Një operacion antidrogë është zvilluar në Tiranë, ku ka çuar në goditjen e një rasti të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë. Si rezultat i aksionit të zhvilluar nga Policia, është arrestuar një 26-vjeçar, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim.
Sipas uniformave blu, i riu, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, dyshohet se kishte siguruar dhe magazinuar lloje të ndryshme drogash, me qëllim shitjen e tyre në doza. Lëndët narkotike mbaheshin të fshehura në ambientet e përbashkëta të një pallati, si dhe në një automjet të parkuar përballë tij.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi rreth 1 kilogram e 32 gramë kokainë, 377 gramë kanabis, 13 tableta MDMA, si dhe një automjet tip “Mazda” që dyshohet se përdorej për aktivitetin kriminal.
Në pranga ra shtetasi G. D., 26 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç. Autoritetet po vijojnë punën për kapjen e tyre, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Baza”, në vijim të aksioneve të Policisë së Tiranës, për goditjen e grupeve kriminale që shesin lëndë narkotike.
Në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, mbanin disa lloje lëndësh narkotike, me qëllim shitjen, arrestohet 1 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij.
Sekuestrohen 1 kg e 32 g lëndë narkotike Kokainë, 377 g lëndë narkotike Cannabis Sativa, 13 tableta MDMA dhe automjeti tip “Mazda”.
Shërbimet e Forcës e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose të organizuar si grup, shesin në sasi ose në doza, lëndë narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi G. D., 26 vjeç, dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net