Kryeprokurori i SPAK, Klodjan Braho, raportoi sot para anëtarëve të KLP-së mbi punën e institucionit gjatë vitit 2025, duke vënë theksin te intensifikimi i luftës kundër korrupsionit.
Sipas Brahos, gjatë këtij viti është shënuar një rritje prej rreth 18% e hetimeve të reja dhe 12% e çështjeve të përfunduara, çka tregon një përshpejtim të aktivitetit hetimor të SPAK.
Ai bëri me dije se janë dërguar në gjykatë 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë.
Në vijim, Braho theksoi se SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, duke regjistruar 6 procedime të reja dhe duke mbajtur nën hetim 16 persona.
Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë që kanë qenë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi gjysma e tyre, rreth 18 persona, janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Braho e cilësoi këtë progres si një tregues të përkushtimit të SPAK në goditjen e korrupsionit në të gjitha nivelet.
© SYRI.net