SYRI TV
Lezha është tronditur nga një aksident me pasojë vdekjen e mjekut Anton Keçi 54 dhe të bijës që studionte mjekësi Bora 20 vjeçe. Kjo e fundit po drejtonte mjetin, kur ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal në rrugën dytësore Lezhë-Kakarriq. Mësohet se babë e bijë punonin në kampin e refugjatëve në Gjadër, teksa aksidenti u konstatua rastësisht nga një patrullë policore. Djali i të ndjerit kishte alarmuar policinë që 2 anëtarët e familjes nuk po ktheheshin në banesë dhe nuk iu përgjigjeshin telefonatave.
Këto janë pamjet e një aksidenti tragjik në Lezhë, ku babë e bijë 54 dhe 20 vjeçe humbën jetën brenda automjetit që përfundoi në një kanal. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Gocaj, në rrugën dytësore Lezhë–Kakarriq, ku kanë humbur jetën Anton dhe Bora Keçi, babë e bijë. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur në orët e pasdites së të shtunës, ndërsa automjeti I drejtuar nga 20-vjeçarja ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në një kanal anësor.
Të shqetësuar për mungesën e tyre, kanë qenë familjarët që kanë nisur kërkimet teksa djali i Antonit njoftoi policinë për faktin se dy anëtarët e familjes së tij nuk iu përgjigjeshin telefonatave. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes, gjatë një patrullimi rutinë, policia ka konstatuar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe dy viktimat pa shenja jete. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat konfirmuan vdekjen e dy udhëtarëve që dyshohet se po ktheheshin nga kampi i refugjatëve të Gjadrit ku Keçi punonte me kohë të pjesshme teksa ishte drejtues i bluzave të bardha pranë IEVP-së së Lezhës.
Kjo e fundit reagoi të shtunën vonë në mbrëmje duke shprehur ngushëllimet për familjen. 54-vjeçari ishte shef i Shëndetësisë në burgun e Lezhës, ndërsa e bija 20-vjeçare po ndiqte gjurmët e tij në Mjekësi pasi ishte studente në vitin e dytë. Anton Keçi kishte jetuar deri në vitin 2019 në Britaninë e Madhe dhe ishte rikthyer në Shqipëri për tu angazhuar në profesionin e tij dhe jetonte me të shoqen dhe dy fëmijët, vajzën me të cilën humbi tragjikisht jetën dhe të birin më të vogël. Komuniteti lezhjan ka shprehur tronditjen për aksidentin fatkeq teksa i përcjellin ngushëllimet familjes.
© SYRI.net