Prostitucion në Durrës/ Arrestohen 3 shtetase kolumbiane, procedohen edhe 3 klientët

Prostitucion në Durrës/ Arrestohen 3 shtetase kolumbiane, procedohen edhe 3 klientët

13:45, 27/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një rast i ushtrimit të prostitucionit është goditur nga Policia në Durrës, ku është vënë në pranga organizatorja e aktivitetit dhe dy shtetase të huaja, ndërsa tre persona të tjerë janë proceduar penalisht.

Operacioni policor i koduar “Storm 18”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, u finalizua pas një hetimi njëmujor të ndjekur me metoda speciale.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasja kolumbiane M. L., 26 vjeçe, e cila dyshohet se kishte organizuar këtë veprimtari të paligjshme. Po ashtu, u arrestuan edhe dy shtetase të tjera kolumbiane, A. G., 33 vjeçe dhe B. A., 26 vjeçe, për ushtrim prostitucioni.

Nga hetimet rezulton se 26-vjeçarja kishte marrë me qira një apartament në lagjen nr. 1 në Durrës, të cilin e kishte përshtatur për këtë aktivitet, duke përfshirë edhe dy shtetaset e tjera, ndërsa dyshohet se ushtronte edhe vetë prostitucion në këtë ambient.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë tre shtetas për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre pasaporta, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti i paligjshëm, një leje drejtimi dhe tre telefona celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco