Hetimet për ngjarjen e rëndë në Lozhan të Maliqit, ku si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, kanë zbuluar në stanin ku fshihej Violand Braçellari 3 armë: armën kallashnikov me të cilën qëlloi mbi policinë, një pushkë model 56 dhe një çifte.
Nga kontrollet nuk është gjetur municion, çka bën të besohet se Braçellari e ka përdorur të gjithë arsenalin që posedonte për të qëlluar mbi efektivët e përfshirë në operacionin për kapjen e tij.
Në vendin ku fshihej i shumëkërkuari, policia ka gjetur edhe një radio policie dhe, gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur radiot e tyre për të mos interferuar me atë të Braçellarit, informon gazetarja e Syri Tv, Sidorela Xhomaqi.
Ajo zbuloi detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Lozhan, në një lidhje direkte me emisionin 'Kafe Shqeto'
Nga hetimet e Prokurorisë dhe AMP-së për zbatimin e procedurave dhe protokollit nga ana e Drejtorisë së Policisë së Korçës, nuk janë konstatuar shkelje.
Sa i takon mungesës së kërkesës nga ana e Policisë së Korçës për forca RENEA apo Forcën Operacionale, grupi hetimor bën të ditur se Policia e Korçës ka vlerësuar në mënyrë korrekte rrezikshmërinë e Braçellarit, i cili ishte i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe jo për vepra të rënda penale që lidhen me jetën.
Kërkesa për forca RENEA vlerësohet rast pas rasti dhe nuk është detyrim që zbatohet në çdo operacion policor.

© SYRI.net