SPAK ka kërkuar 127 vite e 6 muaj për 12 të pandehur të dosjes “Revanshi”, që u gjykuan me procedurë të shkurtuar. Për Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin u kërkuan nga 15 vite burg, ndërsa për pjesën tjetër ku përfshihet edhe Xhelal Rraja vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, u kërkuan 9 ose 10 vite burg. Disa prej të pandehurve janë dënuar ose gjykohen edhe për vepra të tjera penale, përfshirë krime kundër jetës.
Syri TV
Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një nga fraksionet e dosjes “Revanshi” ndaj 12 të pandehurve që u gjykuan me procedurë të shkurtuar duke kërkuar 127 vite e 6 muaj burg. Zbardhja e komunikimeve në SKY ECC çoi në ngritjen e akuzave për sigurim kushtesh për të kryer vrasje apo grup kriminal, disa nga emrat më të njohur për autoritetet ligjzbatuese, mes të cilëve Astrit Avdylin dhe Emiljano Shullazin për të cilët u kërkua dënimi me nga 15 vite heqje lirie për secilin që iu zbret në 10 vite nga gjykimi i shkurtuar.
Për Gjergj Cukalin u kërkuan 10 vite e 6 muaj heqje lirie që zbret në 7 vite. Për Blerim Abazin, Besian Xhixhën, Enver Divën, Robert Laçi, Viktor Imerin dhe Satilno Bashon u kërkua dënimi prej 10 vitesh ndaj secilit, që do iu zbriste në 6 vite e 8 muaj. Për Naim Stafukën, Xhelal Rrajën dhe Miri Brulin u kërkuan nga 9 vite burg që do zbriste në 6 vite.
PRETENCA E SPAK PËR ‘REVANSHIN’
ASTRIT AVDYLI - 15 vite burg, zbret në 10 vite
EMILJANO SHULLAZI - 15 vite burg, zbret në 10 vite
BLERIM ABAZI - 10 vite burg, zbret në 6.8 vite
BESIAN XHIXHA - 10 vite burg, zbret në 6.8 vite
ENVER DIVA - 10 vite burg, zbret në 6.8 vite
ROBERT LAÇI - 10 vite burg, zbret në 6.8 vite
GJERGJ CUKALI - 10.6 vite burg, zbret në 7 vite
VIKTOR IMERAJ - 10 vite burg, zbret në 6.8 vite
SATILNO BASHO - 10 vite burg, zbret në 6.8 vite
NAIM STAFUKA - 9 vite burg, zbret në 6 vite
MIRI BRULI - 9 vite burg, zbret në 6 vite
XHELAL RRAJA - 9 vite burg, zbret në 6 vite
Veç disa prej emrave të mësipërm që njihen për rekordet kriminale, ekspozohet emri i Xhelal Rrajës, vëllait të ish deputetit socialist Rrahman Rraja që u arrestua në korrik të 2024 për sigurim kushtesh dhe mjetesh materiale për të kryer vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka. Lidhur me këtë ngjarje ishin angazhuar edhe Durim Bami e Endrit Dokle. Operacioni “Revanshi u krye më 17 dhe 18 maj të 2024, ku në atë kohë u arrestuan 20 persona, ndërsa u lëshuan 50 urdhër arreste
Në seancën e radhës do të bëjnë mbrojtjen avokatët e 12 të pandehurve, teksa gjykata vendosi që seanca do të mbahet në datën 13 maj ora 12:00. Disa ngjarje të rënda kriminale të porositura kryesisht për prishje të interesave apo për hakmarrje u zbardhën nga një hetim i SPAK në bashkëpunim me partnerët, ndërsa disa prej të akuzuarve ose janë në burg, ose në kërkim për krime të tjera.
© SYRI.net