilluar dje në Korçë. Për Prençin operaconi kundër një personi me rrezikshmëri të lartë, i cili kishte qenë ish-ushtarak dhe kishte arritur t'i shpëtonte Forcave RENEA plot katër herë, ka dështuar që në planifikim. Pavarësisht profilit të lartë të rrezikshmërisë së të shumëkërkuarit, i cili prej 10 vitesh kryente aktivitet biznesi duke ngritur stalla në hundën e autoriteteve, masat e marra për kapjen e tij kanë lënë shumë për të dëshiruar.
Intervista
Shemsi Prençi: Së pari më lejoni që nëpërmjet ekranit tuaj televiziv t'i përcjell familjes dhe të afërmve të dëshmorit më të ri të atdheut, ngushëllimet e mia të sinqerta dhe të shpreh keqardhjen për atë çka ka ndodhur, dhe njëkohësisht edhe shërim të shpejtë të policit tjetër të plagosur. Ngjarja është shumë e rëndë. Për hir të së vërtetës, mua më shqetëson qëndrimi hermetik i policisë së shtetit në raport me situatën, si është zhvilluar. Prapa të cilës dyshoj se fshihet e vërteta.
Flavio Qarri: Çfarë do të thotë kjo?
Shemsi Prençi: Unë personalisht kam punuar mbi 25 vite në policinë e shtetit. Pjesën më të madhe të karrierës sime kam qenë drejtues operacional. Qoftë për tre vite e gjysmë që kam qenë... 5 vite se dy herë kam qenë drejtori i strukturave të Forcave Lëvizëse Operacionale, pra Forcave Speciale të Policisë së Shtetit. Për dy vite kam qenë shef shtabi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, dhe pjesën më të madhe të karrierës sime e kam në drejtim të forcave operacionale në terren.

Flavio Qarri: Pra ka gjëra që ju bëjnë përshtypje te kjo ndërhyrja e policisë?
Shemsi Prençi: Patjetër. Unë ndoshta kam qenë oficer policie me fat, por nuk kam patur asnjë plagosje dhe asnjë të vrarë nga radhët e forcave që unë i kam drejtuar. Të shkosh në një operacion policor ndaj një personi me rrezikshmëri të lartë potencial, siç ishte rasti i Braçellarit i cili ka qenë ushtarak... dhe gjithmonë ushtarakët kur futen në rrugën e krimit, pavarësisht llojit të kriminalitetit, janë të rrezikshëm sepse janë potencial edhe për të reaguar edhe për t'u kundërpërgjigjur. Këtë nuk e ka marrë në konsideratë lidershipi i policisë së Korçës, sepse duhet ta kishte marrë në konsideratë. Mos harrojmë se ishin bërë katër operacione të RENEA-s dhe kishin dështuar në raport me... Kjo çka do të thotë që ose ka informacione brenda radhëve të policisë personi i inkriminuar se si mund t'i iki (RENEA-s është e vështirë t'i ikësh), por do të thotë që RENEA ka dështuar sepse informacioni nuk ka qenë i saktë për vendndodhjen. Në këtë rast që ishte informacioni i saktë, sepse po të shikosh pamjet filmike, ai kishte ngritur një kështjellë atje, kishte ngritur një biznes me disa stalla... Domethënë, ky person që ishte në kërkim për 10 vjet, i dënuar 10 vjet, pra ky kishte bërë aktivitet biznesi. Kishte ngritur disa stalla, kishte ngritur kështjellën atje. Pra, gjithçka në hundën e policisë. Është e papranueshme, në mënyrë kategorike e papranueshme, për një drejtori policie që ky të rrijë. Unë kam patur rastin në Bilisht, në pjesën verilindore të Bilishtit, që një person për shkak të ngacmimit të motrës që i kishin bërë, vret dy vëllezër.
Flavio Qarri: Flet për rastin e vëllezërve Mulliri?
Shemsi Prençi: Po, në Bilisht. Në vitin 2006. Unë kam qenë në takim... ndërkohë u kam qenë në takim me një grup ekspertësh amerikanë që kishin ardhur për të asistuar policinë e shtetit, dhe kam lënë takimin dhe kam shkuar vetë në drejtim. Kam marrë megafonin dhe ndërkohë që policia po e ndiqte, derisa krijuam rrethimin e largët të autorit. Kam komunikuar me megafon duke i pozicionuar policët të mbrohen, sepse faza e interlokutimit, e ndërmjetësimit, e komunikimit, e thirrjes, është një fazë shumë e rëndësishme për një operacion. Madje arritën deri atje saqë pasi kishim siguruar rrethimin e saktë që mos na ikte, i nxorëm në megafon edhe të ëmën, duke i bërë thirrje. Por, duke marrë masa mbrojtëse për forcat e policisë që mos rrezikoheshin.
Flavio Qarri: Duke neutralizuar situatën.
Shemsi Prençi: Jo pa qëllim ju thashë ju që pyeteni sa ka qenë distanca që autori i krimit, pra personi që ishte në kërkim, ka gjuajtur policin. Se në mënyrë kategorike nuk duhet ne t'i afrohemi më shumë se forca shpuese e armës kallashnikov, kur ti ke edhe jelekun antiplumb. Pra, ne duhet të qëndrojmë në atë pozicion që forca shpuese të mos e shpojë antiplumbin. Pra, në këto kushte do ta bësh negocimin me personin në kërkim, me kriminelin, me vrasësin, me tjetrin. Pra, a janë respektuar këta rregulla të...
Flavio Qarri: Ju mendoni se jo?
Shemsi Prençi: Po fakti që plumbi i kallashnikovit ka shpuar jelekun antiplumb...
Flavio Qarri: Kjo do të thotë që nuk është respektuar...
Shemsi Prençi: Kjo tregon që plumbi e ka shpuar. Pra, çka do të thotë që distanca ka qenë shumë më e afërt. Një, dhe e dyta, në rast se ne e kishim vlerësuar këtë person si person me potencial të lartë kriminal, përse nuk janë përdorur edhe kokoret antiplumb? Që policit të mos e marrë plumbin në kokë. Se ka antiplumb, ka dhe kokore antiplumb. Pra, nëse bëhet fjalë...
Flavio Qarri: A ka policia jonë të tilla?
Shemsi Prençi: Patjetër. Përse ka ndodhur kjo? Sepse ti mundet që personat që do përdorësh, pra forcat policore që do përdorësh për rrethimin e largët, do t'i përdorësh vetëm me antiplumb. Personat që do futen në operacion me rrezikshmëri të lartë, ndaj një personi me rrezikshmëri të lartë që di të përdori mirë armën, duhen masa ekstra, që përveç antiplumbit duhet të kesh edhe jelekun antiplumb.
Flavio Qarri: Ndaj masave ekstra.
Shemsi Prençi: Një, dhe e dyta, unë e kam përmendur edhe në studio të tjera një parim të pashkruar në legjislacionin shqiptar dhe në gjithë botën: Që të gjitha nënat janë nëna, por kur të vijë momenti për fatalitetin, është më mirë të qajë nëna e kriminelit se nëna e policit. Ky parim i pashkruar duhet të jetë në memorien e çdo punonjësi policie kur futet në një operacion me rrezikshmëri të lartë ndaj personave ekstra me rrezikshmëri të lartë. Dhe unë besoj që ky instruktazh në policinë e shtetit, në policinë vendore të Korçës, dhe përpara këtyre strukturave që do merrnin pjesë në këtë operacion nuk është bërë. Nuk është bërë sepse, fakti që...
Flavio Qarri: Ata nuk menduan fare që do kishte shkëmbim zjarri, po thoni?
Shemsi Prençi: Shiko, po një person që i ka ikur RENEA-s katër herë, një person që i ka ikur policisë, një person që e kërcënonte policinë dhe i bënte sehir duke ngritur një aktivitet biznesi në mal, pra do të thotë që ai e ka rezistencën. Këtë informacion mbi psikologjinë e këtij personi me rrezikshmëri të lartë duhet ta kishte policia e Korçës, duhet ta kishte policia e shtetit. Shiko çfarë më ka bërë përshtypje... qëndrimi i drejtorit të përgjithshëm të policisë.
Flavio Qarri: Pse?
Shemsi Prençi: I cili në krah të ministrit, tha unë nuk kisha dijeni për operacionin që do bëhej. Pra çka do të thotë që komunikimi i drejtorisë vendore me drejtorinë e përgjithshme të policisë qendrore për një operacion ndaj një personi me rrezikshmëri të lartë ka munguar. Një, e dyta, a do ishte e udhës që, duke qenë se informacioni ishte shumë i saktë, që policia e Korçës të mjaftohej vetëm me rrethimin dhe të qëndronte në pritje derisa të vinin forcat speciale nga Tirana me helikopter? Përse do të ndodhte kjo? Sepse personi me rrezikshmëri të lartë, ish-ushtaraku, braçellari, nuk mundet të dalë nga stani duke komunikuar ti me megafon. Ngushtojeni rrethimin, ngushtojeni perimetrin, merrni masa sigurie për mbrojtjen e jetës, dhe zjarri do të hapet me komandë vetëm në rast se personi do të hapi zjarr, pra duke komunikuar me megafon se i bën presionin psikologjik. Konsumon fazën e parë të negocimit, nëse ai do të dorëzohet. Po gjithmonë që ti duhet të kesh marrë masa mbrojtëse që mos të të gjuajnë me plumb. Dhe pastaj do vazhdosh edhe presionin me përdorimin e armëve, në rast se ai do... kur ai të dëgjojë gjithë ato zëra në të gjitha drejtimet, ai nuk bën përpjekje më për ta çarë rrethimin, sepse ai e di se do përballet me reagimin e armës. Dhe ndërkohë që do vinte dita, sepse në shtatë e gjysmë ka zbardhur dita, ose në orën shtatë kur ato janë vendosur në pozicionin e rrethimit. Pra, në këto kushte ai do ishte më i pasigurt po të dilte në terren për të çarë rrethimin në të majtë, në të djathtë, mbrapa apo para. Pra në këto kushte edhe duke i dhënë mundësi të mendojë për t'u dorëzuar, se prandaj është faza e negocimit, është faza pas garantimit të rrethimit të perimetrit të largët, është faza kyçe për të komunikuar me personin me rrezikshmëri të lartë.
Unë mendoj që fakti që drejtori i përgjithshëm i policisë, me sinqeritetin e tij të tepruar për momentin, e konsideroj të tepruar, se unë e di shumë mirë që eprorët e tij, ministri, kryeministri janë zemëruar me atë sinqeritet që ai shpalosi dje në media, tregon që diçka mungon në komunikimin institucional të zinxhirit. Sepse ne edhe për probleme më të thjeshta e kemi vënë në dijeni drejtorinë e përgjithshme të policisë sa herë që ne përgatiteshim për të shkuar në një operacion. Ose sa herë ne kishim një plan masash qoftë edhe për menaxhimin e një problemi në territorin vendor. Por, nisma e tepruar, me njerëz ndoshta dhe të papërgatitur për këtë situatë...
© SYRI.net