Dëshmia 4 orë në GJKKO/ A i bëri Balla puç Ramës? Gjokutaj: Vriteni një çikë mendjen

17:02, 30/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, e quajti ‘gënjeshtar’ dhe ‘dëshmi e pabesueshme’ dëshminë e Taulant Ballës sot në GJKKO në seancën gjyqësore të dosjes ‘Partizani’

Në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës, që zgjati mbi katër orë, Gjokutaj deklaroi se Balla nuk ishte në gjendje të mbronte kallëzimin e tij.

Madje dhe vetë SPAK-u kundërshtoi një pjesë të dëshmisë së Ballës, provë se e gjithë çështja është e sajuar dhe pa asnjë fakt penal.

Gjatë dëshmisë së tij Balla deklaroi se kallëzimin e kishte bërë pa dijeninë e Ramës dhe se nuk ishte në dijeni të firmës së Ramës atëherë kryetar i bashkisë së Tiranës.

Pyetjes së gazetares Klodiana Lala se në këndvështrimin e tij Taulant Balla a i kishte bërë puç Edi Ramës, Gjokutaj iu përgjigj që gazetarët duhej ta vrisnin mendjen.

Fjala jashtë GJKKO-se

Genc Gjokutaj: Për Taulant Ballën dhe shokët e tij, sot dita ka qenë një ditë shumë e mirë për drejtësinë, sepse është një drejtësi e cila dëgjon katër e gjysëm, katër orë e gjysëm një gënjeshtar, i cili 50% të dëshmisë nuk e mbante mend, dhe 50% i referohej mediave, por jo konkretisht se cilave. Edhe ky është një problem shumë i madh.

Ju e patë, u konstatua gjyqësisht që kallëzuesi dhe dëshmitari Taulant Balla nuk dinte çfarë akuzash kish bërë në kallëzim. Thoshte korrupsion, ndërkohë që ka bërë kallëzimin për shpërdorim detyre. Ju e patë që vetë akuza kundërshtoi një pjesë të dëshmisë së tij.

Prandaj ne kemi thënë që është çështje pa fakt penal, edhe një çështje e sajuar, edhe unë sot mbas gjithë dëshmisë kam dyshime shumë të forta që, jo vetëm që ka konsumuar elementët e kallëzimit të rremë dëshmitari, por ajo do edhe një çikë hetim sepse, bën vaki që edhe mos e ketë bërë vetë kallëzimin.

Gazetari: Duke qenë se ju pretendoni që ka gënjyer, a do ta kallëzoni sërish Taulant Ballën?

Genc Gjokutaj:  Taulant Balla është kallëzuar një herë dhe përgjigja na është kthyer, nuk i kanë hyrë themelit, kanë thënë që nuk ka mbaruar çështja. Sot është një situatë tjetër. Po ju shikoni, e vërtetoi vetë SPAK-u. SPAK-u kundërshtoi një pjesë të dëshmisë së tij. Pra, ai nuk i qëndroi as atyre thënieve që ka thënë në SPAK. Dhe ky SPAK që merr një kallëzim me shpërdorim detyre dhe e kalon në korrupsion.

 Dy pyetje bëri prokuroria, edhe një pyetje në fund që deshi edhe gjykata nuk e lejoi sepse nuk kishte lidhje me, çështjen dhe me akuzën.

Sipari i një procesi fals këtë, do kishte këtë fytyrë edhe këtë tablo.

Gazetari: Çfarë donit të kuptonit ju zoti Gjokutaj kur e pyetët dëshmitarin Balla nëse e kishte vënë apo jo në dijeni Ramën për kallëzimin?

Të bësh kallëzim për një çështje të tillë, ku edhe zoti Rama ka qenë i involvuar, madje ai ka paraprirë me akte konkrete që ka firmosur, ndërkohë që Taulanti na rezulton më merakçi për pronën publike

Gazetari: Pra në këndvështrimin tuaj Taulant Balla i bëri puç Edi Ramës?

Gjokutaj: Unë do t'ju jap një këshillë që vriteni dhe ju nga një çikë mendjen, jo të gjitha t'jua japim neve gati.

Gazetari: A do vijë Edi Rama të përballet me Sali Berishën?

Genc Gjokutaj: Po ky është një vendim gjykate nuk ngelet te opinioni im. Ne e kemi kërkuar, ata e pranuan. Tashi unë mendoj që Edi Rama nuk ka luajtur mendsh mos vijë në gjykatë. Është një skandal enorm. Do të thotë një skandal shumë i madh, ndërkohë që ai duhet të vijë sepse ka detyrim ligjor. Pra, shikoni, nuk është në diskrecionin e tij të vijë, mos të vijë e të tjera e të tjera.

Gazetari: Zoti Gjokutaj, çfarë të keqe ka që të paktën zoti Balla referoi që ishte marrë shkas edhe nga Shqiptarja.com që kishte bërë investigim? A nuk duhet të nisin hetime edhe kur bëhet një investigim në media?

Gjokutaj: Absolutisht, media është një nga burimet më të fuqishme. Por problemi është që Taulanti mediave ua hodhi topin në gjykatë. Ndërsa  në kallëzim dhe në dëshmi, në deklarimin që ka bërë në SPAK, nuk përmendet fare media si burim informacioni. Këtu është gjithë problem. Këtu e kupton ç'thotë sot, nuk thonë nesër. Pse? Sepse çështja nuk ka fakt penal. Mund të flitet për gjithçka, por për thelbin jo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco