Nisma për mbështetjen e fëmijëve të sëmurë, që të trajtohen jashtë vendit, është ndalur në Shkodër. Peticioni për mbledhjen e firmave ka si qëllim që, kur spitalet nuk e përballojnë kurimin, këta fëmijë nga mosha 0 deri në 18 vjeç të trajtohen jashtë vendit.
Shkodra ishte ndalesa e radhës e një grupi qytetarësh nga Korça, të cilët vijojnë aksionin për mbledhjen e 20 mijë firmave në mbështetje të nismës ligjvënëse qytetare, me synim financimin nga shteti të trajtimit shëndetësor jashtë vendit për fëmijët nga 0 deri në 18 vjeç. Aktivisti Klajdi Pllaha thotë se janë 50 raste në vit që kërkojnë trajtim jashtë vendit dhe se mbledhja e fondeve u jep mundësi atyre të marrin trajtimin e nevojshëm.
Kjo nismë kërkon që fëmijët të kenë mundësi të trajtohen në spitale jashtë Shqipërisë, në rastet kur sëmundjet e tyre nuk mund të përballohen nga sistemi spitalor shqiptar. Nisma ka nisur nga qyteti i Korçës dhe do të vijojë edhe në qytetet e tjera të vendit.
© SYRI.net